Mirel Josa: “Kampionati nuk është mbyllur, rivalët janë përforcuar”

480
Sigal

Skënderbeu fiton 2-1 me Vllazninë dhe shkëputet +9 pikë nga dyshja Partizani-Teuta

Skënderbeu regjistroi një fitore komode me Vllazninë në Korçë, me kampionët e Shqipërisë që triumfuan 2-1 në javën e 17-të, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit të katërt rresht kampion, pasi tani liderit e kampionatit janë +9 pikë nga Teuta e Partizani, që ndajnë më pikë të barabarta vendin e dytë e të tretë, me nga 27 pikë.

NDESHJA

Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi hapi serinë e golave, pas një kombinimi të bukur mes Anid Ribajt dhe Gjergji Muzakës. Ribaj  lëvizi bukur në krah dhe ktheu topin  në qendër për Muzakën, ndërsa ky i fundit dha pasimin e artë për Shkëmbin, me mesfushorin veteran që gjuajti fort me të majtën duke mposhtur portierin malazez, Miroslav Vujadinoviç, në minutën e 7-të. Goli godet psikologjikisht Vllazninë, teksa shkodranët çorientohen dhe bëjnë një gabim fatal në rastin e golit të dytë. Një mosmarrëveshje mes portierit dhe mbrojtësve kuqeblu solli dhe golin e Ribajt, që i çoi shifrat në 2-0 në të 17. Në fraksionin e dytë Vllaznia u shfaq me tjetër fytyrë, ndoshta edhe nga fakti që Skënderbeu e konsideroi të mbyllur para kohe ndeshjen. Pas tentativës së Shtubinës në minutën e 48-të erdhi edhe goli i shkodranëve që mban firmën e Tafilit në minutën e 67-të, i cili shfrytëzoi rreshtimin e gabuar të mbrojtjes vendase, duke tundur për herë të parë rrjetën e portës së Shehit. Ky gol i dha më shumë moral Vllaznisë, që dilte në sulm me pasime të sakta dhe me shumë forca, por pa mundur të realizojë golin e barazimit. Në të 88-ën pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve Zheljko Tomiç vë në provë Vujadinoviçin, ndërsa me tentativën e Tafilit në minutën e dytë shtesë mbyllet edhe ky 90-minutësh emocionues. Me këtë fitore Skënderbeu shkëputet më tej në kreun e renditjes, ndërsa Vllaznisë tashmë ndodhet në zonën e rënies.

JOSA

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, pranoi se ndeshja u mbyll praktikisht qysh në pjesën e parë, kur rezultati shkoi 2-0: “E zgjidhëm ndeshjen shumë thjeshtë dhe e mbyllëm që në pjesë të parë. Ishte presioni i Ribajt që rrëzoi Sykajn në atë moment. Nuk ishin episodet që na bënë të fitonim. Mendoj se sulmuesit duhet të kishin bërë më tepër sot, dhe të kishin lëvizur më shumë, dhe kjo ishte arsyeja pse Vllaznia na vuri disa herë në vështirësi. Vllaznia rrezikoi vetëm me anë të goditjeve standarde, dhe goli nga një situatë e tillë erdhi. Kishim mungesa dhe bëmë më të mirën me sa kishim në dispozicion, teksa s’kishim Ademirin dhe Pejiçin. Nuk besoj se është mbyllur kampionati, pasi ka akoma shumë ndeshje për tu luajtur dhe janë shumë pikë në lojë dhe ekipet rivale janë përforcuar”.

CANAJ

Tekniku i Vllaznisë, Agim Canaj, i cili tashmë ka rinovuar edhe sezonin tjetër, u shpreh se skuadra e tij u ndëshkua shumë shpejt, dhe se e meritonte të dilte me pikë nga stadiumi “Skënderbeu”. “U ndëshkuam nga dy episode dhe në këto raste ajo që ndikon është ana psikologjike dhe në 17 minuta ne nuk gjetëm ritmin e duhur dhe Skënderbeu i shfrytëzoi këto raste. Më pas ne u organizuam mirë dhe patëm mundësinë të rrezikojmë. Më vjen keq që nuk morëm pikë, pasi në këtë fazë pikët kanë shumë rëndësi. Megjithatë, ky është futbolli dhe tani duhet të shohim ndeshjen e radhës dhe të sigurojmë tre pikët aty. Kampionati është i egër dhe i gjatë dhe do jetë e vështirë për të shpëtuar , por ne do bëjmë lojën tonë dhe do përpiqemi të marrim më të mirën. Jam i kënaqur me lojën e lojtarëve të rinj si Nikoliç dhe Vukçeviç. Në vazhdimësi besoj se do e ngrenë më tej nivelin e tyre dhe do luftojnë bashkë me pjesën tjetër të ekipit për të shmangur rrezikun që na kanoset”, – tha Canaj. Vllaznia ndodhet tani në vendin e 9-të me 21 pikë, pra në katër vendet e fundit që bien direkt nga Kategoria.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVII

E diel, 2 shkurt 2014

TEUTA-LUSHNJA 6-2

Golat: Joel 12’, 24’, 50’,  75’, Samb 44’, Xhafaj 81’ / Fonseka 58’, K.Arbri 90’

