Leo Messi qan me lotë në konferencë: Nuk doja të largohesha nga Barcelona

309
Sigal

Leo Messi u detyrua të largohej pa dëshirën e tij nga Barcelona. Në ëndrrat e tij largimi do të bëhej në stadiumin “Camp Nou” të mbushur plot me tifozë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Përmes lotësh ai ka folur për herë të fundit në një konferencë për shtyp.

“Nuk di çfarë të them. Këto ditë kam menduar se çfarë mund të them dhe e vërteta është se nuk mund të mendoj për asgjë. Është shumë e vështirë për mua pas kaq vitesh. Nuk jam gati për këtë. Vitin e kaluar, me gjithë atë që ndodhi, doja të largohesha, por këtë vit jo. Unë dhe familja ime donim të rrinim këtu. Kjo është shtëpia jonë. Mendonim se do të rrinim këtu. Koha që kemi kaluar këtu ka qenë e jashtëzakonshme. Sot duhet t’i them lamtumirë gjithë kësaj. Kam qenë këtu që në moshën 13 vjeç. Pas 21 vitesh, do të largohem me gruan time dhe tre fëmijët e mi katalano-argjentinas.

Nuk mund të them se nuk do të kthehem pas disa vitesh. Jam krenar për gjithçka. Për shokët e skuadrës dhe ish-shokët e skuadrës. kam shumë respekt për Barcelona-n. Kemi kaluar shumë momente të bukura dhe të këqija. Të gjitha këto më kanë ndihmuar të përmirësohem.

Do të kisha dashur të largohesha në një mënyrë tjetër, jo kështu. E imagjinoja largimin me njerëz në fushë. Nuk kemi pasur mundësinë të luajmë me tifozë vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Nuk ka qenë e lehtë të luaja pa dëgjuar thirrjet e tyre dhe tani po largohem pa i takuar.

Është një mundësi, por nuk kam arritur akoma asnjë marrëveshje me asnjë deri tani. Kur largimi im nga Barcelona u bë zyrtar, kam marrë shumë telefonata, shumë klube ishin të interesuar. Por nuk kam arritur asnjë marrëveshje. Megjithatë, jemi duke folur”, deklaroi Lionel Messi.