Lorik Cana: “Ndaj Moldavisë, fitore për De Biazin dhe tifozët”

569
Sigal

Sot, Shqipëri-Moldavi. Kapiteni i Kombëtares: “Ky grup lojtarësh, i aftë për të ëndërruar finalet ‘Brazil 2014”

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është i bindur se kuqezinjtë do të bëjnë më të mirën, në miqësoren kundër Moldavisë, për t’i dhuruar një fitore trajnerit Xhani De Biazi, në premierën e italianit në vendin tonë. Mesfushori i Lacios, duke folur në emër të ekipit tha se, të gjithë janë gati për sfidën e sotme. “Me ndeshjen kundër Moldavisë, trajneri De Biazi do ta ketë më të qartë situatën, për të përgatitur edhe takimin kundër Qipros dhe tërë fazën eliminatore. E kemi vlerësuar si një ndeshje shumë të rëndësishme, ashtu siç edhe kemi bërë gjithmonë”, – tha Cana për gazetën “Telegraf”. Loriku e ka veshur 59 herë fanellën e ekipit Kombëtar, duke shënuar një gol. Pas tri ndeshjeve në transfertë, ato me Gjeorgjinë në Tbilisi, Katarin në Madrid dhe Iranin në Stamboll, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të bëjë prezantimin e parë në Tiranë, pikërisht me takimin kundër Moldavisë. Në tri sfidat e para, bilanci i italianit është i suksesshëm: 2 fitore dhe 1 humbje. Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi (në një takim ku portieri Samir Ujkani priti dy penallti), si dhe fitoi 2-1 me Katarin në Madrid (me Bogdanin që u ngjit në kuotën e 16 golave) dhe 1-0 me Iranin në Stamboll (gol i Emiljano Vilës).

 Lorik, ndeshja kundër Moldavisë është testi i fundit përpara takimit kualifikues me Qipron, për Botërorin “Brazil 2014”. Sa të motivuat jeni për sfidën kundër moldavëve?

Sigurisht, që e kemi vlerësuar si një ndeshje shumë të rëndësishme, ashtu siç edhe kemi bërë gjithmonë. Duke pasur parasysh faktin, se na kanë mbetur vetëm tri javë nga ndeshja zyrtare me Qipron, atëherë dëshirojmë të japim maksimumin. Në të gjithë jemi të lumtur, që grumbullohemi pas tre muajsh (nga muaji maj) në ekipin Kombëtar. Jemi të përqendruar maksimalisht, për të dhënë maksimumin, pasi koha është shumë e shkurtër. Me ndeshjen kundër Moldavisë, trajneri (De Biazi) do ta ketë më të qartë situatën, për të përgatitur edhe takimin kundër Qipros dhe tërë fazën eliminatore.

Trajneri i Moldavisë (Ion Karas), në një interviste për mediat e vendit të tij, tha se e ka vlerësuar shumë ndeshjen kundër Shqipërisë, duke e konsideruar atë si një test real përpara takimit zyrtar me Anglinë, duke na vlerësuar si në një rang me britanikët. A jemi në një rang me Anglinë?

(Qesh). Sigurisht që, e vlerësojmë respektin e treguar dhe vlerësimin e trajnerit kundërshtar. Edhe ne e njohim pak a shumë Moldavinë. Por, ne nuk jemi në nivelin e Anglisë. Ndoshta një ditë mund të bëhemi të tillë, për momentin nuk jemi. Të gjithë e dimë se, Shqipëria ka shumë kualitete ka një skuadër që do të ecë përpara. Në vendin tonë, ne jemi një skuadër shumë e fortë. Unë besoj se, do të jetë një ndeshje interesante për të dyja skuadrat. Ne do të fokusohemi në punën tonë. E kemi studiuar kundërshtarin dhe, pavarësisht se nuk ka një emër të madh në skenën ndërkombëtare apo në kontinentin tonë, por është një rival që ka shumë talente, sidomos në repartin ofensiv. Ne jemi munduar të ecim përpara në çdo repart.

Cana, ne vërtet nuk jemi Anglia, por a do të ecim në gjurmët e atyre paraqitjeve dinjitoze. A është një objektiv real një vend i tretë në grupin tonë, në eliminatoret e Botërorit, duke parë dhe emrat e skuadrave që kemi përballë?