SKËNDERBEU-VLLAZNIA 2-1

Golat: Shkëmbi 6, Ribaj 17’ / Tafili 63’

BYLISI-FLAMURTARI 0-0

E shtunë, 1 shkurt 2014

BESA-LAÇI  2-2

Golat: Sefa 83’ (pen), Muriqi 90+2’ / Çela 27’, Bërkiç 66’

PARTIZANI-KUKËSI 0-0

KASTRIOTI-TIRANA 0-0

RENDITJA

1 Skënderbeu      17   +13 36

2 Partizani    17   +3   27

3 Teuta         17   +4   27

4 Laçi           17   +3   26

5 Kukësi             17   +1   26

6 Flamurtari*      17   +4   25

7 Besa          17   -3    22

8 Bylis         17   +2   22

9 Vllaznia    17   +0   21

10 Lushnja          17   -10  18

11 Kastrioti  17   -6    17

12 Tirana            17   -11  13

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Bylisi dhe Flamurtari ndanë nga një pikë në barazimin pa gola në “Adush Muça”

 Gjoka: “Meritonim fitoren” Egbo: “Rezultat i drejtë”

 Flamurtari dhe Bylisi ndanë nga një pikë në barazimin pa gola në “Adush Muça”, duke përsëritur kështu barazimin e fazës së parë, por takimi në Vlorë u mbyll 2-2- Vlonjatët e Ernest Gjokës, të të fuqizuar edhe me Gilman Likën (luajti në pjesën e dytë) dominuan fraksione të caktuara të ndeshjes dhe patën mundësitë më të mira për të shënuar, por nuk arritën dot të ishin konkretë në momentet finale. Bylisi mendoi të shfrytëzonte kundërsulmet për të shënuar, por mbrojtja vlonjate ishte në një ditë të mirë. Rastin e parë të ndeshjes e kishin vendasit, ku pas një lëvizje të bukur në zonë, Bekim Kuli gjuan pak metra larg portës por gjuan jashtë. Reagojnë vlonjatët, të cilët rrisin zotërimin e topit, dhe krijojnë aksione të bukura, por nuk arrijnë të jenë konkretë dhe nëse pasimi i fundit do ishte më i saktë, do mund të kishim rrezikuar më shumë. Ndërkohë, dhjetë minuta nga fundi i pjesës së parë, vlonjatët patën një mundësi të mirë me Begajn me një goditje dënimi, por topi përfundoi shumë pranë shtyllës horizontale. Rasti i vetëm i Bylisit në këtë sfidë u krijua nga Abazaj, i cili goditi nga jashtë zone në minutën e 45 por gjuajtja e tij u prit në pozicion nga portieri Moçka. Pjesa e dytë Ishte shumë më e mirë për Flamurtarin. Në minutën e 57 Lena në brendësi të zonës pati një rast shumë të pastër megjithatë goditja e shqiptaro-maqedonasit ishte shumë e dobët dhe u grushtua nga portieri Stivi Frashri në goditje këndi. Në minutën e 63 Gilman Lika, I cili ishte hedhur në fushë në pjesën e dytë gjuajti një goditje dënimi e cila u prit me vështirësi nga Frashëri. Gjithsesi në minutën e 73-të portieri ballshiot do të tregonte edhe njëherë që ishte dita e tij pas priti në mënyrë fantastike një predhë të Halim Begajt nga distanca.

EGBO

Trajneri i Bylisiz, Emanuel Egbo, tha pas ndeshjes se nuk ishte i kënaqur me barazimin, pasi luanin në fushën e tyre. “Për mënyrën si luajtëm barazimi ishte rezultati më i drejtë. Kishim gjashtë lojtarë që mungonin nga formacioni titullar. Sapo kemi filluar dhe lojtarët nuk janë ngjitur me njëri-tjetrin dhe besoj se javët në vazhdim do arrijmë rezultate më të mira. Nuk mendoj se jemi dobësuar. Kanë ardhur lojtarë të rinj dhe na duhet kohë. Mbijetesa? Nuk duhet të diskutojmë këtë gjë, dhe mendoj se akoma është herët për të diskutuar mbijetesën, pasi diferencat janë shumë të vogla”, – tha trajneri nigerian.

GJOKA

Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, pranoi se ekipi i tij mund ta kishte fituar ndeshjen por në disa raste lojtarët vuajtën nga nervozizmi. “Unë mendoj se nuk është se luajtëm keq. Morëm një pikë dhe luajtëm mirë, por më e mira e mundshme ishte të merrnim fitore. Ishte ndeshja e parë e këtij viti dhe duhet të ishim më mirë. Në disa momente patëm dhe nervozizëm dhe nuk arritëm të bënim atë për të cilën erdhëm. Bylisi është një ekip që në fushën e tij jep maksimumin. Ata luftuan shumë dhe na kufizuan shumë. Rastet i kishim dhe po të ishim treguar më të qetë do mund të kishim marrë tre pikët. Për sa i përket Gilman Likës, ai është një aset i rëndësishëm. Sot (dje) ishte aktivizimi i tij i parë në ekip dhe normalisht nuk prisnim dhe aq shumë, por me kalimin e kohës do integrohet dhe ai”, – tha Gjoka.