Llogari të çmendura, vetëm Teuta e Partizani kanë “garanci” për titullin

237
Sigal

Është aventurë e rrezikshme të llogaritësh se kush shpallet kampion në Shqipëri. Diferenca me 6 pikë nga vendi i pestë deri te vendi i parë dhe kombinimet e 4 javëve të fundit, e komplikojnë tej mase një “parashikim” të saktë.

Por, nëse i referohemi matematikës dhe precedentëve, atëherë minimalisht mund të thuhet se vetëm Teuta dhe Partizani kanë gjithçka në dorën e tyre. Të tjerët, edhe nëse i fitojnë të gjitha, do të duhet që të presin ndonjë “dhuratë”… Por, le t’i marrim me radhë:

TEUTA

Kryeson me 59 pikë dhe nëse i fiton 4 ndeshjet e mbetura e ka titullin në xhep. Kjo, edhe për shkak të përballjes direkte që ka me Partizanin e vendit të dytë në javën e 34-t. Varianti tjetër është që të shpresojë edhe te ndonjë ndalesë e “demave” në derbin e së enjtes.

Nëse ndodh kështu, mund të luanin edhe për barazim në duelin direkt apo edhe për një pikë në transfertën e vështirë me Laçin, por me “kushtin” që të fitojnë patjetër kundër Kastriotit dhe Apolonisë dhe të mos humbin në ndeshjet kundër “demave” dhe kurbinasve.

PARTIZANI

Skenari më i mirë është që të fitojnë 4 ndeshjet e mbetura, sepse duke e mundur Teutën në duelin direkt, e parakalojnë. Mund të pranohej edhe barazimi në Durrës, por gjithnjë nëse “djemtë e detit” lënë pikë (qoftë edhe barazim) në një prej ndeshjeve me Kastriotin, Laçin ose Apoloninë.

Pra nëse Partizani fiton tri ndeshjet e radhës dhe nuk humbet me Teutën, duhet që durrsakët të ndalen edhe një herë tjetër përveç ndeshjes direkte. Ka edhe mundësi të tjera, por aty më pas kemi të bëjmë me shumë “nëse”…

LAÇI

Mund t’i fitojnë të gjitha ndeshjet deri në fund, përfshi edhe me Teutën kryesuese, por do të duhej që Partizani të ndalej patjetër në një prej 4 ndeshjeve që i kanë mbetur. Vetëm kështu kurbinasit do ta merrnin titullin, sepse nëse ata i fitojnë të gjitha, por edhe Partizani merr 12 pikë deri në fund, ia dalin “demat”, që sot kanë dy pikë më tepër. Kalendari e favorizon Laçin, në kuptimin që Partizani ka derbin me Tiranën dhe përballje direkte me Teutën dhe Vllanzinë. Avantazh tjetër është që Laçi e pret Teutën kryesuese në shtëpi.

Por, është edhe ana tjetër e medaljes, sepse ndër 4 ndeshjet që u kanë mbetur, kurbinasit do të përballen me Skënderbeun, Tiranën, Teutën dhe Vllazninë. Jo edhe aq e lehtë për të marrë pikë të plota… Kombinime të tjera ka sërish shumë në favor të kurbinasve, pasi kundërshtarët mund të lënë pikë aty ku nuk mendohet dhe ata të përfitojnë.

VLLAZNIA

Pesë pikë larg kreut në katër ndeshje nuk janë pak, por s’mund të quhet as mision i pamundur. Shkodranët, edhe nëse i fitojnë të gjitha duhet të presin që tri vendet e para të lënë pikë. Dhe mund të lënë, pasi përballen me njëra-tjetrën. Ndërkohë, Vllaznia nuk duhet të falë me skuadrat e vendeve të fundit si Bylisi dhe Kastriotin, ndërsa duhet minimalisht të mos humbë me Laçin dhe Partizanin si rivale direkte.

Nëse i fiton edhe ato, do të kishte më shumë shanse, por duhet të bëjë kujdes. Llogaria tjetër, pra nëse i fiton të gjitha deri në fund, do të barazonte me pikë Partizanin dhe do t’ia merrte me ndeshjet direkte, por duhet që Teuta të lërë 6 pikë rrugës…

Po, sepse nëse Vllaznia do ta mbyllte me pikë të barabarta edhe me durrsakët, atëherë mund të shpresojë te golavarazhi i përgjithshëm, pasi ndeshjet janë të ndara me “thikë”: dy barazime 0-0 dhe nga një fitore 1-0 për secilën. Automatikisht kalohet në pikën c) të rregullores, ku merret për bazë golavarazhi i përgjithshëm. Sot, Teuta diferencën e ka +21 gola, ndërsa Vllaznia +17 dhe aktualisht përfitojnë durrsakët.

TIRANA

Gjashtë pikë larg kreut, por me derbin dhe Laçin rrugës, duhet praktikisht një mrekulli. Bardheblutë, edhe nëse i fitojnë të gjitha ndeshjet, duhet të shpresojnë që rivalët të ngecin vazhdimisht. Nuk është çudi të ndodhë për aq kohë sa vendi i parë dhe vendi i dytë kanë respektivisht nga 14 dhe 13 barazime, por ama duhet të jetë një Tiranë perfekte deri në fund.

Çelësi mund të jetë derbi, sepse një fitore me Partizanin do t’i detyronte këta të fundit që me Teutën ta luanin për “jetë a vdekje”. Nëse pastaj Tirana afrohet me 1 ose 3 pikë nga kryesuesit, atëherë edhe rivalët e dinë se me kë kanë të bëjnë…

RREGULLORJA E KLASIFIKIMIT

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh në përfundim të sezonit, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin futbollistik 2020- 2021;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;

e) me short.