Liga Profesioniste dhe Superiorja

634
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri i Flamurtarit dhe i Laçit, analizon skuadrat e sezonit të ri, ja urimi i tij

GENTIAN MEZANI

Sfida në Korçë nuk e zbukuron Superioren, nuk është e pamundur për t’u krijuar Liga Profesioniste

Nga Agron KAJA

Dje në Korçë nisi sezoni i ri futbollistik 2018-2019, si e përshkruani sfidën Skënderbeu-Partizani?

Sfida dje në Korçë ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, por Skënderbeu u tregua më me shumë dëshirë për fitore. Partizani ndoshta kishte menduar për një barazim, por të dyja skuadrat treguan mangësi në sulm. Tifozët duhet të mësohen me këtë rregjim në stadium.

Skuadrat e tjera që do të luajnë sot dhe nesër, si i shikoni në këtë start të ri?

Për nga përgatitjet që kanë bërë, dhe merkatua që është në proces, mendoj se sot do të luhen sfida të vështira, më shumë të barabarta. Më vështirë do ta ketë Luftëtari, pas dy largimeve “big”, por edhe Kamza ndaj Tiranës, skuadrës të “urritur” për Superioren

Po dy sfidat e ditës së diel, pritet të sjellin surpriza, apo do të jenë më shumë si ndeshje testuese?

Besoj se po, futbolli prandaj është i bukur. Kukësi nuk mund të quhet superior ndaj Laçit, jo vetëm se të dyja luajtën në Evropë, por edhe për përbërjet që kanë. Sfida në Durrës, Teuta-Flamurtari, mendoj se si “derbi bregdetar”, të na japë një ndeshje spektakël dhe Fair-play.

Nga ndeshjet e së shtunës e të dielës, cilën prej tyre e mendon me ndonjë surprizë?

Unë e deklarova më sipër bukurinë e futbollit. Pa nënvleftësuar tre sfidat e tjera të këtyre ditëve, atë mes Teutës e Flamurtarit e mendoj se është për tu parë në këtë këndvështrim. Janë dy skuadra që në këtë merkato kanë bërë përgatitje e përforcime shumë cilësore.

Risinë e këtij sezoni pa Policinë e Shtetit, dhe me polici private në stadiume, si e shikoni?

Këtë e mendoj shumë pozitive, është një hap para si në Evropë. Është një risi që duhet mbështetur, dhe vetë klubet duhet të punojnë më shumë me tifozeritë e tyre që në çdo ndeshje të jenë sa më korrektë. Policia private në stadiume, është kulturë për futbollin.

Nisja e këtij sezoni pa Ligën Profesioniste, e bën të pamundur krijimin e kësaj strukture?

Asgjë nuk është e pamundur për tu krijuar Liga, e cila e bën futbollin elitar më profesionist. Presidentët e klubeve duhet që ta mbyllin sa më parë këtë strukturë të domosdoshme. Gjithsesi, asnjëherë nuk është vonë, kur bëhet fjalë për profesionalizëm në futbollin tonë.

Do të ndikojë te skuadrat ndryshimi i trajnerëve nga sezoni i kaluar?

Ndryshimi i trajnerëve mendoj se është diçka pozitive, sepse po shohim që në Superiore janë afruar trajnerë të rinj dhe me ide të reja që i shërbejnë futbollit të kohës. Kjo situatë do të sjellë zhvillim edhe në bankina, edhe pse kemi 2 trajnerë të huaj, nga 4 në sezonin e kaluar.

Në krahasim me sezonin e kaluar, ndeshjet do luhen në orare ndryshe, cila është arsyeja sipas jush?

Unë nuk mendoj se është problem me këto orare të reja: 16:45 dhe 19:45. Në këtë stinë të nxehtë, sa më vonë të fillojnë ndeshjet, aq më mirë bëhet për aktorët në fushën e lojës. Në oraret e vona, lojtarët japin më shumë rendimet, dhe spektakli është më i bukur në fushë.