Leonidha Çuri, trajneri Flamurtarit Evropian

1367
Nga Moisi DALIPI 
DOSSIER/ Një nga figurat më të mëdha të futbollit vlonjat në fushë dhe në bankinë, i harruar dhe i pavlerësuar në karrierën e tij të suksesshme
Në opinionin sportiv vlonjat, sa herë ndodh që të ulen në “sofrën e bisedave” për kontributin e trajnerëve, askujt nuk i shpëton të veçojë emrin e Leonidha Çurit. Dhe kjo ndodh kështu, sepse në kornizën e pesë viteve që Leonidha Çuri drejtoi Flamurtarin, kjo skuadër arriti të ngrihej në nivelet e futbollit evropian. Por kësaj figure sportive, po t’i shtosh edhe karrierën e tij si futbollist me Shkëndinë e Tiranës dhe Flamurtarin, figura e tij merr përmasat e duhura që duhen respektuar e vlerësuar.

Rinia sportive e Leonidha Çurit
Të gjithë në Vlorë e mbajnë mend mirë ish fushën sportive, diku tek kisha katolike në hyrje të lagjes Varosh. Atje do të hidhte hapat e para në lojën e futbollit Leonidha Çuri, së bashku me vëllain e tij. Spiron, shokët e tij të ngushtë Agron Sulon dhe Albert Picin. Me orë të tëra do qëndronte tek kjo fushë e lagjes ky djalosh që pak kush e mendonte se në ardhmen do formohej si një futbollist e trajner cilësor. Edhe pse ka qëndruar shumë pak kohë tek ekipi të rinjve të Flamurtarit, në janar të vitit 1968, ai së bashku me Agron Sulon dhe Lavdosh Malaj do konkurrojnë të jenë pjesë e Shkollës të Mjeshtërisë Sportive “Vojo Kushi”. Fati e kërkoi që të tre vlonjatët të fitojnë të drejtën për të qenë pjesë e grupit të parë të kësaj shkolle sportive. Plot tetë vite Leonidha u trajnua si futbollist dhe specialist futbolli tek kjo “findanishte” e futbollit shqiptar. Nga ekipi të rinjve të Shkëndisë së Tiranës, tek ekipi parë, ku së bashku me Arjan Hoxhën, Petrit Gjonin, Milto Gurmën, Lavosh Malaj, Barjam Hushin, Agim Bulkun,Vasillaq Zërin, Mustafa Fagun, Agron Sulon, e tjerë, do shkruanin historinë më të bukur të kësaj skuadre të re në futbollin shqiptar. Djelmoshat e rinj të ILKF “Vojo Kushi”, të drejtuar nga trajnerët Zyber Konçi e Shyqyri Rreli, pasi do të dilnin disa herë kampionë për të rinj, do të fitonin e titulin e Kategorisë së Dytë, duke u bërë pjesë e skuadrave të elitës në futbollin shqiptar. Përballjet me shumë dinjitet me skuadrat më të mira të Shqipërisë në vitet 1970-1975, si Partizani, Dinamo, 17 Nëntori e Vllaznia, konfirmuan shpejt rritjen e tyre. Në vitin 1972, Shkëndia do merr pjesë në Kupën Ballkanike, ku dhe Leonidha Çuri si pjesë saj në rolin e mbrojtësit, por si mesfushor do të kontribuoje fort për këtë skuadër. Në moshën 20 vjeçare, Leonidha bëhet pjesë e skuadrës kombëtare Shpresa U-21 të Shqipërisë, ku veçohet ndeshja e 13 nëntorit 1971 e zhvilluar në Vlorë përballë Turqisë. Pas disa viteve të suksesshme te Shkëndia, në vitin 1976 Leonidha Çuri do kthehet në Vlorë tek Flamurtari, ku së bashku me Uran Xhafën, Edmond Liçaj, Shemsi Zilen, Vasil Bifshen dhe me rinjtë Kreshik Çipi, Petro Ruci, Vasil Ruci, Pano Xhaho e të tjerë, do bëjnë më mirën e vlerave të tyre. Në vitin 1979, drejtimin e Flamurtarit e morri shoku tij, Agron Sulo. Vetë Leonidha, i njohur në opinion sportiv me nofkën “dinakja”, u bë një mbështetje fortë për trajnerin 27 vjeçar, duke projektuar të dy Flamurtarin e së ardhmes. Deri në vitin 1981, Leonidha luajti futboll me skuadrën, dhe në moshën 30 vjeçare i përkushtohet detyrës së trajnerit në klasat sportive dhe në ekipet e moshave të Flamurtarit. Një e veçantë e karrierës së tij si futbollist, qëndron në faktin se në vitet 1979-1981, për dy sezone ai luajti tek Flamurtari së bashku me të vëllain e tij, sulmuesin Spiro Çuri. Një rast ky që është përsëritur shumë rrallë në historinë e skuadrës së Flamurtarit.

