Kupa e Shqipërisë U-17 dhe U-19, zbulohen çiftet gjysmëfinaliste

111
Sigal

Janë zhvilluar të dielën dhe të hënën ndeshjet çerekfinale të vlefshme për Kupën e Shqipërisë për grupmoshat U-17 dhe U-19. Në këtë fazë u vunë përballë njëra-tjetrës tetë ekipet pjesëmarrëse për çdo grupmoshë, me ndeshjet që u luajtën në Pezë dje dhe sot. Ditën e diel u zhvilluan katër takimet e para, nga dy respektivisht për çdo grupmoshë, ndërsa këtë të hënë u luajtën edhe katër sfidat e tjera që kanë përcaktuar kështu edhe ekipet që kalojnë në gjysmëfinale.

Vllaznia, Teuta, Tirana e Dinamo janë gjysmëfinalistet e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për grupmoshën U-17. Sipas rregullores së re të përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF, të gjitha ndeshjet do të luhen me vetëm një takim. Në këtë fazë, Tirana siguroi një biletë për në gjysmëfinale pasi mundi Partizanin me rezultatin 2-0. Bardheblutë kaluan në avantazh me Patushin në minutën e 28-të, ndërsa Bami vulosi fitoren në pjesën e dytë të takimit. Sipas skemës së përcaktuar, kryeqytetasit do të përballen në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni me Teutën. Durrsakët triumfuan me shifrat 2-0 ndaj Apolonisë, në një ndeshje mjaft të luftuar. Dy golat për Teutën u realizuan nga Kola e Likaj.

Sakaq, çifti tjetër gjysmëfinalist për grupmoshën U-17 është Vllaznia – Dinamo. Shkodranët siguruan një biletë për në fazën tjetër falë dy golave të Arës, duke mposhtur Internacionalin me rezultatin 2-0, ndërsa Dinamo nga ana tjetër triumfoi me shifrat 3-1 kundër Skënderbeut. Për kryeqytetasit realizuan Deda (2) dhe Qerimaj, ndërsa golin e vetëm për korçarët e shënoi Laze.

Kupa e Shqipërisë U-17, ndeshjet çerekfinale

Vllaznia 2–0 Internacional

Teuta 2-0 Apolonia

Tirana 2- 0 Partizani

Dinamo 3-1 Skënderbeu

Gjysmëfinalet

Dinamo – Vllaznia

Tirana – Teuta

Ndërkaq, Partizani, Akademia e Futbollit, Apolonia e Tirana janë ekipet gjysmmëfinaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për moshën U-19. Partizani triumfoi me shifrat 5-0 ndaj Laçit, në një ndeshje që foli për të kuqtë, të cilët gjetën rrugën e rrjetës katër herë në fraksionin e parë të lojës. Januzi hapi serinë e golave për Partizanin, ndërsa shënuan edhe Petritaj, Vidrica (2) dhe Sogani.

Nga ana tjetër, Akademia e Futbollit siguroi gjysmëfinalen pasi triumfoi me tripletë ndaj Skënderbeut. Hoxha kaloi në avantazh kryeqytetasit, ndërsa në fraksionin e dytë realizuan edhe Ducellari e Stafuka. Tirana siguroi një biletë për në fazën tjetër pasi mposhti me rezultatin 3-1 Vllazninë. Tripleta e Ballhysës i dha fitoren kryeqytetasve, ndërsa për shkodranët golin e vetëm e realizoi Hagrepi. Një ndeshje shumë emocionuese dhe e luftuar ishte edhe ajo mes Apolonisë dhe Teutës, që pa në fund fitues fierakët. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Apolonisë, që në gjysmëfinale do të përballet me ekipin e Akademisë së Futbollit.

Kupa e Shqipërisë U-19, ndeshjet çerekfinale:

Partizani 5-0 Laçi

Skënderbeu 0–3 Akademia e Futbollit

Apolonia 2-1 Teuta

Tirana 3-1 Vllaznia

Gjysmëfinalet

Akademia e Futbollit – Apolonia

Partizani – Tirana