Sigal

Kukësi vazhdon ecurinë pozitive, duke siguruar një tjetër fitore, në takimin e javës së dhjetë, përballë Laçit me rezultatin 1-0. Kuksianët u mjaftuan me një gol të Uilliam në minutën e 59’ për të marrë 3 pikë që e ngjisim ekipin e Armando Cungut në vendin e tretë në renditje. Takimi ishte i ekuilibruar dhe ritmi ishte i kënaqshëm. Të dy skuadrat u treguan agresive dhe me shpirt të lartë gare.

Pjesa e parë mes të dy skuadrave ka qenë më e vakët. 45-minutat e para kanë qenë shumë të luftuara në mesin e fushës me lojtarët e të dy kampeve që janë munduar të shohin drejt portave respektive. Verilindorët ishin disi më superior në mbajtjen e topit, por kurbinasit ishin më të rrezikshëm.

Pjesa e dytë ndryshoi dhe ritmin e lojës. Kukësi mori në zotërim fushën e lojës dhe u mundua të shihte më shumë drejt portës së Laçit. Verilindorët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 59′. Chafik vertikalizon mjaft bukur nga mesi i fushës për Uilliam. Top fantastik nga mesfushori francez që shtang mbrojtjen e kurbinasve me sferën e futur pas shpinës së tyre. Kontroll mjaft i mirë i topit nga lojtari brazilian që i vetëm përballë Selmanit nuk gabon. Minutat e mbetura kthehen në një “luftë” të vërtetë, pasi kurbinasit u munduan të barazojnë, ndërsa verilindorët të gjenin golin e qetësisë. Minutat e mbetura u karakterizuan me duele të forta në fushë, megjithatë rezultati mbeti i pa ndryshuar, deri në fundin e takimit.

Kukësi me këtë fitore shkon në kuotën e 19 pikëve dhe “blindon” vendin e tretë duke iu shkëputur Laçit. Kurbinasit marrin humbjen e dytë radhazi dhe mbeten në vendin e 4-t, 1 pikë më shumë se Flamurtari dhe Teuta.