Sigal

Fitore në frymën e fundit për Milanin sërish nën shenjën e kapitenit Alessio Romagnoli. Në një transfertë shumë të vështirë si ajo e Udineses, Milani mori një fitore të vuajtur me rezultatin 1-0 në një ndeshje që zgjati 100 minuta.

Goli që vendosi fatet e sfidës u realizua në minutën e 96-të nga Romagnoli që në një kundërsulm të shpejtë të Milanit kishte dalë përpara ashtu si ndaj Genoas disa ditë më parë me mbrojtësin që rezultoi sërish vendimtar, sepse shfrytëzoi asistin e Susos dhe me një goditje shumë të bukur i dha 3 pikëshin Milanit.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Gattusos që rimori vendin e 4-t me 21 pikë po aq sa edhe Lazio. Fundi ishte vërtetë i zjarrtë në Dacia Arena, me Udinesen që e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak ndërsa për të bërë të vlefshëm golin e Milanit u desh edhe konfirmimi nga sistemi VAR.

Lajmi i keq për Milanin ishte largimi i Higuain nga loja në pjesën e parë për shkak dëmtimi, me sulmuesin argjentinas që rrezikon të humbasë supersfidën e javës së ardhshme ndaj ish skuadrës së tij, Juventusit.