Mallkimi i Shqipërisë quhet Shaqiri

580
Sigal

KUPA E BOTËS, SHQIPËRI-ZVICËR 1-2/ Kosovari na shënon për herë të dytë, ashtu siç na ndëshkoi edhe në Lucerncë

Shqipëria humbi 2-1 me Zvicrën në “Qemal Stafa”, duke pësuar humbjen e tretë rresht, duke shuar përfundimit shpresat (e pakta) për një vend të dytë dhe një biletë në “play-off”. Kjo ishte humbja e dytë me zviceranët në këto eliminatore edhe e pesta në këtë fushatë kualifikuese. Ndëshkuesi i madh është po ai i Lucernës: Xherdan Shaqiri. Kosovari i Bajernit shënoi në minutën e 47-të të pjesës së dytë, një gol inteligjent, i denjë për një lojtar të Bajernit të Munihut. Goli i dytë i “helvetëve” i realizuar nga Lang (78’), pas një gabimi të mbrojtjes sonë, erdhi pas një shansi të madh dhe të pashfrytëzuar nga Hamdi Salihi, që nuk arriti të shënojë me kokë edhe pse me portën bosh. Në dy ndeshjet e tjera të grupit tonë, Islanda fitoi 2-0 me Qipron, ndërsa Sllovenia fitoi 3-0 me Norvegjinë. Vendi i dytë do të diskutohet midis Islandës dhe Sllovenisë. Zvicra firmos vajtjen në finalet e “Botërorit 2014” në Tiranë, në ndeshjen e fundit që do të luhet në ndërkombëtarin tonë “Qemal Stafa”. Një fitore me realizuar e tëra nga shqiptarët e Zvicrës pasi rezultatin e zhbllokoi Xherdan Shaqiri në minutën e 47-të, pas një pasimi të zgjuar të Granit Xhakës, ndërkohë që në radhët e helvetëve. Pesë lojtarë shqiptarë u aktivizuan dje në “Qemal Stafa”: Shaqiri, Behrami, Xhaka, Mehmedi dhe Xhemaili (në stol mbeti vetëm Kasami). Kronika e lojës. Në minutën e 11-të, Cana jep një pasim të gjatë për Lilën në të djathtë, por kavajasi pasi merr krahun  nuk kroson dot mirë. Zviceranët mundohen të mos dalin nga detyrat taktike, duke mos rrezikuar shumë, por më tepër kanë menduar të mbrohen, pasi u leverdis edhe një barazim. Rasti i parë i rrezikshëm i tanëve vjen në të 16’, ku Ervin Bulku gjuan fort nga jashtë zone, topi devijohet nga një mbrojtës kundërshtar, që shpëton rrezikun në portën e tij. Ndërsa rreziku i parë për Berishën vjen në minutën e 19-të, teksa goditja nga këndi e Shaqirit shkon në kokën e Sharr, që godet mbi tra. Një minutë më pas Stoker humbet rastin e artë për t’i kaluar të tijtë në epërsi. Pasimi i artë i Shaqirit, që driblon dy-tre mbrojtës goditet nga sulmuesi zviceran, por topi ndalet në shtyllën e portës së Berishës. Rritet presioni i miqve me kalimin e minutave, ndërsa kuqezinjtë janë të paqartë dhe nuk arrijnë të dalin dot nga gjysmëfusha e tyre. Edhe në minutën e 31-të, Shaqiri bën ç’të dojë në krahun e djathtë të mesfushës, duke pasuar bukur për te Xhaka, që në momentin e fundit i hiqet topi nga ndërhyrja vendimtare e Canës. Minutat kalojnë dhe në këtë pjesë loje, Shqipëria e De Biasit nuk e ka fantazinë e duhur për të gjetur golin, kjo për shkak se dhe zviceranët janë tepër të kujdesshëm në lojën e tyre. Madje ata rrezikojnë dhe dy herë të tjera në 45 minutat e para, por gjithsesi nuk mundin të shënojnë. Pjesën e dytë nis me një aksion të rrezikshëm tonin, kur Rama driblon dy kundërshtarë dhe godet rreptë drejt portës mike, por grushton në këndore Benaljo. Reagon shpejt Zvicra, që me anë të Shaqirit, i lënë i lirë nga dyshja e qendrës së mbrojtjes sonë, del i vetëm me portierin Berisha, duke e mposhtur atë. Shpërthen stadium në kore ofenduese karshi shqiptarit të Bajernit të Mynihut, por kjo pak vlen, sepse Zvicra e sheh veten në avantazh. Këtu e ka mbaruar misionin e vet numri 23 i Zvicrës, që zëvendësohet për të mos irrituar më tej publikun, që nuk e kapërdin dot golin e tij. Në minutën e 51-të, Agolli kroson në lartësi, duke e detyruar portierin zviceran të devijojë topin në këndore. Godet sërish Bulku, brenda një minute, por vetëm goditje këndi. Goli i ka zgjuar disi kuqezinjtë, që mundohen të reagojnë, por pa sukses. Në minutën e 58-të kemi një goditje e bukur me kokë e Salihit, që provon aftësitë e mrekullueshme të portierit kundërshtar, i cili zgjatet dhe devijon topin që i drejtohej rrjetës së tij, duke mbajtur në fuqi epërsinë e skuadrës së Hitzfeldit. Kundërpërgjigjet Rodriguez, që detyron Berishën të reagojë në limitet e mundësive, duke evituar golin e dytë në kuadratin kuqezi. De Biazi bën lëvizjet e para, duke aktivizuar Roshin në vend të Gashit dhe Hykën në vend të Abrashit, në përpjekje për të gjallëruar disi lojën e kombëtares sonë, por zviceranët nuk lejojnë hapësira. Në minutën e 75-të kuqezinjtë janë të pafat, goditja e Roshit përplaset në shtyllë dhe aty Salihi me portën e boshatisur, gjuan me kokë, por nuk i besohet se topi përfundon jashtë. Dhe po nuk shënove do pësosh. Në minutën e 78-të ekzekutohet një goditje dënimi nga e majta për helvetët. Topi krosohet në zonën tonë nga Inler, aty ku mbrojtësit tanë rrinë krejt statikë, duke lejuar që Lang të gjuajë e të dyfishojë shifrat. Tashmë duket se çdo gjë ka përfunduar për tanët. Vetëm në fund, me anë të një penalltie Salihi shënon në minutën e 89-të, por sa për të shkurtuar diferencën, pasi humbja nuk shmanget. Goli i dytë për Salihin në këto eliminatore dhe i 11-të në karrierën e tij, duke barazuar kështu Altin Rrakllin.

