Liga e Kampioneve/ Bajern – Roma rrëmbejnë vëmendjen, priten goleada të tjera

450
Sigal

Sot në darkë luhen ndeshjet e grupeve të fundit në Ligën e Kampioneve, nga E në H, ku mbi të gjitha dallohet ndeshja mes Bajern Mynih – Roma, takim që herën e parë u mbyll me një goleadë të bavarezëve që turpëruan në fushën e tyre Romen me rezultatin 7-1. Në këtë ndeshje në fakt u vu re forca e vërtetë e gjermanëve dhe pritet që as sonte mos të ndryshojë gjë, ku përsëri do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur që golat nuk do ti mundojnë. Bajerni vjen direkt pas fitores me Borusia Dortmund në Bundesligë, në kundërshti me rivalin, Romen që humbi ndaj Napolit në Serie A. Situata e ndryshme e këtyre dy skuadrave dhe ndikimi i rezultatit të mëparshëm do bëjë që kjo ndeshje të ndiqet edhe më me interes nga të gjithë. Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë mes Mançester Sitit dhe CSKA e Moskës, takim që ndeshjen e kaluar u nda në një barazim 2-2, rezultat ky që nuk e lë të marrë frymë lirisht pasi ndodhet në vendin e parafundit me vetëm 2 pikë. Në grupin F, rikthehet përsëri ndeshja mes Ajaks dhe Barcelona, takim ky që u mbyll me fitoren e spanjollëve në ndeshjen e shkuar, por pritet që sot situata të ndryshojë pasi takimi luhet në Amsterdam dhe dihet se këtu çdo skuadër e ka të vështirë të dalë me pikë, siç e kanë provuar edhe shumë skuadra të tjera, bashkë me Barcelonën. Në takimin tjetër të këtij grupi, PSG do të marrë përsëri një fitore ndaj Apoelit në mënyrë që të garantojë edhe më kalimin si e parë në grupin F, duke lënë pas Barcelonën që cilësohej nga të gjithë si favorite. Në grupin G, Çelsi luan ndaj Maribor, të cilën e mundi me rezultatin 6-0 në ndeshjen e parë, dhe nuk pritet asnjë rezultat tjetër edhe në ndeshjen e sotme, ku fitorja përsëri duket e garantuar për londinezët. Shalke nga ana tjetër do ballafaqohet përsëri me Sportingun, por kësaj here në fushën e kësaj të fundit. Rezultati 4-3 për gjermanët në ndeshjen e parë duket shumë i vështirë për tu arritur në Lisbonë, por ardhja e trajnerit të ri, Di Mateo duket se ka sjellë ndryshim tek vetë skuadra dhe përsëri çdo gjë mbetet për tu parë po sonte. Në grupin H, çudinë e bën Shaktar që ndodhet direkt pas Portos së vendit të parë, duke lënë pas edhe Atletik Bilbao që do të ketë një ndeshje shumë të vështirë ndaj Portos, ndërkohë që, ukrainasit e Shaktar do të ndeshen me BATE Borisov, e nuk pritet asnjë surprizë, pasi ndeshja e parë u mbyll 7-0 në favor të Shaktarit. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në të njëjtin orar, 20:45, ndërsa ndeshjet e tjera të grupit do të jenë në javën e fundit të nëntorit, në datat 25/26 nëntor.

