Liverpul: Ofertë e çmendur për futbollistin e Real Madrid

526
Sigal

Përkundër se të gjithë janë nën ethet e Kupës së Botës “Rusia 2018”, afati kalimtar i verës mund të lidhet ngushtë edhe me Botërorin.

Zakonisht kompeticionet si Kampionati Evropian apo ai Botëror, qesin në pah lojtarë të cilët shkëlqejnë, që më pas përkthehet menjëherë edhe në afatin e transferimeve.

Megjithatë, kualitetet e futbollistit të Real Madrid, Marco Asensio, nuk kanë nevojë të zbulohen, pasi interesimi për të, pikërisht për shkak të paraqitjeve të mira, nuk ka qenë i vogël, sidomos që nga përfundimi i sezonit në ligat kryesore evropiane.

Së fundmi, finalisti i Champions League, skuadra angleze Liverpool, sipas shtypit spanjoll, ka bërë një ofertë të çmendur prej 180 milionë euro për 22 vjeçarin që luan te “Los Blancos”.

Megjithëse, Asensio ka kontratë me skuadrën madrilene deri në vitin 2022 dhe një klauzolë marramendëse prej 700 milionë euro, “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se drejtuesit e Real Madridit, tanimë e kanë në tavolinë ofertën e Liverpoolit dhe thuhet se ata do ta shqyrtojnë atë.

Marrë parasysh se presidenti Florentino Perez po e dëshiron me ngulm transferimin e Neymar në “Santiago Bernabeu”, oferta e Liverpoolit do të ishte e mirëseardhur drejt synimit për blerjen e brazilianit, edhe pse Asensio nuk është llogaritur se është në listën e lojtarëve, të cilët rrezikojnë largimin në “Revolucionin” e paralajmëruar nga Florentino Perez.