Duke marrë në konsideratë faktin se, kemi qenë në vazon e katërt kur u hodh shorti, kjo tregon faktin se ne jemi të katërtit si favorit. Qëllimi minimal është të mos shkojmë më poshtë se vendi i katërt, por të objektivi ynë është të renditemi më lart se vendi i katërt. Ne kemi në grup skuadra me një nivel më të lartë se i yni, si Zvicra, Norvegjia, por ato nuk janë favorite siç ishte Franca në eliminatoret e Euro 2012-s. Çdo skuadër në grupin tonë do të jetë e fortë ndaj njëra-tjetrës dhe kjo e bën një grup shumë të ekuilibruar. Për mua, pretendente kryesore do të jetë Zvicra. Ne do ta luajmë rolin dhe shansin tonë deri në fund. Për herë të parë, Shqipëria e ka mundësinë që të fitojë çdo ndeshje në shtëpi. Do të luajmë të marrim pikë dhe jashtë fushës sonë, në këtë edicion shumë interesant. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se

është më i lehtë.

A është i aftë ky grup lojtarësh për t’i dhuruar Shqipërisë kualifikimin e ëndërruar në një Botëror apo Europian?

Personalisht, kam gati dhjetë vjet në ekipin Kombëtar, dhe kam kaluar disa gjenerata lojtarësh. Çdo herë krijohet një ambient i ri, i pastër dhe sigurisht që kemi dëshirë të madhe, që një ditë të realizojmë ëndrrën që e kanë të gjithë shqiptarët, për të parë vendin e tyre në finalet e një Botërori apo Europiani. Jam i kënaqur kur shoh djem të rinj që vijnë me një mentalitet të ri dhe një dëshirë të madhe. Dua t’i ndihmoj të ambientohen sa më shpejt dhe më mirë, për të dhënë maksimumin e tyre.

Lorik, ju luani te Lacion si mesfushor, ndërkohë që te Kombëtarja si mbrojtës. A ndiheni i sakrifikuar?

Jo. I sakrifikuar për mendimin tim është një lojtar që, nuk e ka dëshirën për ta bërë një gjë dhe e detyrojnë ta bëjnë. Në rastin tim, nuk e konsideroj sakrificë ndryshimin e rolit: është detyrë, krenari, dhe në aspektin teknik është një rol që unë e kryej me kënaqësi, dhe e kam realizuar shumë herë më parë në ekipin Kombëtar, por dhe me Olimpikun e Marsejës (në Francë), Gallatasarajin (në Turqi) dhe them se kam një përvojë të mjaftueshme. Te Lacio, jam aktivizuar në vitin e parë dhe vazhdoj të aktivizohem në mesfushë, dhe në perspektivë për të ardhmen jam një lojtar që mund t’i kryej të dy pozicionet pa asnjë problem. Jam një lojtar polivalent dhe për mua kjo është një plus, pasi i bëj gjërat më shumë dëshirë, si në mesfushë, ashtu dhe në repartin e mbrojtjes.

Mediat italiane ju konsiderojnë si liderin e Lacios. Sa ju intrigon ky vlerësim?

Mediat italiane, duke pasur parasysh dhe të kaluarën time, rolin që kam kryer me skuadrat ku kam qenë, më kanë konsideruar të tillë. Më vjen mirë që flitet për mua si një lojtar, që mund të jetë i rëndësishëm për një skuadër. Lacio bëri një sezon të suksesshëm vitin e kaluar, ndërsa për mua kaloi në disa faza: një fazë, ku u aktivizova më pak; një fazë ku isha i dëmtuar dhe një fazë fundkampionati që u mbyll shumë mirë. Nuk mundet që një lojtar, pas një fazë tranzicioni të marrë një rol lideri, por unë e kam treguar në fushë. Njerëzit dhe tifozët presin shumë prej meje. Kam shansin që luaj në një skuadër të nivelit të lartë, në kampionatin italian, një prej më të fortëve në botë. Duhet të kesh shumë merita. Dëshira ime është bëhem një nga liderit e Lacios, pasi ka të tjerë që luajnë prej vitesh në atë skuadër. Do të mundohem të sjell ato cilësi të miat, në shërbim të ekipit.

