Kupa ndez motorët, ekipet me sytë nga Europa

503
Sigal

Faza çerekfinale e kompeticionit do të luhet me sistemin e grupeve që ndjek Liga e Kampioneve

 Me Kategorinë Superiore, që tashmë ka mbyllur fazën e parë – “kampion i dimrit” doli Skënderbeu, është Kupa e Shqipërisë ajo që ofron spektaklin, me katër ndeshjet e para çerekfinale, në një format të tipit të Ligës së Kampioneve. Tetë ekipet janë ndarë në dy grupe me nga katër skuadra, ku vetëm dy të parat do të kalojnë në gjysmëfinale, atje ku shorti do të jetë i lirë. Takimet çerekfinale nisin sot (8 dhjetor) dhe përfundojnë, më 23 dhjetor. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen në datat 3 dhe 17 prill. Finalja e Edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë është programuar, për më 15 maj 2013.

 GRUPI A

 SHKUMBINI-SKËNDERBEU

 Skënderbeu e ka dominuar plotësisht skenën futbollistike gjatë tre viteve të fundit, por kampionët në fuqi ende nuk e kanë fituar ndonjëherë Kupën e Shqipërisë. Sezonin e kaluar ishin në finale, por humbën 1-0 me Tiranën (gol i Bekim Balës) në “Qemal Stafa”. Në ndeshjen e parë çerekfinale, lideri i kampionatit do të udhëtojë në Peqin, ku do të përballet me Shkumbinin vendas, por me këta të fundit që janë duke zhvilluar një sezon jo të mirë, nisur dhe nga organika e re e lojtarëvë që kanë. “Ujqërit” e Mirel Josës e dëshirojnë trofeun e Kupës në “palmarasin” e tyre. Objektivi i vetëm është fitorja. Skënderbeu është ekipi i vetëm që nuk ka humbur në këtë sezon dhe skuadra ndodhet në në një gjendje shumë të mirë psikologjike. Gjatë rrugës për në çerekfinale, kampionët në fuqi çuditërisht barazuan (2-2) me Olimpikun e Kategorisë së Dytë, përpara se të fitonin ndeshjen e  kthimit me rezultatin tenistik 7-2. Kamza nuk ishte një problem për bardhekuqtë, që i fituan të dyja ndeshjet. Shkumbini, nga ana e tij, eliminoi në mënyrë të befasishme Vllazninë, 6 herë fituese të Kupës (e fundit në vitin 2008): fitoi 1-0 në Peqin, dhe humbi 2-1 në Shkodër, por u kualifikua falë golit në fushën kundërshtare. Në takimin e fazës së parë, Skënderbeu fitoi 2-0 me Shkumbinin në Korçë, falë golave të realizuar nga Renato Arapi dhe Sabien Lilaj.

 KUKËSI-KASTRIOTI

 Çifti tjetër i këtij grupi është Kukësi-Kastrioti. Kuksianët i befasuan të gjithë kur, pasi kaluan lehtësisht Besëlidhjen (në turin e parë), eliminuan as më pak dhe as më shumë, por vetë mbajtësen në fuqi të trofeut të Kupës së Shqipërisë, Tiranën, njëherësh edhe skuadra që ka më shumë kupa të fituara, 15 po aq sa Partizani, më këtë të fundit që u eliminua pikërisht nga bardheblutë. Kukësi është duke bërë një sezon shumë të mirë, duke humbur vetëm dy nga 13 ndeshjet, pikërisht me Flamurtarin (3-0) dhe Skënderbeun (2-0). Eliminimi i Tiranës dhe skema e çerekfinaleve të Kupës, ku në gjysmëfinale kalojnë dy skuadra, i ka motivuar shumë drejtuesit dhe trajnerin Armando Cungu. Sezonin e kaluar, Kastrioti ishte pjesë e katër ekipeve më të mira, por këtë sezon e ka më të vështirë. Kukësi ka grumbulluar gjashtë pikë më shumë se Kastrioti (21-16). Në ndeshjen e fazës së parë, Kukësi fitoi 3-1 në “Zeqir Ymeri”. Asion Daja i Kastriotit i befasoi kuksianët kur shënoi pas vetëm dy minutash lojë, ndërkohë që përmbysja e madhe erdhi pas tripletës “blu”, të shënuar nga Gerhard Progni, Lazar Popoviç dhe Igli Allmuça. Kuksianët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi, kështu që besojnë shumë te faktori fushë, dhe te lojtari i 12-të në një prej stadiumeve më komode në vendin tonë.

