Margarit Çakalli: Futbolli kërkon investime dhe përkushtim, është pasion jo treg

497
Nga Agron MEMA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, ish-sulmuesi e kapiteni i Butrintit me rreth 100 gola të shënuar në karrierë
Margarit Çakalli është sulmuesi i ekipit të Butrintit, i cili në karrierën e tij rreth 15-vjeçare si kapiten i skuadrës sarandiote, ka shënuar 100 gola, por edhe lojtar i Shkëndijës, kur kjo doli kampione e Shqipërisë, falë edhe golave të shënuar nga Çakalli. I dëshpëruar për gjendjen e ekipit sarandjot të futbollit sot, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, ish-kapiteni deklaron midis të tjerave, se futbollin e ka marrë lumi.
Flasim me një ish-kapiten, po kur janë fillesat e tuaja në futbolli?
Në gazetën tuaj (“Telegraf”), ju promovoni personalitete të çdo fushe të jetës, të cilët nuk duhen harruar. Ndërsa fillesat e mia në futboll nisin në vitin 1974, kur kam pasur trajner të parë Filip Kolagjin tek shtëpia e Pionierit. Nostalgji që i kujtoj, por me dhimbje kur shoh realitetin e sotëm. 

Cila ishte atmosfera që ekzistonte në ekipin tuaj?
Ka qenë ndryshe nga sot. Kushtet ishin të vështira, por sundonte dashuria, dhe ku sundon kjo “perëndeshë”, bëhen çudira. Ndërsa marrëdhënia me tifozerinë ishte si të them në majat e “Himalajeve”, sepse ata na duartrokisnin, na shanin, por kishim tifozeri që na shtonin entuziazmin dhe përgjegjësinë. 

Tifozët dinë të korrin fitore, por harrojnë që edhe ekipi që përballemi ka tifozë dhe kërkojnë të njëjtën gjë. 

Pse e veçoni kaq shumë këtë marrëdhënie mes futbollit e tifozerisë?
Në kohë që unë luajta futboll, nuk kish baste sportive, por kishte lojë pa pazare. Marrëdhëniet sportist-publik ishin të shkëlqyera, aq sa shpesh, gëzimin dhe hidhërimin e ndanim bashkë. Nuk është si sot, kur humbet ekipi nuk e mbështesin, ne atëherë na jepnin krahët e kurajë. 

E kishit të plotë mbështetjen nga pushteti lokal në Sarandë?
Realisht, edhe pushteti lokal dhe politika e kohës na kanë mbështetur fuqishëm. Sot flasin dhe e kritikojnë politikën e asaj kohe, kjo është e drejta e kujt do, por atëherë edhe për fitore, edhe për humbje, nuk kaloje pa diskutime në mbledhje, sot nuk ndodh kjo. Të gjithë ishin pranë nesh.

Cili ka qenë pozicioni juaj në skuadër?
Pozicioni im ka qenë sulmues dhe kapiten ekipi. Jam angazhuar kur kam qenë student me Shkëndinë, dhe kam qenë edhe kapiten i saj kur fituam edhe Kupën e Shqipërisë. Karriera ime më e suksesshme është tek “Butrinti”, ku kam shënuar më shumë se 100 gola. Kam përjetuar emocione të bukura, të dhimbshme dhe të paharrueshme, që sot nuk i veçoj dot.

Si protagonist kryesor i i ekipit të Butrintit, si e shikon gjendjen e këtij ekipi sot?
Të jem i sinqertë, është për të ardhur keq. Duhet të vejë në vend ç’do gjë, tek tradita flas. Kur fitonim gëzonim të gjithë, kur humbnim, fshiheshim brenda të gjithë, deri sa vinte ndeshja e radhës. Kurse sot, nuk duan t’ia dinë as për fitore e as për humbje. Butrintit sot i mungojnë dëshira e pasioni. 
Konstatimi i Çakallit: Sot ka trajnerë me arsim tetëvjeçar
“Fatkeqësi e madhe është që nuk na pyesin sot. Unë kam bërë 7 vjet shkollë për futbollin, ndërsa sot ka trajnerë pa arsim profesional, të pakualifikuar e me arsim tetëvjeçar. Sot me një kurs bëhesh trajner, madje me dy ditë kurs. Është fatkeqësi tek drejtuesit e sportit sot, e them se kësisoj ka mbaruar ç’do gjë. Sporti është pasion, është dëshirë dhe jo treg. Për futbollin e sotëm, flas me keqardhje!”
Në të mirën e futbollit do të ishte që, Shqipëria të kishte një Ministri të Sporteve, të pavarur nga ministritë e tjera, të cilat e kanë mbajtur sportin në këtë gjendje deri më sot
Sigal