Kukësi mposht Bylisin, Teuta fut në krizë Vllazninë

309
Sigal

Fitore e vuajtur dhe me polemika e Kukësit ndaj Bylisit në “Elbasan Arena”, ku fituesi u përcaktua pas një 11-metërshi të dhënë në gjyqtari Andi Koçi në fund të pjesës së parë. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi e pa veten në vështirësi në minutat e fundit, ku mund të ishte ndëshkuar me një gol që do t’i hiqte dy pikë. Në fakt, Kukësi dominoi në lojë dhe me raste gjatë pjesë së parë, por epërsinë e mori pas një penalltie “të vjedhur” në njëfarë mënyre nga Gavazaj, pas dyluftimit me Qardakun. Koçi pa parregullsi në ndërhyrjen e futbollistit të Bylisit, duke shkaktuar irritimin ballshiotëve. Gjithsesi, kryesori Koçi këmbënguli në vendimin tij dhe nga pika e bardhë u tregua i saktë Shkurtaj. Dha gjithçka Bylisi në pjesën e dytë, madje pati një rast të pastër me Sallakun, por u shfaq vendimtar në ndërhyrje portieri Xhika. Në minutat e fundit Bylisi e mbylli në portë kundërshtarin, por nuk pati qartësinë apo cilësinë për t’i përmbyllur me goditje në portë aksionet. Tjetër zhgënjim për Vllazninë, që brenda pak ditësh mori humbjen e dytë përballë Teutës (0-3). Këtë herë shkodranët u mposhtën 0-3 në “Loro Boriçi” e duhet të shtrëngojnë rripat në ndeshjet e mbetura të sezonit për të shmangur play out-in. Golin e parë për durrsakët e realizoi Kallaku, me 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të Krymit ndaj Hebajt thuajse mbi vijën e 16 metrave. Rast për moviolë, por kryesori ishte i bindur në vendimin e tij. Vllaznia e rriti presionin në fushën kundërshtare në pjesën e dytë, por mori një tjetër goditje të rëndë në minutën e 83-të, kur Emiliano Vila i çoi shifrat 0-2, ndërsa dy minuta më vonë Aleksi shndërroi në gol penalltinë e dytë të fituar nga Teuta në këtë ndeshje. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini me këtë fitore ngjiten në vendin e tretë, me 50 pikë.