Mjeshtri Mexhit Haxhiu dhe “kartoni kuq”, vlera të dyfishta në futbollin shqiptar

1600
PROFIL/ Me rastin e 75 vjetorit të lindjes, ja si vjen në gazetën “Telegraf” një nga figurat e mëdha në futboll e më gjerë
Nga Moisi DALIPI
Mexhit Haxhiu
Datëlindja: 03.01.1943
Rolet: Sulmues i avancuar te Flamurtari, mesfushor i avancuar te Partizani dhe në Kombëtare
Skuadrat ku ka luajtur: Flamurtari 1961-1963, 1967-1976; Partizani 1963-1966
Gola të shënuar 188 (166 gola në kampionat e kupa,17 gola në ndeshje miqësore dhe 5 gola në ndeshje ndërkombëtare).
Trofetë: Kampion me Partizanin 1964-1965; fitues i Kupës së Republikës 1966 me Partizanin
Ndeshja më e madhe: Shqipëri-Irlandë e Veriut 1:1, Tiranë 1965
Titujt: Mjeshtër i Merituar i Sportit, 1990; Nderi i Sportit Shqiptar, 2000; Fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të Shqipërisë”, 1972; Fitues në 11-shen më të mirë të 55 kampionateve shqiptare; Medalje Ari në Vlorë, “Futbollist i Shekullit”, “Medalje e Meritës” te Partizani, “Qytetar Nderi i Vlorës” , “Nderi i Qarkut Vlorë”, “Mjeshtër i Madh”
Mexhit Haxhiu ka qenë një trajner me skuadrën përfaqësuese të moshave deri në 16 vjeç, dhe në Irlandë, janë renditur në 16 skuadrat më të mira të kontinentit. Së fundmi, ai ka qenë trajner i Flamurtarit dhe është tërhequr, siç thotë ai, “pasi u krijua një klimë e pakëndshme dhe s’kisha satisfaksionin e nevojshëm që të shprehja idetë e mia” 
Pas 47 vjetëve takohet me babanë 
Ishte viti 1991. Në Shqipëri kishin filluar ndryshimet demokratike. Mexhiti shfrytëzon një vizitë sportive në Francë për të takuar babanë, i cili ishte arratisur nga Shqipëria në dimrin e ftohtë të vitit 1944 duke lënë pas në mes vuajtjeve dhe përndjekjeve gruan dhe fëmijët e vegjël. Me shpirtin e lodhur nga dhimbja, Dalip Haxhiu, jetoi 47 vjet në mërgim në Francë, në qytetin e Versajës. Ai ishte 72 vjeç kur në hapësirën e atij hoteli në Versajë, në distancë ka njohur të birin, duke i treguar me gisht një miku të vet e duke i thënë: “Ai atje që po vjen është im bir, është Mexhit Haxhiu”. Momente tepër prekëse, por të jetuara.
Sapo ka mbushur 75 vjeç jetë dhe në përgjithësi ndjehet mirë dhe në “formë sportive”. Kur e takon këtë mjeshtër të madh të futbollit vlonjat, Mexhit Haxhiun, vërtet të shfaqet ashtu siç e njeh gjithë Vlora e mijëra sportdashës nga e gjithë Shqipëria, që e përcollën për 13 vjet me ovacione e duartrokitje në fushat e futbollit . Fisnik, i sjellshëm, fjalë pak e vetëm buzëqesh në mirësi. Nuk ka futbollist, madje sportist në Vlorë, që të ketë fituar aq tituj në harkun jetësor të tij, plot tallaze, nën efektin e të ashtuquajturës “biografi”, pasi babai i tij ishte larguar nga Shqipëria në vitet e hershme të diktaturës. Mjeshtër i Merituar i Sportit (1990), Nderi i Sportit Shqiptar 2000, fitues i anketës së 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë në të vetmen gazetë sportive të asaj kohe, “Sporti Popullor”, në vitin 1972, pjesëtar i 11 më të mirëve të Shqipërisë për 44 kampionate (1985), në 11-shen më të mirë të 55 kampionateve kohët e fundit tok me Boriçin, Panon, Resmen, Halilin etj, fitues i medaljes së arit si Futbollist i Shekullit në Vlorë , “Medalje e Meritës” te Partizani ,”Qytetar Nderi i Vlorës dhe “Mjeshtër i Madh”, janë këto medaljonet që i janë servirur futbollistit e sportistit të madh vlonjat, duke ia zbukuruar bukur gjoksin e tij kuq e zi. Ka mbrojtur gjuhët; angleze dhe italiane, është anëtar i shoqatës angleze të trajnerëve, si dhe ka kryer shumë kurse specializimi në Londër, Helsinki, Firence, Bruksel e Tiranë në 10 vitet e fundit. 
