Me Skënder Gegën merr fund makthi, mbyllet telenovela e bankinës së kuqe

646
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ Partizani bën lëvizjen e radhës në bankinë, në Vlorë mbeten me sytë nga Ilir Daja, Magani drejt Skënderbeut

Partizani ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në Europa Ligë, ndërsa dje zyrtarizoi ndërprerjen e marrëdhënieve me Klevis Dalipin. Klubi po kërkonte trajner të huaj dhe kishte biseduar me disa të tillë, por për arsye të ndryshme nuk u gjet marrëveshje me asnjërin prej të përfolurve. Në fakt, drejtuesit e Partizanit kishin vendosur që të mos ulnin në bankinë një trajner shqiptar, me idenë se trajneri i huaj i vuan më pak miqësitë, ndërhyrjet dhe presionet, ndoshta edhe nga përvoja e sezonit të kaluar, edhe pse i provoi të dyja mundësitë, të huaj dhe shqiptarë. Edhe ky plan dështoi te të kuqtë, ndoshta edhe për arsye financiare, dhe emri i Skënder Gegës si trajner i ri i Partizanit, është vendosur në orët e vona të së shtunës. Ish-futbollisti i Partizanit dhe i Kombëtares, sot 54 vjeç, Skënder Gega për herë të parë do të drejtojë një skuadër në Kategorinë Superiore, pasi këtu në Shqipëri ka drejtuar ekipet e moshave të Shqipërisë dhe Kombëtaren U-21 në periudhën 2011-2015. Por, Gega ka edhe një përvojë në futbollin kuvajtian, dhe te Partizani do të nisë një aventurë të vështirë, me start ndeshjet në UEFA Evropa Ligë. Dhe ndërsa Partizani e mbylli këtë “gropë” të bankinës, e cila pati shumë dritë-hije gjatë sezonit të kaluar, në Kategorinë Superiore një tjetër “gropë” është hapur, pas dënimit që UEFA i bëri Skënderbeut kampion në sezonin 2017-2018. Pasi janë larguar disa lojtarë, nga stoli i korçarëve pritet që të largohet edhe trajneri Ilir Daja, i cili nëse do të vendosë largimin, pritet që ta zëvendësojë një emër tjetër shumë i njohur në bankinat e Superiores shqiptare. Gazeta “Telegraf” mësoi nga burime në klubin e futbollit korçar se, Gugash Magani mundet që të marrë drejtimin e Skënderbeut, në rast se Ilir Daja refuzon të vazhdojë në këtë detyrë, pasi ditët e fundit ka pasur dilema për të vazhduar në Korçë. Magani drejton aktualisht ekipin e Trepça ’89 në Kosovë, por drejtuesit e këtij ekipi me ata të Skënderbeut kanë marrëdhënie shumë të mira, dhe nuk do të ishte aspak problem shkëputja e Maganit në këtë rast. Në Kategorinë Superiore, peqinasi Gugash Magani ka drejtuar më parë ekipe si Shkumbini, Flamurtari, Tirana dhe Teuta, ndërsa për stolin e Skënderbeut, pritet përgjigja e Ilir Dajës, që po kërkohet me ngulm nga Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.