Liga e kampionëve/ Neptun Bajko: Përgatitje dhe merkato, Partizani ka pozivitet për sukses

Ja analiza e ish-trajnerit Neptun Bajko për skuadrën që e ka drejtuar ndër vite

Agron Kaja

“Te Partizani ka pozivitet në të gjitha aspektet e përgatitjes së skuadrës, dhe këtu unë shoh një nga momentet më pozitive në prag të ndeshjes në Ligën e Kampioneve ndaj BATE Borisov-it”

Jo vetëm si ish-futbollist e trajner i Partizanit, por edhe si një specialist e opinionist i futbollit shqiptar, Neptun Bajko tregohet realist, teksa shprehet se te kjo skuadër ka pozivitet në të gjitha aspektet. Sipas tij, puna e bërë nga i gjithë stafi drejtues e teknik, do të sjellin suksesin e dëshiruar. “Së pari, unë do të thoja se te Partizani ka pozivitet në të gjitha aspektet e përgatitjes së skuadrës, dhe këtu unë shoh një nga momentet më pozitive në prag të ndeshjes në Ligën e Kampioneve ndaj BATE Borisov-it. Dhe për këtë, unë do t’i uroja kësaj skuadre të madhe në futbollin tonë që të ketë ecuri të gjatë në Ligën e Kampioneve, dhe jo vetëm në ndeshjen e parë”, kështu theksoi fillimisht Neptun Bajko në këtë bisedë për gazetën “Telegraf”, duke shtuar më pas se, kjo punë profesionale në të gjitha drejtimet do t’i çojë te suksesi. “Kur më pyesin për Partizanin sot, edhe ndjehem ngushtë, sepse vetë ritmika e jetës edhe na bën që të na shpëtojë ndonjë detaj i përgatitjeve të skuadrës. Gjithsesi, nostalgjia dhe respekti si ish-futbollist e ish-trajner më sjellin emocion për të folur, aq më shumë në këtë rast kur bëhet fjalë për Ligën e Kampioneve. Duke thënë se është bërë një punë profesionale në të gjitha drejtimet e organizimit, menaxhimit e përgatitjes së skuadrës, kjo punë do t’i çojë te suksesi”. Por, Bajko e vlerëson edhe kundërshtarin dhe porosit Partizanin se, ai as nuk duhet mbivlerësuar, por edhe nuk duhet nënvleftësuar. “BATE Borisov është një skuadër e fortë, e cila në kompeticionet europiane të futbollit ka shkuar edhe te ndeshjet në grupe. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për ta mbivlerësuar si kundërshtar. Sepse edhe Partizani e ka një histori pozitive në Europë, dhe këtu unë shoh vlerësimin real që i duhet bërë kundërshtarit, në raport me veten. Nëse psikologjikisht do të jenë kështu gjatë 90 minutave këtu në Tiranë, patjetër që do të dalin pozitivë, dhe ky do jetë një sukses i merituar jo vetëm për Partizanin, por për gjithë futbollin shqiptar”, -ishte ky mendimi i Neptun Bajkos për Partizanin në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që për tre skuadrat e tjera që marrin pjesë në Konferencë Ligë ai ka vetëm një porosi: “Kundërshtarët kanë vlerat e tyre, dhe nga ana tjetër edhe Tirana, Egnatia e Vllaznia kanë vlerat e potencialet, që duhet t’i shfrytëzojnë me pozivitet. Mundësitë janë, por u duhet më shumë besim te vehtja”. Kështu, Partizani do të luajë kundër BATE Borisov të Biellorusisë sot në mbrëmje, ora 20:45 në “Air Albania”.

NOA

UEFA CHAMPIONS LIGË

Turi i parë eliminator

Sot, ndeshja e parë

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov20:45

Stadiumi: AIR Albania

Arbitra: Nathan Verboomen,

Mathias Hillaert, Rube Uyns,

Uesli de Cremer (Belgjikë)

Ndeshja e kthimit

Në Hungari, më 18 korrik 2023

Tedi Cara merr ofertë nga Turqia

Sulmuesi kavajas i Partizanit, Tedi Cara, në pjesën e dytë të sezonit të kaluar nuk u aktivizua rregullisht, por këtë verë ai ka patur kërkesë nga skuadra e Superligës turke, Alaniaspor. Nga ana e këtij klubi është bërë një ofertë zyrtare për Carën duke ofruar plot 400 mijë euro. Por Partizani e ka refuzuar ofertën e parë, pasi drejtuesit e kuq u kanë bërë të qartë turqve se duan të paktën 600 mijë euro. Pritet që turqit e Alaniaspor-it të këmbëngulin në një tjetër tentativë.

MCN TV transmeton pesë ndeshje europiane

Duke nisur nga dita e sotme, katër ekipe shqiptare nisin rrugëtimin e tyre në Europë. Partizani në Ligën e Kampioneve më 11 korrik 2023, dhe Tirana, Egnatia e Vllaznia në Konferencë Ligë më 13 korrik 2023. Për gjithë dashamirësit e tifozeritë e këtyre skuadrave, këto ndeshje do të transmetohen në ekranin e MCN TV. Vetë drejtuesit e këtij televizioni kanë zyrtarizuar se do të transmetojnë: Dy ndeshjet e Partizani-BATE Borisov, dy ndeshjet e Egnatia-Ararat dhe ndeshjen Tirana-Dinamo-Batumi. Transmetim të mbarë!

NDESHJET NË MCN TV

CHAMPIONS LIGË

Datë 11 korrik 2023

Partizani-BATE Borisov      20:45

Datë 18 korrik 2023

BATE Borisov-Partizani      20:00

KONFERENCË LIGË

Datë 13 korrik 2023

Ararat (Arm)-Egnatia  17:00

Tirana-Dinamo Batumi        20:00

Datë 20 korrik 2023

Egnatia-Ararat (Arm)  20:00