Ledio Pano: “Mesfushë pa fantazi, De Biazi t’u japë fund provave”

818
Sigal

Ish-lojtari i Partizanit dhe i Kombëtares analizon humbjen e Shqipërisë në miqësoren me Rumaninë

 Ledio Pano, një nga ish-lojtarët të njohur në Shqipëri, tashmë trajner dhe analist futbolli, tha gjatë intervistës për gazetën “Telegraf” se, Shqipëria ofroi shumë pak lojë të bukur në humbjen 1-0 në miqësoren me Rumaninë, e treta në 11 ndeshje me trajnerin Xhani De Biazi në bankinë dhe e 33-ta në 95 takime. “Konstatova shumë lojë individuale nga lojtarët dhe shumë pak lojë grupi, çka ka qenë dhe duhet të jetë tipari i ekipit tonë. Sa herë që kemi dëshmuar lojë grupi, kemi bërë paraqitje shumë të mira dhe ndaj kundërshtarëve shumë të fortë.”, – tha djali i legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, i cilësuar si “Lojtari i shekullit”. Sipas ish-mesfushorit sulmues të Partizanit e Kombëtares (11 ndeshje), Kombëtares sonë i mungon një lider që të përcjellë grintë në ekip, ndërsa vlerësoi portierin Etrit Berisha si lojtarin më të mirë që ka Shqipëria. Ledio fitoi kampionatin me Partizanin në sezonin 1986-1987, ndërsa fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 1988 dhe 1992, ndërkohë që shpenzoi disa vite në Greqi, me skuadra të njohura të kampionatit helen.

 – Ledio, Shqipëria humbi 1-0 miqësoren me Rumaninë, me një gol të pësuar në minutat e fundit (83’). Si ju duk loja e Kombëtares sonë?

– Në përgjithësi, lojtarët tanë u përpoqën të bënin një paraqitje të mirë, kundrejt një kundërshtari më emër dhe me lojtarë më cilësorë, por për të qenë realist, loja e Kombëtares sonë nuk më kënaqi.

– Cili është konstatimi tuaj?

– Mendoj se, një defektet kryesore ishte mungesa e organizimit të lojës. U shfaqëm si një ekip pa mesfushë. Konstatova shumë lojë individuale nga lojtarët dhe shumë pak lojë grupi, çka ka qenë dhe duhet të jetë tipari i ekipit tonë. Sa herë që kemi dëshmuar lojë grupi, kemi bërë paraqitje shumë të mira dhe ndaj kundërshtarëve shumë të fortë.

– Ekipi ynë e kërkoi vazhdimisht golin, por edhe pse trajneri Xhani De Biazi i hodhi të gjithë sulmuesit që pati në dispozicion, nuk ia dolëm të shënonim. Sipas jush, kishim një sulm pa forcë?

– Jo, unë mendoj se, pa mesfushë edhe sulmi më i mirë nuk ka çfarë të bëjë, vetëm ta shpikë golin. Në lojën e futbollit ka një rregull të pashkruar që, të gjithë e dimë: mbrojtja fillon te sulmi.

– Çfarë i mungoi Shqipërisë në ndeshjen kundër Rumanisë?

– Pashë lojtarë pa personalitet. Mendoj se, ekipit tonë i mungon lideri, ai që është shtylla e skuadrës, që i jep grintë asaj.

– A mendoni se, kjo mund të jetë edhe për shkak se lojtarët vijnë nga përfundimi i sezonit?

– Nuk do t’i jepja shumë rëndësi. Për mua është një justifikim që, nuk qëndron. Lojtarët duhet të japin më shumë, sidomos kur luajnë me Kombëtaren.

– Shqipëria e pësoi golin pas një gabime të mbrojtjes, a mund ta vendosim atë nën akuzë?

– Unë mendoj se, jo. Ishte thjesht një çast shpërqendrimi dhe ekipet e mëdha e shfrytëzojnë atë në maksimum, atë bëri dhe Rumania.

– Cila ishte pika e fortë e Kombëtares në përballjen me rumunët?

– Unë mendoj se, është porta. Etrit Berishën e konsideroj si lojtarin më të mirë të kësaj kombëtareje. Ka fituar shumë shpejt personalitet. Me të në portë, ekipi ndihet më i sigurt.

– Ndeshja e radhës është ajo me Hungarinë në Budapest (4 qershor). Çfarë duhet të korrigjojë trajneri Xhani De Biazi?

– Unë mendoj se, ai duhet të konsolidojë 11-shen bazë, pavarësisht mungesave. Mjaft me prova, pavarësisht se ato janë ndeshje miqësore. Të shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë me Hungarinë.

– Shumë pak lojë krijuese në ekip. A mos ndoshta vuajmë shumë nga ky fakt?

– Sigurisht, fantazisti i mirëfilltë mungon tek ne dhe ai ka një rol të dorës së parë, pasi prej këmbëve të tij nisin të ndërtohen dhe aksionet e golave. Duhet të improvizosh, duhe të dish se çfarë të bësh me topin.

– A mund ta bëjë Alban Meha këtë rol?

– Patjetër që po, është një lojtar i mirë në këtë rol. Jo më kot, u votua edhe si lojtari më i mirë i Bundesligës 2. Gjithsesi, ai mungoi në ndeshjen me Rumaninë dhe do të mungojë edhe me Hungarinë dhe San Marinon.

– Me San Marinon (8 qershor) do të mbyllim ciklin e tri miqësoreve në harkun e 9 ditëve. Si e parashikon atë, teksa tetë vite më parë kemi fituar 3-0 në Serravalle?

– Mendoj se, kështu si luajmë ne, nuk ka ndeshje të lehta.

Programi i miqësoreve

 31 maj, Zvicër

Shqipëri-Rumani 1-0

4 qershor, Budapest

Hungari-Shqipëri 20:30

8 qershor, Serravalle

San Marino-Shqipëri 20:30

“Skartime” te Partizani

 Te Partizani po ndihet dora e trajnerit Shpëtim Duro. Ertan Demiri, Gëzim Krasniqi, Behar Maliqi dhe Elvis Prençi sezonin e ardhshëm nuk konsiderohen si pjesë e skuadrës që do të konkurrojë në edicionin e ri futbollistik. Pavarësisht konfirmimit të tyre ditë më parë futbollistët në fjalë nuk janë më në planet e drejtuesve të kuq për të vijuar edhe në sezonin e ri. Klubi falënderon të katër lojtarët për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tyre futbollistike.