Mlladen milinkoviç: Ndaj Partizanit vetëm për fitore, do tregojmë forcën tonë

384
Nga Agron KAJA
Sot, do të luhet një nga sfidat më të rëndësishme të javës së dytë, pasi Kukësi Kampion i sezonit të kaluar është mysafir në Tiranë, përballë Partizanit, skuadrës së “italianizuar”në administrim e drejtim, por jo në fushë. Verilindorët vijnë në këtë përballje pasi kanë fituar në javën e parë në Kampionat, dhe kanë humbur në mesjavë në Kupë, ndërkohë që Partizani ka humbur në javën e parë në kampionat, por ka fituar në mesjavë në Kupë. Për këtë sfidë, edhe pse foli në konferencën për shtyp të shtunën, dje trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç nuk e refuzoi bisedën me gazetën “Telegraf”, në të cilën ai i bëri një përshkrim gjendjes së skuadrës së tij para ndeshjes së sotme me Partizanin. Sipas teknikut serb, Kukësi nuk është në formën më të mirë, e po kështu ai mendon edhe për Partizanin. E kam thënë edhe në konferencën e shtypit, se ne (Kukësi) dhe Partizani nuk jemi në formën më të mirë para kësaj ndeshjeje. Por e dimë se në këtë sfidë, nuk do të jetë ai Partizan që humbi me Laçin në javën e parë, dhe për këtë jemi të përgatitur. Edhe ne kemi reflektuar për mangësitë që patëm në ndeshjen ndaj Kamzës, ndaj jemi munduar të bëjmë rregullimet tona”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij trajneri i kampionëve të Kukësit, i cili më pas theksoi se te skuadra e tij ka vetëm një ngërç psikologjik. “Aspekti psikologjik më shqetëson më shumë në skuadër, madje ai duket si një ngërç për momentin. Edhe pse në aspektin teknik, nuk them se kemi gjendjen më të mirë, por këtu jam i kënaqur. Nëse ne ndeshjen me Kamzën do të kishim shënuar më shumë gola, sot do të flisnim për një Kukës superior ndaj Partizanit të hënën”. Ndërsa për rezultatin e kësaj ndeshjeje, Milinkoviç ja le rrjedhës së lojës, edhe pse sipas tij, skuadra do të hyjë në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen. “Jo vetëm ndaj Partizanit, por ndaj kujtdo skuadre që do ndeshemi, do të luajmë vetëm për fitore. Për sfidën me Partizanin, ne nuk e mendojmë barazimin, pasi unë dhe lojtarët jemi të bindur te fitorja. Kemi diferenca të vogla, por nuk e di se si mund të marrë loja, pas së cilës unë shikoj një fitore të Kukësit. E quajmë një sfidë të vështirë, por do të tregojmë forcën tonë për ta fituar”, përfundoi në bisedën e tij Milinkoviç, duke ju referuar ndeshjes së sotme të javës së dytë të Kategorisë Superiore, Partizani-Kukësi, e cila do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”në orën 19:00.
Jo vetëm ndaj Partizanit, por ndaj kujtdo skuadre që do ndeshemi, do të luajmë vetëm për fitore. Për sfidën me Partizanin, ne nuk e mendojmë barazimin, pasi unë dhe lojtarët jemi të bindur te fitorja
Sigal