Largimi i Lëvit, ish-trajneri i Bajernit drejt stolit të Gjermanisë

262
Sigal

Trajneri i kombëtares gjermane, Joakim Lëv, deklaroi të martën paradite se do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë pas përfundimit të Europianit në verë. Menjëherë kanë nisur sondazhet për zëvendësuesin e 61-vjeçarit i cili me “Pancerat” fitoi Kupën e Botës në vitin 2014. Emrat më të lakuar janë ata të Hansi Flikut, Jyrgen Klopit dhe Julian Nagelsmanit. Duke marrë shkas nga deklaratat e Klopit dhe Nagelsmanit, Flik mbetet favoriti kryesor për të drejtuar Gjermaninë.

Arsyet? Në radhë të parë, kontrata e 56- vjeçarit me Bajernin skadon pas dy vitesh, kampionët në fuqi mund ta sakrifikonin trajnerin e tyre për të mirën e Gjermanisë. Më pas është edhe marrëdhënia e mirë mes Flikut dhe Federatës Gjermane të Futbollit. Aty ku ka punuar shumë vite si menaxher dhe ndihmës i Jogi Lëvit, përfshi këtu edhe rrugëtimin e suksesshëm në Brazil 2014. Flik është një njohës i mirë i kombëtares duke ditur të gjithë mekanizmat e saj. Ai do të kishte në skuadër shumë prej lojtarëve të tij aktualë të Bajernit. Kjo do ta bënte më të lehtë rikthimin e “Pancerave” drejt suksesit.

Në fund, vazhdon të jetë edhe krisja që ka me drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç. Edhe pse marrëdhënia e tyre është ngrohur disi pas fitimit në Kupës së Botës për Klube në Katar. Por, Flik është shumë i tunduar për të provuar aventurën e tij si trajner i kombëtares, atë që gjithmonë ka dashur të bëjë në jetën e tij. Pasi dha provat në sezonin e kaluar me Bajernin, se mund të fitojë gjithçka, ai është gati për të rikthyer Gjermaninë në majat e futbollit botëror.

SURPRIZA HEJNKES

Ndërkohë, një emër krejt i papritur ka dalë dje në mediat gjermane, edhe pse nga portale jo shumë të besueshëm. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Bajernit, Jup Hejnkes. Në një deklaratë të tij në vitin 2017, Hejnkes shprehej: “Kur unë të jem 80 vjeç dhe Lëv nuk do të vazhdojë më të drejtojë kombëtaren gjermane, atëherë do ta marr unë drejtimin”. Edhe pse mund të tingëllojë një shaka, besimi i Gjermanisë te Hejnkes do të ishte diçka e madhe. Tani ai është 75 vjeç, me një karrierë të madhe mbi supe. Trofetë e fituar flasin vetë, ashtu dhe marrëdhëniet që ka pasur ndër vite me lojtarët. Jup mund të jetë trajneri i duhur për Gjermaninë pas largimit të Lëvit, një mentor i vërtetë dhe një njeri me shumë vlera si brenda dhe jashtë fushe.