Mehmeti e nis me këmbën e mbarë, Partizani triumfon bindshëm ndaj Egnatias në Rrogozhinë

176
Sigal

Dritan Mehmeti e nisi me këmbën e mbarë eksperiencën e tij si trajner i Partizanit, teksa udhëhoqi “të kuqtë” drejt fitores me rezultatin 0-3 në transfertën ndaj Egnatias.

Tekniku i ri i kryeqytetasve, i cili u ul në pankinë vetëm pak ditë më parë, kishte bërë disa ndryshime të rëndësishme në formacion. Alban Hoxha u rikthye titullar pas mungesës disa javore, teksa pjesë e formacionit titullar ishin dhe Bitri e Skuka që u bashkuan me “Demat” në merkaton e janarit.

Pavarësisht rasteve të krijuara pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën Partizani shënoi plot tre herë në portën e rrogozhinasve.

Fillimisht ishte Esat Mala ai i cili nxorri nga repertori i tij një perlë të vërtetë, duke kaluar  “të kuqtë” në epërsi. Futbollisti futet bukur brenda zonës dhe me një ekzekutim perfekt me të djathtën e dërgon topin në trekëndëshin e Pujës (minuta e 47).

Golin e dytë për Partizanin e shënoi Xhuliano Skuka, i cili debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme me skuadrën kryeqytetase (minuta e 61).

Ndërsa golin që vulosi dhe fitoren e skuadrës së Mehmetit e shënoi Arinaldo Rrapaj, i cili i dha edhe goditjen përfundimtare Egnatias.

Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 21 pikëve teksa skuadra renditet në vendin e pestë. Sakaq, rëndohen pozitat e Egnatias së trajnerit Zekirija Ramadani, me rrogozhinasit që mbeten në vendin e parafundit me vetëm 14 pikë pas 16 javëve kampionat.