Kukësi në udhëkryq, rrezikon shpërbërjen në merkato

527
Teksa Kukësi gjendet në garë për të siguruar kalimin e raundit të dytë në Europa League, emra të futbollistëve të ekipit verilindor janë të lakuar në merkato. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në këto sezone të debutimit të tyre në superiore, që futbollistët e skuadrës së Kukësit të ishin preja e peferuar për kundërshtarët e tyre në kampionat. Të mësuar të ishin ata që afronin lojtarë të rëndësishëm tashmë klubi i drejtuar nga presidenti Safet Gjici po përballet me një realitet të panjohur më parë. Pasi ka lejuar largimin e disa prej titullarëve të sezonit të shkuar, në sfidën e parë ndaj Mladost në Qemal Stafa, verilindorët kanë parë që në formacionin titullar të gjendeshin vetëm 4 futbollsitë shqiptarë. Tashmë edhe për ta ka nisur tenderi, teksa kapiteni Rahman Hallaci kërkohet nga Partizani që gjithashtu kërkon të hyjë në garë me Flamurtarin edhe për qendërmbrojtësin Renato Malota. Ndërkohë Tirana pret rikthimin nga huazimi të mbrojtësit Gentian Muca që në ndeshjet europiane ka qënë titullar i padiskutueshëm. Prej kohësh presidenti Safet Gjici shpreson që komiteti ekzekutiv në FSHF të lejojë shtimin e të huajve në fushë, por as kjo situatë nuk duket të shpëtojë verilindorët. Largimet e Halilajt, Smajlit, Dushkut, Zeqirit, Hoxhës dhe Lushtakut kanë ulur ndjeshëm numrin e futbollistëve vendas, duke bërë që Kukësi europian të bazohet më së shumti tek kolonia braziliane që të enjten ndaj Mladost la shumë për të dëshiruar. Tashmë mbetet për tu parë se cili do të jetë reagimi i drejtuesve me presidentin Safet Gjici në krye, pasi nuk mund të lejojnë të tjera firo nga ekipi, por madje duhet të hyjnë në garë për të afruar lojtarë cilësorë me pasaportë shqiptare që për momentin janë të paktë në qarkullim.
Sigal