Manaj dhe Sherri në sinkron: Luajmë për fitore ndaj Sllovakisë

478
Skuadra jonë Kombëtare U-21 vjeç (Shpresa), në kuadrin e ndeshjeve kualifikuese për Evropianin 2019, do të luajë në datat 23 dhe 27 mars dy sfida ndaj Sllovakisë. Dhe dje, skuadra që drejtohet nga Alban Bushi, ka nxjerrë në konferencë për shtyp dy futbollistë, sulmuesin Rei Manaj që luan në kampionatin spanjoll, dhe portierin e Vllaznisë, Alen Sherri. Për Manajn, ftesa është pranuar me kënaqësi, ndaj ai kërkon që në fushë skuadra të futet vetëm për të fituar. “Jemi të stimuluar për të dhënë maksimumin, dhe po përqendrohemi për të qenë gati për ndeshjen, e cila ka një specifikë të veçantë e të rëndësishme. Në fushë do futemi vetëm për ta fituar këtë ndeshje. Isha ftuar që në fillim nga Shqipëria U-21 dhe kam pranuar me kënaqësi ftesën”, kështu theksoi mes të tjerave në deklaratën e tij Manaj, ndërsa portieri Sherri beson se skuadra do t’ia dalë me sukses në këtë përballje: “Për këtë ndeshje me Sllovakinë, jemi të fokusuar dhe po punojmë fort. Të gjithë jemi optimistë për të arritur rezultat pozitiv, pasi ata nuk kanë më shumë se sa ne. Vlerësojmë shumë kundërshtarin, pasi janë një grup që luajnë bashkë prej kohësh, por ne do angazhohemi që t’ia dalim”, theksoi portieri i Kombëtares U-21, e cila ditën e premte datë 23 mars, do të ndeshet në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Sllovakisë.

GRUPI 2
Ndeshjet e zhvilluara
Shqipëri-Estoni 0-0
Irlanda V-Shqipëri 1-0
Islandë-Shqipëri 2-3
Shqipëri-Islandë 0-0
Shqipëri-Irlanda V 1-1

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Spanja 4 12
2. Irlanda V 5 10
3. Islanda 5 7
4. Shqipëria 5 6
5. Sllovakia 5 6
6. Estonia 6 1

Ndeshjet e radhës
Datë 23 mars 2018 
Shqipëri-Sllovaki 17:20
Datë 27 mars 2018 
Sllovaki-Shqipëri 17:20