Rrugët e karrierës, me ulje-ngritje biografie
Me pionierët e stërviti trajneri Eqrem Kushta, e më pas me të rinjtë, Vasillaq Ndini. “Kam qenë 17 vjeç e gjysmë kur më mori me të rriturit Isuf Pelingu, trajneri që kam një respekt të madh. Zhvilloheshin disa ndeshje kupash në Vlorë, ku merrnin pjesë skuadra e flotës “Tomori”, “Traktori”, “Apolonia”. U aktivizova disa herë. Ndërkohë ndeshja ime që e kujtoj si fillim, ka qenë një miqësore me Tiranën ku luante edhe Enver Shehu në vitin 1961. Në fund u anulua ndeshja për shkak të eklipsit që errësoj plotësisht fushën e lojës. Specialistët më inkurajuan si debutues i suksesshëm”, thotë legjendari i futbollit vlonjat. “E pashë teksa luante në plazh kur ishte i ri Mexhitin, rreth 15-16 vjeç. Kishte fizik të bukur, përdorim topi mjaft të mirë për atë moshë dhe më ra në sy talenti i tij i madh. Më thanë të mos e marr, se e ka babain e arratisur, por unë vendosa ta marr. Erdhi edhe një ekip nga lart për ta hequr Mexhitin, por unë nuk u pajtova me ta, me mendimin se Mexhiti kishte një të ardhme të madhe për futbollin shqiptar. Luante për shokët, topin e përdorte shkëlqyer, godiste në të gjitha pozicionet me të dyja këmbët, driblimet i kishte zik-zak, lëvizjet trupore të mrekullueshme dhe ishte një golashënues i aftë. Ka qenë një futbollist i madh e njeri i jashtëzakonshëm”, kështu shkruan ne kujtimet e tij ish-trajneri Isuf Pelingu. Tek Partizani luan tre vjet, por me ndërprerje, sepse biografia herë e çonte në repart pune në Lushnjë, herë në Vlorë dhe e rikthente sërish sipas valëve të luftës së klasave. Mesfushori e sulmuesi i avancuar fantastik, thotë se mjedisi i klubit dhe i sportdashësve ishte i ngrohtë, ndërsa lart jo. Ai përjashtohet një vit, në vitin 1966-67 nga futbolli. Shkaku? “Në Kinë bëhej revolucioni kulturor dhe unë në gusht-shtator hiqem nga Partizani bashkë me atletin Naim Kryeziu, që u vra më 2 prill 1991 në Shkodër, e një shtangist tjetër”. Mexhiti kujton ndeshjen me Irlandën e Veriut kur topi i goditur prej tij përplaset në dy shtyllat vertikale dhe për çudi rikthehet prapë në fushë, ndërsa Anton Mazreku e komentonte për gol. Të paharrueshme për të mbeten humbja në Shkodër 5:4, kur shënoi tre gola, njërin në gërshërë, kur rezultati ishte 5:1. Po ashtu, fitorja 5:3 në Vlorë kundër Dinamos ku shënon dy gola shumë të bukur. “E kam brengë e merak mosaktivizimin me kombëtaren. Luajta vetëm tre ndeshje dhe në moshën 20-21 vjeç nuk më thirrën më. Luajta me algjerianët dhe pas tre ditësh nuk më thirrën me Holandën. Dihet “shkaku”, biografia dhe babai i arratisur në dhjetor të vitit 1944”- vijon Mexhiti. Në Shqipëri ai ka idhull Boriçin, dhe në botë Pelen e kishte ëndërr. Tok me gruan e tij, Fatbardhën, e dy djemtë ish-futbollistët Saimirin e Gertin, me nipër e mbesa jeton plot harmoni në Vlorë. Dëgjon Verdin, muzikë të trevave shqiptare , ndërsa sportin nuk e lë kurrë pas dore, veçanërisht futbollin .Kur ecën në rrugët e qytetit, të gjithë i kanë gati fjalët përshëndetëse: “Ju urojmë shëndet i madhi Mexhit Haxhiu!”
Monografia “Kartoni i kuq”
Mexhit Haxhiu i ka përcjellë kujtimet e tij në librin monografi të shkruar në vitin 2015, me titullin intrigues: “Katroni i Kuq”. Ky libër ka ngjallur një interes të madh në opinionin sportiv. Askush nuk e dinte se poligloti Mexhit Haxhiu ka një penë të fortë dhe se është një tregimtar i jashtëzakonshëm, duke rrëfyer gjithçka deri në detaje. Në këtë monografi të shkruar thjesht e bukur, përshkruhen shokët e fëminisë, të shkollës, shokët e skuadrave të Flamurtarit dhe Partizanit, trajnerët, tifozët që e mbështesnin, familja, qytetarët vlonjatë, ndeshjet dhe golat, vitet si specialist dhe trajner, ku gjithçka e jetuar dhe vlerësuar mes sakrificave të jashtëzakonshme i bën sfidën më mirë diktaturës. E thënë qartë, siç thotë vetë Mexhiti: “Aty janë të gjitha dritëhijet e viteve të futbollit që kam luajtur. Jeta më ka lëkundur midis hijes dhe dritës, shpresës dhe mos shpresës. Ajo gjithmonë duhet rifituar, sepse ka gjithmonë perëndime më të bukura se agimet. Kam përcjellë shumë emocion, gëzim dhe dashuri në fushën e lojës, dhe jam ndjerë i lumtur kur tifozët e mi më kanë pranuar në “ylberin” e futbollit shqiptar. Mirëpo, në librin tim e kamë të vështirë për të dribluar, pasuar dhe gjuajtur me fjalë”. Dhe ndodh kështu sepse: “Në Vlorën pranë detit kanë lindur poetë e piktorë, muzikantë dhe burra shteti! Pranë detit kanë lindur shkrimtarë dhe futbollistë”, fjalë monument këto që i ka thënë Mexhit Haxhiu dhe i përshtaten një Mjeshtri të Madh siç është vetë ai .


Sigal