Ndeshjet e sotme

Grupi E

B. Mynih – Roma

Man. Siti – CSKA

Grupi F

Ajaks – Barcelona

PSG – Apoel

Grupi G

Maribor – Çelsi

Sporting – Shalke

Grupi H

Bilbao – Porto

Shaktar – BATE

Renditja e grupeve

Grupi E

Bajern Mynih         9 pikë

Roma                      4 pikë

Man. Siti                2 pikë

CSKA                    1 pikë

Grupi F

PSG                        7 pikë

Barcelona               6 pikë

Ajaks                      2 pikë

Apoel                     1 pikë

Grupi G

Çelsi                  7 pikë

Shalke                  5 pikë

Maribor                2 pikë

Sporting               1 pikë

Grupi H

Porto                    7 pikë

Shaktar                 5 pikë

BATE                  3 pikë

Ath. Bilbao          1 pikë

  Superliga rikthen Tirana – Vllaznia, Partizani shkon për rekord në Korçë

 Superliga rikthehet kësaj jave me disa nga ndeshjet më të bukura që mund të prodhojë ky kampionat, që nga Tirana – Vllaznia e deri tek Skënderbeu – Partizani. Ky sezon i superiores në fakt, këtë vit ka prodhuar ndeshje nga më të bukurat dhe në vetvete ka qenë një kampionat me shumë të papritura, shumë i luftuar dhe ajo çka bën çdo tifoz të gëzohet, edhe shumë i pastër, siç u deklarua edhe nga vetë UEFA. Java e 12-ë risjell edhe një herë në vëmendje derbin e Shqipërisë, ndeshjen më të luftuar dhe më me histori në kampionat, Tirana – Vllaznia. Ky takim vjen, fatkeqësisht, me hijet e ndeshjes në fazën e parë ku në Shkodër u shkaktua një dhunë në mes dy tifozerive, çka bëri që të dy këto fusha të dënoheshin dhe pikërisht në këtë ndeshje do të mungojë pjesa më e bukur e çdo sporti, tifozët. Në qoftë se flasim për renditjen dhe gjendjen në të cilën ndodhen këto dy skuadra, çdo gjë flet në favor të kryeqytetasve që ndodhen në luftë për kreun dhe shumë të stabilizuar si skuadër, gjë që nuk mund ta thuash për Vllazninë që është në “rënie të lirë” si në kampionat ashtu edhe në administrim. Vllaznia aktualisht ndodhet në një nga fazat më të vështira të historisë së saj, dhe e kanë të nevojshme një fitore. Trajneri i Vllaznisë, Raineri, ka marrë një ultimatum nga skuadra për tu rikthyer tek fitorja, në të kundërt nuk do të vazhdojë më të jetë pjesë e kësaj skuadre. Ndeshja tjetër shumë e bukur e kësaj jave është ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, dy skuadra që rivalizojnë për titull, me Partizanin që po e dërgon futbollin në Shqipëri në një nivel tjetër, në atë të mbrojtjes së hekurt dhe forcës së grupit. “Demat” deri më tani janë skuadra që kanë treguar një lojë shumë të mirë dhe gjithmonë në rritje, që në fillimet e fazës së parë e deri në ndeshjet e sotme. Nga ana tjetër, Skënderbeu po bind çdo ditë e më shumë, sidomos pas fazës së parë që ishte gjithmonë në ulje-ngritje dhe e pa stabilizuar. Por Skënderbeu i kësaj faze ndodhet në një tjetër lojë, duke u rikthyer bindshëm në pretendente për të mbrojtur kurorën e fituesit. Kjo ndeshje do të marrë një vëmendje shumë të madhe pasi fitorja kërkohet nga të dyja skuadrat, dhe deri më tani më e avantazhuar duket Partizani që vjen si kryesuese dhe si skuadër me një nivel të lartë loje. Ndeshja tjetër e kësaj jave, që pritet të kthejë shumë sy kureshtarë është edhe ajo mes Kukësit dhe Laçit, pasi një fitore e verilindorëve do i linte përsëri në pretendimet për titull dhe në ndjekje të kundërshtarëve direkt, ndërsa Laçi kërkon medoemos fitoren, pasi në rast humbjeje do të ishte e treta rresht për të, humbje këto që e larguan nga kreu për t’u vendosur në vendin e 5-ë me 16 pikë. Kjo javë e 12-ë duket se do të japë një të dhënë më shumë për skuadrën që do të rrëmbejë titullin, pasi nëse Partizani ia del të fitojë edhe ndaj Skënderbeut duket shumë e vështirë të ndalohet më tej, por edhe nëse fitojnë korçarët përsëri pozitat do të ndryshojnë, por ajo që vihet re deri më tani është se secila skuadër të fitojë, përfaqësuesit në arenën ndërkombëtare do të jenë dinjitozë, që nga Partizani, Kukësi, Tirana dhe Skënderbeu, pasi janë vetëm këto katër skuadra që tanimë duken si të vetmet të kuotuara realisht për të rrëmbyer titullin kampion në fund të sezonit.

Ndeshjet e javës së 12-ë

08/11/2014

Tirana 14:00 Vllaznia

Teuta 14:00 Elbasani

Skënderbeu 16:00 Partizani

09/11/2014

Kukësi 13:00 Laçi

Apolonia 16:00 Flamurtari