 SHQIPERI-ZVICER  1-2

Golat: Salihi 89’ (pen) / Shaqiri 48’, Lang 78’

SHQIPERIA: Berisha – Cana, Mavraj, Lila, Agolli – Gashi (Roshi 55’), Bulku, Rama (Mehmeti 85’), Kace, Abrashi (Hyka 64’) – Salihi. Trajner: De Biazi

ZVICRA: Benaglio – Lang, Schär, Von Bergen, Rodriguez – Inler, Behrami; Shaqiri (Mehmedi 53’), Xhaka, Stocker (Fernandes 68’) – Seferovic (Xhemaili 89’). Trajner: Otmar Hitzfeld

Gjyqtarë: Pedro Proenca, Bertino Miranda, Hoze Trigo (Portugali)

Kartonë të verdhë: Gashi 20’, Cana 48’ /  Benaglio 88’, Bergen 57’, Shar 81’

Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

 Ndeshjet e mbetura

Dje, 11 tetor

Shqipëri-Zvicër      1-2

Islandë-Qipro        2-0

Slloveni-Norvegji    3-0

 

Të martën, 15 tetor

Qipro-Shqipëri       18:00

Norvegji-Islandë           20:00

Zvicër-Slloveni      20:00

RENDITJA

1 Zvicra        9    21

2 Islanda       9    16

3 Sllovenia     9    15

4 Norvegjia     9    11

5 Shqipëria     9    10

6 Qipro         9    4

Beteja e shtyllave

 Të dyja skuadrat e goditën nga një herë shtyllën. Shtylla drithëruese e zviceranëve në minutë e 19-të, ishte edhe momenti më i rrezikshëm i 20 minutave të para. Shqipëria ishte më shumë fat. E njëjta pamje, madje në të njëjtën portë, u përsërit edhe në pjesën e dytë, kur Odise Roshi goditi fuqishëm nga distanca në minutën e 69-të, ndërkohë që Salihi edhe pse shumë afër portës, nuk arriti ta godasë topin në rrjetë. Çfarë shansi i madh! De Biazi nuk u beson syve.

