Liga e Kampioneve/ Shfaqja e gjitha për Real Madrid, Dortmund dhe Arsenal

399
Sigal

Pasi u luajtën mbrëmë ndeshjet e grupeve E,F,G dhe H, është sonte radha e grupeve të para, nga A në D, që do të ndeshen për kalimin në fazën tjetër, e në ato grupe që është vendosur kualifikimi, mbetet përsëri e hapur çështja e turneut të dytë më të rëndësishëm në Europë, Liga e Europës. Situatat në disa grupe janë të koklavitura, ku mjafton të përmendim grupin A, në të cilin potencialisht mund të kualifikohen të gjitha, me gjashtë pikët e ngelura në lojë. Ndeshja më e rëndësishme e këtij grupi, mendohet të jetë ajo mes Atletikos dhe Olimpiakos, ku madrilenët kanë nëntë pikë, ndërkohë grekët kanë vetëm gjashtë pikë. Në rast fitoreje të Atletikos, kualifikimi do të ishte matematikisht i arritur, dhe lufta e vërtetë mbetet mes Juventusit dhe Olimpiakos. Por torinezët kanë nevojë që më përpara të kalojnë Malmon, një skuadër në dukje shumë e lehtë por që nuk ngurron të nxjerrë probleme në raste të veçanta. Në grupin B, kampionët në fuqi, Real Madrid, e kanë realizuar qëllimin fillestar, atë të kualifikimit, dhe luajnë ndaj Bazelit pa asnjë presion, ndërkohë që zviceranët të cilët ndodhen në kuotën e 6 pikëve, do të luajnë për rezultatin pozitiv që do u jepte 3 pikë më shumë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh se edhe Liverpul dhe Ludogorets ndodhen në të njëjtën kuotë pikësh, me nga tre secila. Janë po këto dy skuadra që do të luajnë ndaj njëra tjetrës sonte, me anglezët që janë ku e ku më të favorizuar për të fituar, por  përsëri bullgarët kanë treguar se nuk munden aq lehtë, e këtë gjë e treguan edhe në ndeshjen e parë mes tyre, ku kujtojmë se Liverpul fitoi me një penallti në fundin e ndeshjes. Në grupin C frenat i kanë në dorë Monako dhe Leverkusen, që do të ndeshen ndaj njëra-tjetrës sonte, me gjermanët që ndodhen në një pozitë më të mirë me nëntë pikët e tyre, ndërsa francezët kanë pesë pikë në total. Fitorja e Leverkusenit, do i siguronte këtyre kalimin më tej, ndërkohë dy skuadrat e tjera. Zeniti dhe Benfica kanë nga katër pikë, në një situatë ku secila prej tyre mund ta rivalizojë Monakon me pesë pikë. Grupi i fundit për sonte është ai D, e në fakt është grupi me situatën më pak të komplikuar ku e kualifikuar është skuadra e Dortmund me 12 pikë, ndërsa Arsenal e ndjek nga pas me shtatë pikë. Ndeshja që zhvillohet sonte mes këtyre të dyjave vlen më shumë për të “zgjedhur” të parën e grupit, ku përsëri edhe në këtë pikë më të favorizuar duken verdhezinjtë e Jurgen Klopp. Anëtaret e tjera të këtij grupi, Anderleht dhe Gallatasarai zhvillojnë ndeshjen e tyre më shumë për vendin e tretë, edhe pse belgët e Hasit, teorikisht janë akoma në lojë për tu kualifikuar më tej, por duhet që Arsenali ti humbë të dyja ndeshjet vijuese dhe nga ana tjetër Anderleht duhet që ti fitojë të dyja takimet. Ndeshjet e ardhshme dhe njëkohësisht të fundit për këtë fazë grupesh do të zhvillohen javë e dytë të dhjetorit, në datat 9/10 dhjetor.

