Lorik Cana: “Jam dhe do të jem kapiteni i Shqipërisë”

473
Sigal

Mesfushori kosovar dha mesazhe të qarta, duke u bërë thirrje lojtarëve të tjerë

“Një komb, një kombëtare”. Kapiteni Lorik Cana nuk ka dyshime, skuadra përfaqësuese e shqiptarëve duhet të jetë vetëm një. Në lidhje me emrat e përveçëm si Ujkani e Sadiku, kapiteni nuk mban një qëndrim por thekson se vendimet duhet të merren pas konsultimit me të gjithë pjesëtarët e kombëtares shqiptare.

Në fokus të mesfushorit kuqezi padyshim që është edhe përballja e dyfishtë me Serbinë. Në lidhje me pritshmëritë e kapitenit për grupin eliminator, i rëndësishëm është fakti që Shqipëria duhet të mësojë nga gabimet e së shkuarës.

 – Lorik, cili është mendimi juaj në lidhje me të ardhmen e lojtarëve kosovarë të Kombëtares shqiptare?

– Unë personalisht e kam shprehur më shumë se një herë mendimin tim në lidhje me këtë çështje dhe nuk e ndryshoj. Jam dhe i mbetem idesë së një Kombëtare për të gjithë shqiptarët. Trajneri me të drejtë kërkon të dijë mendimin e të gjithë lojtarëve kosovarë që luajnë për Shqipërinë, por gjykoj se nuk është tani momenti.

– Kur mund të jetë ai moment?

– Unë mendoj se nuk mundet të bëjmë një zgjedhje të tillë në këto momente kur Kosova nuk është ende në kushtet që të luajë ndeshje kualifikuese. Ajo ditë sipas meje është ende e largët ndaj pyetja nuk mund të shtrohet për momentin.

– A keni pasur ndonjë mbledhje me De Biazin?

– Në fakt, nuk është se kemi pasur ndonjë mbledhje me De Biazin në lidhje me këtë çështje. Natyrisht trajneri kërkon me të drejtë të jetë i sigurt se nuk do të ketë një ndryshim plani në mes edicioni siç ishte rasti me Ujkanin.

– Ju jeni kapiteni i kësaj Kombëtareje. Duke qenë se edhe ju vetë vini nga Kosova, a ndjeni përgjegjësi?

– Nuk është çështje përgjegjësie. Unë e kuptoj se ka disa lojtarë që kanë impakt në publik me deklaratat që japin ndaj them se gjithkush duhet të jetë i kujdesshëm në ato që thotë. Por unë gjykoj se asgjë më shumë sesa futbolli në këto kohëra nuk ka treguar se shqiptarët janë të bashkuar më shumë se kurrë. Ne kemi qenë një, jemi një dhe duhet të mbetemi si të tillë.

–  Cili është mendimi juaj për largimin e Samir Ujkanit?

– Unë e kam pasur dhe e kam mik Samirin dhe fakti se ai po shkon të luajë për Kosovën në një ndeshje të cilën jam i bindur se të gjithë jana të kënaqur që po luhet, por kam mendimin se kur merren të tilla vendime do duhet që t’i diskutonim të gjithë së bashku.

– Edhe Loret Sadiku do luajë për Kosovën. Cili është mendimi juaj?

– Ai ka shkuar të luajë një miqësore simbolike në pamje të parë por e rëndësishme. Gjithsesi, unë nuk e di se çfarë ka biseduar trajneri me Sadikun, por do me vinte shumë keq nëse ai nuk do vinte të luante për Shqipërinë.

– Nëse një ditë do të jeni ju president i Federatës së Futbollit të Kosovës do keni të njëjtë mendime?

– Kjo gjë nuk do ndodhë kurrë, por meqë më pyetet po iu them se unë do punoja për vetëm një Kombëtare.

– Ndeshjen e parë kualifikuese e kemi me Portugalinë, por vëmendja është te Serbia, cili është mendimi juaj për këtë ndeshje?

– Do na duhet një skuadër me lojtarët më të mirë, kosovarë apo shqiptarë dhe më në formë. Si sfidë futbolli ajo i ka vështirësitë e saj, pasi në asketin teknik do kemi një kundërshtar të fortë përballë.

 Kapllani: “Duhet të japim maksimumin”

 I pranishëm në konferencën përpara ndeshjes miqësore kundër Maltës, shfaqet pas një viti edhe sulmuesi Edmond Kapllani, i cili po kalon një formë të mirë me ekipin FSV Frankfurt. Sulmuesi durrsak nuk e fsheh kënaqësinë për këtë rikthim dhe shton se skuadra është rritur teknikisht krahasuar me momentin kur ai mbante të veshur këtë fanellë për herë të fundit. Kapllani tha se, grupi aktual duhet të japë maksimumin pasi tashmë nuk ka më ekipe të dobëta. E ardhmja e sulmuesit te skuadra gjermane është ende në dyshim por Kapllani pohon se do të nisë shumë shpejt bisedimet me klubin.