Miqësorja, me gjenerator

Ndeshja miqësore me Moldavinë, përfundimisht do të zgjidhet vetëm me gjenerator. Federata ka vendosur të mos ndryshojë orarin, as për kundërshtarët dhe as për FIFA-n, duke i qëndruar vendimit të parë, por në mungesë të bashkëpunimit me CEZ-in, çështja e energjisë i është besuar gjeneratorëve. Pra, të mërkurën në “Qemal Stafa”, ora 20:30, Shqipëri-Moldavi, testi i parë i trajneri De Biazi, përballë publikut shqiptar.

Këshilla e ish-kapitenit Altin Lala

Ish-kapiteni Altin Lala, në një vlerësim të tij deklaroi se, ekipi Kombëtar, armën më të fortë ka mbrojtjen, ndërkohë që më shqetësuese janë repartet e tjera. Kapiteni në detyrë, Lorik Cana tha: “Kur thuhet nga një kapiten si Altin Lala është një duhet dëgjuar dhe vlerësuar, pasi e njoh fort mirë ambientin e ekipit Kombëtar, i njeh lojtarët, gjërat që mund ta çojnë Shqipërinë përpara. Nuk duhet të dëgjojmë çdo njeri që flet nga jashtë për ekipin Kombëtar, por kur vjen nga Altini ka një peshë të veçantë. Ashtu siç kemi shfaqur probleme në fazën mbrojtëse, për mendimin tim duhet të përmirësohemi në çdo repart”.

Të përmirësohemi në fazën ofensive

Lorik Cana është një lojtar polivalent, që luan fort në mesfushë dhe është një barrikadë e vërtetë kur luan mbrojtje. Kapiteni: “Sigurisht, mbrojtja është një nga pikat tona të forta, pasi duke u nisur nga ky repart, çdo skuadër ndërton edhe lojën e saj. Dhe po të shohësh skuadrat më të forta në botë, dhe ato që ne mendojmë se janë ofensive dhe më të mirat në planet, e nisin me një fazë mbrojtëse të nivelit shumë të lartë. Kështu duhet të jemi dhe ne. Si kualitete kemi lojtarë që, në aspektin ofensiv mund të bëjnë gjëra shumë të mira. Me shumë organizim dhe mbështetje mund të përmirësohemi në fazën ofensive”.

I domosdoshëm, rinovimi i Kombëtares

Qysh kur trajneri italian Xhani De Biazi ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar, ai ka provuar në tre grumbullimet e thirrura prej tij, jo pak por 34 lojtarë. Edhe për ndeshjen kundër Moldavisë, De Biazi ka thirrur për herë të parë: Erjon Dushkun e Tiranës, Renato Arapin e Skënderbeut, Erjon Vuçajn e Laçit, ndërkohë që i “ri” mund të konsiderohet edhe Hamdi Salihi, që vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe do të jetë për herë të parë nën urdhrat e teknikut italian. Po si i vlerëson Cana, prurjet e reja në skuadër: “Sigurisht, rinovimi i Kombëtares është një domosdoshmëri. Dua të them se, lojtarëve që kanë ikur, dhe me të cilët unë kam luajtur në të kaluarën, kanë qenë futbollistë që kanë dhënë jashtëzakonisht shumë për vendin dhe sportdashësit tanë. Kanë qenë lojtarë që kanë luajtur në kampionate kryesore dhe që kanë gati 60-70-80 ndeshje me ekipin Kombëtare dhe kjo nuk është një gjë e lehtë për t’i zëvendësuar. Por, kur sheh lojtarë të rinj që vinë dhe kanë cilësi, dhe që e konsiderojnë një krenari për të luajtur për ekipin Kombëtare, kjo të bën optimist për të ardhmen. Gjithsesi, secili prej tyre duhet të ketë dhe fatin në skuadrën e tij, të eci përpara, pasi në momentin që të thërret ekipi Kombëtar duhet të japësh më të mirën, për ta çuar edhe cilësinë e përfaqësueses më lart”.