Trajneri më i suksesshëm i Flamurtarit
Kur bën bilancin e trajnerëve që kanë drejtuar Flamurtarin në historinë e tij 95 vjeçare, pa më të voglin dyshim që, Leonidha Çuri mbetet nga më suksesshmit. Ai e mori drejtimin e skuadrës në fillim të vitit 1983, pasi Agron Sulo shkoi për specializim jashtë vendit. Në atë kohë Leonidha ishte vetëm 32 vjeç dhe pjesën më të madhe të futbollistëve i kishte pasur shokë në skuadër. Gjithsesi, ai ndihej mirë sepse duke marrë si ndihmës të tij Skënder Elmazin, një specialist që shumë nga futbollistët vlonjatë i kishte rritur vetë tek ekipi të rinjve, mundësoi një skuadër me dëshirë tek suksesi. Edhe pse në fundin e atij sezoni Flamurtari do të renditej në vendin e katërt, trajneri Leonidha Çuri kishte bindjen se skuadra me elementët që kishte, do rritej shpejt. Me Birçen, Arapin, Petro Rucin, Tahon, Çipin, Lushaj, Iljadhin, Ferkon, Ziajin, Gjondedën, Vasil Rucin, Bubeqin, Kushtën, por edhe më të rinjtë si Memushi, Ziu, Muça, Laluci, Shabani e Daullja, ky Flamurtar hyri në rivalitet të fortë me Partizanin, Dinamon,17 Nëntorin e Vllazninë, në garën për të fituar trofe. Finalist Kupe dhe kanididat për të fituar titullin Kampion, ky ishte Flamurtari i trajnerit Leonidha Curri, por trofeu i parë për Flamurtarin do vijë më 8 shkurt 1985. Në finalen e Kupës përballë Partizanit, ku golat e shënuar nga Vasil Ruci e Bubeqi nënshkruan suksesin e vlonjatëve me rezultatin 2-1, Vlora atë mbrëmje të ftohtë ka festuar gjatë suksesin e parë me trofe të skuadrës tyre. Por në harkun e viteve të mëtejshme, Flamurtari i drejtuar nga Leonidha Çuri, krahas paraqitjes të mirë në kampionat duke prezantuar një shkollë futbolli më vete, një performancë të jashtëzakonshme do bëjë me pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Në vjeshtën e vitit 1985, Flamurtari në turin e parë të Kupës Kupave ka përballë HJ.K Helsinkin. Humbet të dyja ndeshjet 3-2 dhe 1-2, por fitoi përvojën, ku pas një viti në turin e parë të Kupës UEFA do të ndeshet me Barcelonën. Me rezultatet 0-0 në “Kamp Nou”, dhe 1-1 në Vlorë, në dy ndeshje dramatike duke i dhënë një leksion të mirë skuadrës së trajnerit Vejnebëlls. Ky ishte Flamurtari i mësuar të luajë futbollin e tij nga trajneri Leonidha Çuri. Por, një vit më vonë, në vitin 1987 Flamurtari do të trondiste fort Evropën me paraqitjen e tij në Kupën UEFA, duke shkuar deri në turin e tretë eliminator. Në ndeshjen e turit parë, Flamurtari-Partizani i Beogradit, 2-0 në Vlorë dhe 2-1 në Beograd, me atë gol historik të shënuar nga Kushta. Sa shumë kujtime ka nga ajo ndeshje trajneri Leonidha Çuri? Flamurtari në turin e dytë, eliminioi edhe skuadrën gjermano-lindore Vismut-Aue me rezultatet 1-0 në Aue, dhe përmbysjen në Vlorë 2-0. Trajneri Çuri dhe tërë Shqipëria për këto suksese ishin në delir të plotë. Në turin e tretë, përsëri përballë Barcelonës së madhe. Humbje 4-1 në Barcelonë dhe fitore 1-0 në Vlorë. Këtu ndalet Flamurtari, duke shkuajtur historinë e tij evropiane nën drejtimin e trajnerit Leonidha Çuri. Trajneri spanjoll Aragones do të shprehej qartë: “…Flamurtari është skuadër burrërore, luan futboll të bukur dhe shumë rezultativ. Të gjithë futbollistët e kësaj skuadre kanë cilësi të veçanta, por më shumë se çdo kush tjetër, ka pjesën e tij të suksesit trajneri Çuri”. Mjafton kaq për të kuptuar se trajneri Leonidha Çuri me këtë Flamurtar kishte shkuar bukur historinë. Por vetëm kaq, sepse pak muaj më vonë, në vitin 1988, në mënyrën më misterioze ai do të largohet nga drejtimi i Flamurtarit, duke lënë pas ekipin finalist të Kupës, si dhe të renditur në vendin e dytë në Kategorinë e Parë. Shpejt kalon si ndihmës trajner i ekipit tonë kombëtar, së bashku me Agron Sulon. Në sezonin 1989-1990, trajneri njohur vlonjat drejton ish-Traktorin e Lushnjës, dhe pas vitit 1990 punon për dy vite si asisent trajner tek skuadra greke Levadiakos. Për një sezon, 2001-2002, Çurri drejton përfaqësuesen greke të futsallës. Rikthehet në Vlorë tek Flamurtari në sezonin 1996-1997, duke e lënë kampionatin e në gjysmë të udhës, por si kryesues për shkak të ngjarjeve të atij vitit të mbrapshtë 1997. Për disa vite, deri në moshën 60 vjeçare, Loni kontribuon në ngritjen e minifutbollit shqiptar, me dëshirën për të dhënë më mirën e vlerave të tij.
Figura e një trajneri të pavlerësuar 
Edhe pse Leonidha Çuri është një futbollist dhe trajner me karrierë të pasur e rezultate të mira, ai nuk është vlerësuar si duhet nga ata që e kanë për detyrë një gjë të tillë. Vetëm titulli “Mjeshtër Sporti” është shumë pak për këtë futbollist që i përkushtoi vitet e rinisë tij futbollit. Por për më tepër si trajner, Leonidha Çuri ka vlera të pakundërshtueshme, jo vetëm se në drejtimin e tij Flamurtari arriti të fitojë trofeun e parë, Kupën e Shqipërisë në 1985, por për paraqitjen që bëri skuadra të cilën ai e drejtoi për pesë vjet në Kupat e Evropës. Gjithsesi, Leonidha Çurin e kanë vlerësuar më mirë se kushdo opinion sportiv, që edhe sot e nderon dhe e respekton si trajnerin e Flamurtarit Evropian.
Sigal