NDESHJET ME MALTËN

 MIQËSORE

Maltë-Shqipëri 2-1

Maltë-Shqipëri 1-1

Maltë-Shqipëri 0-1

Shqipëri-Maltë 3-0

Shqipëri-Maltë 3-0

ZYRTARE

Shqipëri-Maltë 3-0

Maltë-Shqipëri 0-0

Bilanci: 7 ndeshje, 4 fitore, 2 barazime, 1 humbje

 Nëntë miqësoret e De Biazit

 Trajneri Xhani De Biazi ka zhvilluar nëntë ndeshje miqësore, ku ka koleksionuar 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), tre barazime (me Moldavinë, Kamerunin dhe Bjellorusinë) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë). Nga nëntë ndeshjet miqësore, katër prej tyre janë zhvilluar në Tiranë, ndërsa pesë të tjera janë zhvilluar jashtë Shqipërisë (Gjeorgji-Shqipëri 2-1, Katar-Shqipëri 1-2/ Madrid; Iran-Shqipëri 0-1/Stamboll, Kamerun-Shqipëri 0-0/Gjenevë dhe Bjellorusi-Shqipëri 0-0/Antalia).

NENTË MIQËSORET E DE BIAZIT

Gjeorgji-Shqipëri      2-1

Katar-Shqipëri           1-2

Iran-Shqipëri             0-1

Shqipëri-Moldavi      0-0

Kamerun-Shqipëri     0-0

Shqipëri-Gjeorgji      1-2

Shqipëri-Lituani 4-1

Shqipëri-Armeni       2-0

Shqipëri-Bjellorusi    0-0

Bilanci: 9 ndeshje; 4 fitore, 3 barazime, 2 humbje

Ndeshjet sot

Shqipëri-Maltë 18:00

Kosovë-Haiti   18:00

 

Kosova shkruan sot historinë e futbollit

 Për Kosovën e futbollit, 5 marsi do të jetë një ditë historike, pasi për herë të parë Kombëtarja e saj do të luajë një ndeshje të rekomanduar nga FIFA. Kundërshtari është Haiti, skuadra e fortë nga Amerika Qendrore. Miqësorja e parë e Kosovës ka ngjallur jo vetëm interesimin e tifozëve shqiptarë të cilët do të mbushin stadiumin e Mitrovicës, por edhe të mediave ndërkombëtare.  Duke iu përgjigjur interesimit të tyre për takimin e së mërkurës me Haitin, trajneri Albert Bunjaku e vlerëso këtë sfidë si një pikënisje për të ardhmen e futbollit kosovar. Trajneri Albert Bunjaku ka grumbulluar 22 futbollistë për këtë sfidën me Haitin. Përveç portierit të Prishtinës, Kushtrim Mushica të gjithë lojtarët e tjerë aktivizohen në ekipe të huaja. Në këtë listë ka edhe futbollistë të cilët kanë qenë kandidatë për Kombëtaren e Shqipërisë, si: Faton Toski, Ilir Azemi apo Alban Bunjakun. Kosova mori leje nga FIFA në muajin janar për të zhvilluar takime miqësore me përfaqësuesen A. Një ditë para zhvillimit të ndeshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Haitit, futbollistët dhe drejtuesit e Përfaqësueses së Kosovës janë pritur nga presidentja Atifete Jahjaga dhe Ministri i sportit, Memli Krasniqi. Me këtë rast, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ia dhuroi Presidentes Jahjaga fanellën e Kombëtares së Kosovës. Në një deklaratë bërë pas takimit, presidentja Jahjaga theksoi: “Sot (dje) pata kënaqësinë dhe nderin që të pres Kombëtaren e Republikës së Kosovës. Na ndan vetëm një ditë nga ndeshja e parë miqësore e Kombëtares sonë. Besoj që të gjithë po ndihemi të privilegjuar që kemi rastin të ndajmë momente të tilla bashkërisht. Jo shpeshherë në jetë na jepet mundësia që të bëjmë historinë, por ju duhet të ndjeheni të nderuar, të privilegjuar dhe krenarë që e përfaqësoni shtetin tonë, që përfaqësoni Republikën e Kosovës, një vend entuziast dhe optimist, një vend që udhëhiqet nga shpresa dhe vizioni, një vend që udhëhiqet nga këto vlera, për një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese”. Presidentja Jahjaga ka theksuar se, rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. “Ka qenë një rrugë me përplot vështirësi. Shumica prej jush keni sakrifikuar karrierën tuaj të futboll, duke e pritur ditën që Kosova ta ketë kombëtaren e vet. Disa prej jush jeni detyruar ta lëshoni Kosovën si fëmijë, sepse prindërit tuaj janë ballafaquar me sfidën e ekzistencën, dhe disa të tjerëve sigurisht që u munguan edhe kushtet më elementare për të avancuar në këtë sport”, ka shtuar presidentja.

 Kryeministri Thaçi takon futbollistët

 Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi Përfaqësuesen e Kosovës në Futboll, e cila është duke zhvilluar përgatitjet e fundit para ndeshjes miqësore që zhvillohet nesër në Mitrovicë.

  Sekretari Shulku në Kosova-Haiti

 Shqipëria e futbollit do të jetë zyrtarisht pjesëmarrëse, nëpërmjet një delegacioni të nivelit të lartë, në miqësoren 5 marsit mes Kosovës dhe Haitit. Me ftesë të Federatës së Kosovës, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF Arben Dervishaj, do të jetë të mërkurën në Mitrovicë, ku do të zhvillohet edhe ndeshja e parë ndërkombëtare zyrtare e Kosovës.