Luan Krasniqi ia uron titullin e botës Robin Krasniqit: Ji krenar, fitore madhështore

429
Sigal

Ish-kampion evropian në kategorinë e rëndë, Luan Krasniqi, ia ka uruar bashkatdhetarit të vet, Robin Krasniqi, titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, duke e cilësuar si madhështore fitoren e tij kundër Dominic Boeselit të shtunën.

Boksieri kosovar Krasniqi, i cili lufton nën flamurin gjerman, e mposhti Boeselin me një nokaut dërrmues në rundin e tretë në Magdeburg dhe u shpall kampion i përkohshëm i botës në WBA dhe kampion bote në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, raporton Gazeta Express.

E djathta e Krasniqit ishte aq e fortë dhe e shpejtë, saqë boksieri gjerman u rrëzua si një lis i madh dhe koka iu përplas për dyshemeje.

Boksieri nga Kosova, i cili i kishte humbur luftërat për kampion bote në vitet 2013 dhe 2015, e jetësoi ëndrrën në tentimin e tretë.

Luani, i cili ishte shpallur kampion i Evropës para se të dështonte në përpjekjet e tij për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBO në vitin 2005, i ka bërë thirrje Robinit të jetë krenar me titullin e botës.

Në një reagim në Facebook, 49-vjeçari shkroi se shumë pak njerëz kiishin besuar në aftësitë e Robinit për të triumfuar kundër Boesel.

“Urime Robin Krasniqi për fitimin e titullit kampion bote. Një fitore spektakolare”, shkroi Luani.

Ai shtoi: “Shumë pak njerëz besuan që do ta arrish këtë. Ti mund të jesh shumë krenar për këtë.”