 Kosovari nuk foli për mediat tona, pasi nuk e lejoi stafi zviceran: “Në Munih do të vizitoj shqiptaren e sëmurë”

 Xherdani: “Më falni shqiptarë, por ky është futbolli”

 Ylli i Bajernit të Munihut, Xherdan Shaqirim shpjegoi edhe arsyet se përse nuk foli për mediat shqiptare, pasi sipas tij e kishte të ndaluar nga stafi teknik i Zvicrës. Gjithsesi, kosovari me banim në Gjermani tha se, ai do të shkojë të vizitojë një vajzë shqiptare të shtruar në një spital të Munihut, dhe se do t’i dorëzojë asaj fanellën e tij dhe një sasi parash, për të mundësua pagesën e shtrimit të saj. “Lionel Mesi” i Zvicrës e ka treguar shpesh se karakterin e tij human. Kënga e famshme “Xhamadani vija-vija, o sa e madhe është Shqipëria” është shndërruar në shoqëruesen e përhershme të ndeshjeve të futbollit. “Ngjyra e kuqe shumë i ngjan” ishte një tjetër hit i ekzeutuar në “Qemal Stafa” e që ka rritur në maksimum adrenalinën e tifozerisë së kuqe. Ashtu edhe siç pritej tifozët shqiptarë i pritën me fishkëllima, kur spikeri në stadium lexonte emrat e lojtarëve shqiptarë të Zvicrës. Diçka që ishte paralajmëruar më parë, dhe që Shaqiri, Behrami, Xhaka, Xhemaili, Kasami dhe Mehmedi e dinin që do të ndodhte. Sigurisht, e kundërta ndodhi kur lexoheshin emrat e lojtarëve të Kombëtares sonë. Në fakt, lojtarët kosovarë të Shqipërisë dhe shqiptarët e Zvicrës u panë gjatë shumë miqësorë gjatë daljes së parë në fushë. Dallku, Berisha, Gashi, Mavraj, Ujkani, Mehmeti, Shaqiri, Xhaka, Kasami, Behrami, Basha, jo vetëm shkëmbyen përqafime me njëri tjetrin, por dhe biseduan shumë ngrohtësisht me njëri-tjerin për shumë minuta.

 “Vdekje tradhtarëve!”

 Në kohën që u ekzekutua himni i Zvicrës, grupimi më i njohur i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi” shpalosën një fanellë gjigante të kuq, në të cilën shkruhej “Ma ka venë nëna emrin Ilir, kur mos u shit o bir, mos u bëj tradhtar”, çka u referohej shqiptarëve të Zvicrës. Para fillimit të ndeshjeve dhe gjatë saj, ndaj Shaqirit dhe Behramit, u thirr pa pushim nga tifozët “vdekje tradhtarëve!” dhe “O sa mirë me qenë shqiptar, oe oe!”. Në fakt, hyrja në fushë e skuadrës zvicerane gjatë nxehjes u prit me thirrjet “Shqipëri Etnike”, nën vijën melodike të këngës së famshme “O sa mirë më qenë shqiptar!”. Me siguri, Shaqiri, Behrami, Xhaka, Kasami, Xhemaili dhe Mehmedi kanë ndjerë emocione të mëdha dhe janë rrëqethur kur e kanë dëgjuar.

  “Motra” e Valon Behramit

 Mesfushori i Napolit, Valon Behrami, u fye në vazhdimësi gjatë ndeshjes, sidomos kur e kishte ai topin. Tifozët nuk i kursyen sharjet ndaj tij me libër shtëpie, ku mbizotëronin ato kundër motrës së tij. Në minutën e 25-të pati një kontakt fizik midis Valon Behramit dhe Valdet Ramës, dhe sharjet ndaj kosovari të Zvicrës nuk pushuan.

 Fluturimi i shqiponjës

 Ishtë fluturimi i shqiponjës kulmi i festës kuqezi në impiantin ndërkombëtar. Një fluturim madhështor mbi qiellin e stadiumit, i zogut që përfaqëson Shqipërinë. Shpendi krenar bëri disa xhiro spektakolare rreth stadiumit, për tu ulur më pas në qendrës të fushës, një podium kuqezi me stemën e Shqipërisë. Duartrokitjet e tifozëve janë frenetike. E pabesueshme!

 Lamtumira e Klodian Duros

 Klodian Duro, lojtari i dytë me më shumë ndeshje me Kombëtaren, 78, një më pak se rekordmeni Altin Lala (79), dje i dha lamtumirës edhe Kuqezinjve, me një ceremoni të veçantë. “Faleminderit Duro!” ishte shkruar një banderolë. Ish-mesfushorit i dorëzua pllakat e mirënjohjes nga FSHF.