Mërgim Mavraj: “Nuk jemi aspak të demoralizuar”

493
Sigal

Mbrojtësi i Kombëtares flet para ndeshjes me Slloveninë: “Jemi të gjithë të bashkuar, prisni fitoren”

Mërgim Mavraj është shndërruar një titullar të padiskutueshëm për Kombëtaren, qysh kur mbrojtësi dhe kapiteni i Grojther Fyrthit pranoi për ftesën për të luajtur me ngjyrat kuqezi. Ndeshja e tij e parë me Shqipërinë është miqësorja me Katarin, të fituar 2-1 nëMadrid, në maj të këtij viti. Qysh atëherë, Mavraj ka luajtur në të gjitha takimet: me Iranin, Moldavinë, Qipron, Zvicrën dhe të premten e kaluar me Islandën. Gjiganti kosovar ishte e ftuari i medias në prag të ndeshjes me Slloveninë.

– Mavraj, pësuam një gol në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, që vulosi dhe humbjen 2-1 me Islandën. Cili është komenti juaj?

Në ndeshje të tilla nëse shpërqendrohesh një moment të vetëm mund të pësosh gol. Prandaj përqendrimi duhet të jetë gjatë 90 minutave jo vetëm në një ndeshje, por në të gjitha, sepse një gabim i vetëm vendos rezultatin. Edhe problemin që patëm me Islandën e kishim biseduar para ndeshjes, por këto janë raste që ndodhin në futboll dhe vetëm nëse je i fokusuar në çdo moment mund t’i parandalosh.

– Të martën do të luajmë kundër Sllovenisë. Si është morali i skuadrës para kësaj humbjeje?

Nuk jemi aspak të demoralizuar. Brenda ekipit është një klimë shumë e mirë, jemi të bashkuar, të gjithë kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Stafi teknik e ka analizuar ndeshjen dhe gabimet që kemi bërë do t’i lëmë pas. Do të përmirësohemi për sfidën kundër Sllovenisë. Morali vazhdon të jetë i lartë. Në pjesën e dytë kundër Islandës pamë që skuadra luajti me zemër, kështu që kemi mbështetjen e njëri-tjetrit për ta kaluar me sukses provën e radhës me Slloveninë.

– Çfarë reagimi mund të presim nga skuadra. A është ajo e aftë të fitojë ndaj një kundërshtari direkt?

– Mendoj se çdo ndeshje duhet luajtur përpara se të flasësh për rezultatin. Në çdo ndeshje krijohen raste nga të dy skuadrat dhe një gabim i vogël vendos rezultatin, pa marrë parasysh se cili është kundërshtari. Për shembull, Islanda është një ekip profesionist, e luante shumë mirë topin dhe rastet që iu krijuan i shënoi. Të gjithë kundërshtarët në grupin tonë janë të fortë, të nivelit të lartë, kanë lojtarë të mirë, ndaj duhet të jesh i përqendruar gjatë ndeshjes jo vetëm përpara saj. Duhet që të mendosh dhe të jesh i fokusuar vetëm në fushën e lojës, e jo ta përcaktojmë rezultatin para se të luajmë.

– Sllovenia ka disa lojtarë që luajnë në kampionate të forta. Personalisht, a ndjeni presionin?

– Për mua nuk ka rëndësi se kundër kujt lojtari luaj, duhet të kesh besim dhe ne të gjithë e kemi. Nëse do të jemi në 100 për qindëshin tonë, çdo kundërshtar do ta ketë të vështirë të fitojë në fushën tonë. Për ndeshjen me Slloveninë nuk është çështja e kualitetit të tyre, por e moralit, mentalitetit, karakterit që do të tregojmë në fushë. Të luajmë me gjithë zemër, pa marrë parasysh se cilin kemi përballë.

– Me Islandën, gabimet na kushtuan humbjen. Sllovenia është shansi i fundit për të shpresuar për në finalet e Botërorit. Sa të përgatitur jeni?

– Ne shqiptarët e kemi këtë, nëse fitojmë një ndeshje jemi më të mirët, ndërsa kur humbasim të gjitha të mirat e mëparshme bien poshtë. Kemi humbur një ndeshje, që nuk është luftë e humbur, por akoma kemi shanse të arrijmë atë destinacionin që duam. Nëse me Slloveninë do të bëjmë atë paraqitje si me Islandën, me gabime, do ta kemi shumë të vështirë të arrijmë sukses, por nëse jemi të përqendruar dhe me mbështetjen e publikut që ka qenë fantastik, atëherë mund të arrijmë gjithçka.