Kupa e Republikës, si varkë shpëtimi

436
Sigal

Ilir J. Hoxha

Në qetësinë e këtij mes kampionati edhe objektivat bëhen më objektive. Pompoziteteve të fillim kampionatit ku të gjitha ekipet kishin vetëm një objektiv, atë të fitimit të vendit kampion dhe në kushtet kur nuk gjenim ekip që të bëhej pak “tolerant” dhe të pranonte ndonjë vend tjetër në klasifikim…, tashmë situata është tjetër. Edhe pse nga hera kampionati në gjysmën e dytë e ka treguar “fytyrën” e vërtetë , ky kampionat perceptohet nga analistët si më i forti dhe rivalizuesi. Padyshim këtë rivalitet përpos Partizanit, Kukësit, Teutës e ka “shtuar” edhe dënimi i Skënderbeut. I atij Skënderbeu që jo pak e anatemuam si të favorizuar, të mbështetur, të ndihmuar të atij Skënderbeu që ka kaq vite që me kualitetin e tij evropianë na e “vrau” kampionatin me diferencën kualitative. Duke lënë drejtësinë të merret me “mëkatet” e tij, koha tregoi se ishte ky Skënderbe që shkroi një epokë ndryshe në futbollin tonë. Sot futbolli jonë zbret për herë të parë në këtë vit në një kompeticion po aq të rëndësishëm sa edhe kampionati. Kupa e Republikës ka shansin që t’i formatojë sado pak objektivat po pse jo jep mundësinë që t’ju japi “hakun” atyre që nuk kanë mundur të shprehin kualitetin real. Kupa e Republikës më shumë se trofe moral është trofe financiarë, është investim, është e ardhur, është fitim, është ajo për të cilën luhet edhe futbolli. Nga 22 janari deri në 02 shkurt, 16 skuadra do të zbresin në këtë fazë të 1/16 për të përcaktuar ata që do ta “marshojnë” më tej këtë garë. Shorti është treguar aq sa miqësor aq edhe mizor me çiftet e paracaktuara.

Kështu në një analizë të ftohtë dhe ku “paragjykimi”do të ishte i mbështetur në gjendjen e deritanishme, kryesueset Partizani, Kukësi, Teuta dhe Skënderbeu do të jenë në përballje formale me ekipet respektive Kastrioti, Apolonia, Lushnja dhe Besëlidhja, që më shumë se disniveli e kanë mendjen tek ecuria e kampionatit. Nga ana tjetër kemi një minigrup tjetër që do të jenë në ndeshje “ferri” midis tyre. Laçi i “specializuar” për këtë lloj kompeticioni që lufton në të dy frontet do të jetë në një përballje tejet të fortë me rivalin e kahershëm Bylisin. Ndoshta mund të jetë një nga çiftet më të forta të këtij raundi. Vllaznia e “vogël” por e emrit të madh ka rastin të “bëj” Tiranën e para dy viteve kur ishte në të njëjtën situatë. Është një rast për t’ia shpërblyer tifozerisë shkodrane, kundrejt një Kamze që përtej vëmendjes së Kupës së Republikës, i duhet të bëj kujdes për kampionatin. Luftëtari…, gjirokastritët kanë rastin e artë të vendosin ekuilibrin e brishtë në një situatë që askush nuk po mundet ti japi “dum”. Nesër ata kanë rastin që të hedhin hapin e parë drejt kreut të Kupës edhe pse nuk do ta kenë aq të lehtë sa është në dukje, sepse përballë do kenë një Egnatia të përforcuar me futbollistë të “artilerisë së rëndë” . Atë që nuk do ta besonte kush është Flamurtari, Flamurtari i disa viteve të pompozitetit të madh në nisje, por që po në kaq vite ka dalë “tullumbace e shfryrë” në fund. Edhe në këtë sezon, merkatoja dhe mbështetja financiare e vlonjatëve do të ishte në “normalitetin” e tij duke “i rënë gjoksit”në fillim, por që koha do ta çonte po në atë normalitet të shthurjes të zakonshme deri në shpërbërje. Kontraditat e administratorit me pronarin “Bashki” nuk e kanë lejuar këtë ekip të shprehet edhe kur gjithçka i është shërbyer ekipit. Nga ana tjetër investimet e pakontrolluara të Tiranës kanë rastin ta zbusin sadopak shpërdorimin e një merkatoje që ngaherë ka dalë e gënjeshtërt tek Tirana, tek ajo Tiranë që dikur nuk kënaqej me marrjen e vetëm një trofeu dhe jo më sikur tani. Kjo është Kupa që ju jep mundësinë të gjithëve të korrigjojnë.