Sigal

Janë luajtur mbrëmjen e sotme 7 ndeshje të raundit të tretë të Ligës së Kombeve, ku spikatën golat e pakët të shënuar. Sfida më e rëndësishme e ditës së sotme ishte përsëritja e gjysëmfinales së botërorit të fundit mes Kroacisë dhe Anglisë.

“Tre Luanët” nuk arritën të hakmerreshin për eliminimin në botërorin e Rusisë, duke u mjaftuar me një barazim pa gola në fushën e Kroacisë. Rastet në këtë përballje, nuk kanë munguar për të dy ekipet, por rezultati ka mbetur i pandryshua deri në fund. Pas këtij barazimi të dyja përfaqësueset marrin pikën e parë në këtë kompeticion, në grupin 4 të ligës A, që kryesohet nga Spanja me 6 pikë. Një tjetër përballje e rëndësishme e mbrëmjes së sotme ka qenë ajo që është zhvilluar në Bruksel mes Belgjikës dhe Zvicrës, e vlefshme për Grupin 2 të Ligës A. Një takim ky që është mbyllur 2-1 për vendasit. Heroi i sfidës ka qenë Lukaku, i cili ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 58-të dhe i ka dhuruar fitoren Belgjikës në të 84-ën pasi Gavranovic ka barazuar përkohësisht në të 76-ën. Falë këtij rezultati, “Djajtë e Kuq” kryesojnë grupin me 6 pikë, 3 më shumë se zviceranët dhe gjashtë më shumë se Islanda e vendit të fundit.

Për sa i përket ndeshjeve të tjera të luajtura ditën e djeshme, janë shënuar katër rezultate identikë me Austrinë, Greqinë, Bjellorusinë dhe Finlandën të cilat kanë fituar minimalisht 1-0, përkatësisht me Irlandën e Veriut, Hungarinë, Luksemburgun dhe Estoninë. Takimi i fundit ka qenë ai mes Moldavisë dhe San Marinos, me fitoren e vendasve 2-0.