Kupa e Shqipërisë/ Rezultatet e dy ndeshjeve të para çerekfinale

244
Sigal

Përfundon në barazim 1-1 Egnatia-Laçi, sfidë e parë e raundit çerekfinal në Kupën e Shqipërisë.

Pjesa e parë ishte e mbushur me raste dhe gola, teksa të parët kaluan miqtë në avantazh.

Julian Shehu ktheu në gol një penallti (17’) të akorduar pas pamjeve në VAR. Vendasit reaguan dhe gjetën golin e barazimit me anë Demir Imerit.

Deliu dhe Lushkja iu afruan golit për Laçin, ndërsa Egnatia pretendoi për një penallti në rastin e Ignjatovic.

Pjesa e dytë ishte tepër e luftuar. Guindo dhe Lushkja kërcënuan portën e Pujës, por pa ia dalë të gjejnë golin e avantazhit për ekipin e Mirel Josës.

Përfundimisht 1-1, teksa skuadra gjysmëfinaliste do të mësohet në takimin e kthimit në Laç më 9 shkurt.

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të vlefshme në transfertë me shifrat 2-1 ndaj Flamurtarit, duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.

Ashtu siç pritej, ishte Vllaznia që diktoi ritmin e ndeshjes, duke parë edhe ndryshimin në cilësi në radhët e dy skuadrave, pavarësisht rotacionit që kishte bërë trajneri Brdariç për këtë duel.

Mustedanagiç ishte autori i dy golave për shkodranët, të cilët më pas lëshuan terren dhe i dhanë mundësinë Flamurtarit të kthehej në lojë me golin e Oliveira, duke rrezikuar në fund edhe të pësonin golin e barazimit.

Por rezultati përfundimtar 2-1 bën që shkodranët të hedhin një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve, të cilat do të përpiqen t’i vulosin në ndeshjen e kthimit pas dy javësh.