 GRUPI B

FLAMURTARI-BYLIS

 Flamurtari bëri një sezon zhgënjyes në fazën e parë, pavarësisht investimeve në lojtarë, por dhe me trajnerin e vetëm të huaj në Shqipëri, spanjollin Hulian Rubio, njëherësh dhe tekniku më të paguar në vendin tonë (merr 140 mijë euro në sezon). Vlonjatët tani janë pa president, pas tërheqjes së kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Emri i Adhurim Dukës për postin e presidentit të Flamurtarit pritet me pozitivitet në Vlorë. Specialistë të futbollit dhe sportdashës besojnë se Duka është personi i duhur për të pasuar Shpëtim Gjikën. Flamurtari eliminoi Besën e Kavajës, duke e mundur në fushën asnjanjëse të “Niko Dovanës”, ndërkohë që takimi i kthimit në Vlorë u mbyll barazim. Nga ana e tij, Bylisi është konfirmuar si një skuadër stabile dhe e konsoliduar, sidomos me ardhjen e teknikut kosovaro-turk, Naxhi Shensoj, pas dorëhëqjes së Agim Canajt. Pra, në Vlorë do të kemi një ballafaqim spanjollo-turk. Hulian Rubio është dhe trajneri fitues në fuqi i Kupës, por spanjolli e arriti me Tiranën. Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë (1985, 1988 dhe 2009). Në ndeshjen e këtij sezoni në kampionat, Bylisi dhe Flamurtari u ndanë në barazim 1-1 (në javën e parë), një takim i luajtur në Berat, por që rezultoi më pas me shkarkimin e Shkëlqim Muçës nga stoli vjonjat. Pas përfundimit të fazës së parë, Bylisi ka 21 pikë, ndërsa Flamurtari 19.

 LAÇI-TEUTA

Një çift mjaft i fortë, nisur dhe nga fakti se Teuta është në vendin e dytë, me 23 pikë, dy më shumë se Laçi (21) i vendit të gjashtë, por dhjetë  pikë larg Skënderbeut kryesues. Durrsakët e kanë fituar tri herë kompeticionin (1995, 2000 dhe 2005), ndërkohë që Laçi ka qenë vetëm një herë gjysmëinalist në sezonin 1997-1998 (si dhe katër herë çerekfinalist). Me ardhjen në bankinë të Gentjan Begesë (pasoi Hasan Likën), Teuta ka rigjetur ekuilibrin e nevojshëm dhe është ndjekësi më i afërt i kampionëve në fuqi. Teuta po bën një sezon mjaft të mirë, kjo nisur dhe nga organika modeste që ajo ka. Edhe largimi i Përparim Daiut dhe Stavri Nicës, duket se ka shërbyer për mirë për Laçin, pasi dora e trajnerit aktual me përvojë Ramadan Shehu ka filluar të ndihet, teksa ka fituar tri nga pesë ndeshjet e fundit. Në turin e mëparshëm, të dyja skuadrat patën kundërshtarë të lehtë: Teuta eliminoi Lushnjën (të impenjuar plotësisht me kampionatin e Kategorisë së Parë), ndërkohë që Laçi nuk e pati aspak të vështirë me Tomorin e vendit të fundit në Kategorinë Superiore. Në takimin e tyre direkt në fazën e parë, Laçi fitoi në shtëpi 1-0 me Teutën, me golin e shkodranit Valdan Nimani.