Luciano Spaleti elozhe Interit: Skuadra ime nuk ndalet

513
Sigal

Emërimi i Stiven Zhang si president i klubit është një hap i rëndësishëm për Interin, duhet t’i japim atij kualifikimin për në Champions dhe për këtë duhet të fitojmë ndeshjet ndaj skuadrave të mëdha. Kam pasur fatin që jam pjesë e këtij Interi me familjen Zhang në krye. Ata janë një garanci për tifozët, Stiven është gjithmonë pranë skuadrës dhe prezenca e tij na ka bërë të ndihemi më të bashkuar”.

Këto ishin fjalët e Luçiano Spaletit pas një javë të mbushur me zhvillime të rëndësishme në kampin zikaltër, duke parë edhe humbjen në Champions ndaj Barcelonës të mërkurën. “Nga skuadra pashë një reagim shumë pozitiv në stërvitje. Lojtarët nuk u pajtuan me rezultatin në mesjavë dhe ky është ilaçi më i mirë për të kaluar vështirësitë.

Kam një skuadër me karakter dhe lojtarë të freskët për formacionin. Nata në ‘Camp Nou’ na ka rritur në aspekte të tjera shumë të rëndësishme”. Më pas, trajneri zikaltër ka folur edhe për ndeshjen e radhës ndaj Lacios në “Olimpico”. Takim që do të luhet sonte në orën 20:30.

“Ndeshja e radhës nuk do të jetë e lehtë. Lacialët rrallë humbin ndeshjet e tyre në shtëpi. Suksesi në ndeshjet e Europa Ligës janë një provë për ecurinë pozitive që po kalojnë ata”. Në lidhje me rikthimin e De Vrajit në “Olimpico”, trajneri u shpreh: “Stefan është shumë i qetë, nuk duhet një psikolog për ta kuptuar këtë. Ai është shumë transparent dhe kjo është shumë mirë për ne. Keita? Ka luajtur edhe më përpara në rolin e trekuartistit, duhet ta kemi në konsideratë”.

“Së bashku me Ikardin, ai luajti ndaj Barcelonës, apo nuk e keni vënë re? A ju pëlqeu si dyshe?”, u shpreh trajneri që më pas flet edhe për Raxha Naingolan. “Naingolan është një lojtar me kualitet të madh dhe eksperiencë. Por, kushdo që e ka zëvendësuar atë ka bërë shumë mirë”.

Në fund, trajneri i Interit e ka mbyllur konferencën e tij për shtyp duke kujtuar edhe një herë triumfin në majin e kaluar, atëherë kur zikaltrit fitonin një ndeshje dramatike 2-3 ndaj Lacios duke u kualifikuar direkt për në fazën e grupeve të Champions-it. “Kujtoj festën e çmendur të tifozëve. Nuk duam të ndalojmë aty, kërkojmë të përsërisim ndeshje të atilla, ndoshta që nesër (sot). Është një sfidë shumë e rëndësishme”, përfundoi Spaleti.