Grupi A

Atletiko Madrid-Olimpiakos

Malmo-Juventus

Grupi B

Bazel-Real Madrid

Ludogorets-Liverpul

Grupi C

Zenit-Benfica

Bajer Leverkusen-Monaco

Grupi D

Anderleht-Gallatasarai

Arsenal-Dortmund

Grupi A

Atl.Madrid              9 pikë

Juventus                  6 pikë

Olimpiakos             6 pikë

Malmo                    3 pikë

Grupi B

Real Madrid              12 pikë

Bazel                           6 pikë

Liverpul                      3 pikë

Ludogorets                 3 pikë

Grupi C

B. Leverkusen           9 pikë

Monaco                     5 pikë

Zenit                          4 pikë

Benfika                      4 pikë

Grupi D

B. Dortmund              12 pikë

Arsenal                         7 pikë

Anderleht                      2 pikë

Gallatasarai                   1 pikë

Shkëlzen Gashi “asi” nën mëngë i Bazelit ndaj Real Madridit

Forma shumë e mirë që po gëzon aktualisht futbollisit i Kombëtares Shqiptare dhe i Bazelit, Shkëlzen Gashi, bën që të cilësohet si një nga futbollistët më të mirë dhe më në formë aktualisht për klubin zviceran që ka një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e sotme ndaj Realit të Madridit. Golat që shënoi të dielën që shkoi në kampionat, bindin edhe më shumë trajnerin e Bazelit, Soza, ta marrë seriozisht në konsideratë pozicionin e mesfushorit që ta fillojë ndeshjen që nga minuta e parë e lojës. Java e fundit ka qenë shumë e mirë për Gashin, që jo vetëm ka shënuar golat por ka bërë që të gjitha mediat zvicerane të flasin për të, duke e cilësuar si një nga më të mirët në kampionat. Një fakt tjetër në favor të tij është edhe rekordi si golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit zviceran, me 9 gola të shënuar. Një ecuri e tillë duket se do ti japë një dorë më shumë edhe Bazelit në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Realit sonte, ku fitorja do ti dërgonte edhe një hap më tej, drejt kualifikimit në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve.

Volejboll/ “Kupa e Çlirimit” mirëpret më të mirat e top-rrjetës shqiptare

Volejbolli shqiptar është në prag të një prej aktiviteteve më të rëndësishme të tij, ku edhe disa ditë do të marrë formë Kupa e Çlirimit, ideuar me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Në fakt, siç vihet re, emri i këtij turneu është ndryshuar pasi deri vjet zhvillohej në titullin Kupa Pavarësia, por duke qenë afër këtij jubileu, edhe sporti i është përshtatur duke emërtuar turneun sipas një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë tonë. Këtë vit, ashtu si edhe vjet pritet që pjesëmarrëse të jenë përsëri skuadrat që janë në formë në kampionatet, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Në volejbollin e meshkujve pritet që Studenti dhe Tirana të takohen nesër, pak ditë para takimit të kampionatit, që do të jetë edhe i fundit për vitin 2014. ndërsa në volejbollin e femrave, ky turne do të jetë i fundit për këtë vit, ndërsa do rifillojnë kampionatin vetëm në shkurt të 2015-es. Rivaliteti pritet të jetë i fortë nga të gjitha skuadrat, qoftë Studenti për meshkuj (fituesit e vjetshëm) apo femra, Partizani, Vllaznia, Teuta, Tirana etj.

“Kupa Pavarësia”, për të gjashtin vit rresht në Vlorë

Ashtu siç bëhet prej disa vitesh, do të zhvillohet edhe këtë vit turneu miqësor i quajtur “Kupa Pavarësia” në nderim të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë turne do të marrin pjesë katër skuadra, ku bashkë me Flamurtarin si vendi pritës dhe organizator do të jenë të ftuara edhe skuadrat e Shkëndijës së Tetovës, dhe dy skuadrat nga Kosova Llamkos dhe Ferronikeli. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen ditën e shtunë dhe çdo takim do të jetë nga 45 minuta, ndërkohë që shorti do të hidhet ditën e enjte, ditë në të cilën do të zhvillohet edhe një darkë me përfaqësues të FSHF dhe të skuadrave përkatëse. Ky turne tashmë po kthehet në traditë, pasi këtë javë zhvillohet edhe turneu i gjashtë i tij, kujtojmë që vjet ishte pikërisht Flamurtari që arriti ta fitonte këtë Kupë, që më shumë vlen se ndërlidhje e marrëdhënieve të mira të klubeve shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë.