Kukësi i “detyruar” të fitojë, pengesa e sotme e ka emrin Teuta

554
Sigal

Superliga pas çdo jave po futet në një fazë edhe më interesante, ku sigurisht enigmat kryesore janë për vendet e kreut, dhe pikërisht sot Kukësi, një nga skuadrat që pretendon ta mbyllë këtë sezon në zonën më të lartë të renditjes, shkon në Durrës në një ndeshje tjetër të vështirë ndaj Teutës. Kukësi vjen direkt pas një barazimi që e “gjunjëzoj” tek renditja duke humbur jo pak ndaj kundërshtareve, sidomos ndaj Skënderbeut që tanimë ndodhet në vendin e dytë, direkt pas Partizanit. Aktualisht skuadra verilindore ka plot 29 pikë, po aq sa edhe Tirana, duke ndarë pozicionet 3 dhe 4 në mes tyre. Ashtu si Kukësi, edhe Teuta vjen pas një rezultati negativ, ku u mund nga Skënderbeu 3-2, në një ndeshje shumë të bukur por që në fund të fundit i pa bregdetarët që të hiqnin dorë nga 3 pikët. Ndeshja e sotme është një provë për të dyja, pasi janë si Teuta ashtu edhe Kukësi në kërkim të fitores, fitore që të besuarit e Shaqirit i lë përsëri në luftën për kreun ndërsa për djemtë e “detit” kërkohet që të hidhet një hap larg fundit të renditjes, diçka që po bëhet shumë reale këto ndeshjet e fundit me rezultatet që ka arritur skuadra durrsake duke ngelur edhe me vetëm 13 pikë, 4 më shumë sesa Apolonia. Dihet që skuadra që më shumë kuotohet si fituese është Kukësi, por duke marrë parasysh rezultatin me Apoloninë, ku barazoi 0-0, edhe Teuta nuk përjashtohet si mundësi që mund të jetë një skuadër që mund ti bëjë një surprizë negative, për më tepër që luan edhe në shtëpinë e vet. Duke qenë se janë dy skuadrat që hapin këtë javë, ju duhet të presin edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera për të parë vendosjen reale të tyre në tabelë. Takimet e tjera këtë javë janë po aq interesante, ku nesër nuk do të mungojë edhe kryendeshja mes Tiranës dhe Skënderbeut, ku kryeqytetasit pas humbjes me Partizanin, ju duhet një reagim i menjëhershëm e duket se mundësia vjen ndaj Skënderbeut, por sigurisht që vetëm një fitore do të kishte vlerë në këtë rast, duke qenë se korçarët janë një pikë para në renditje. Sigurisht që Skënderbeu vjen në Tiranë vetëm për tre pikët, e sidomos pas fitores që arriti ndaj Teutës dhe ngjitjes në renditje, është ku e ku më e motivuar sesa Tirana për sa i përket kësaj ndeshjeje. Ndërkohë që po nesër merr përsëri stafetën Vllaznia, me synimin për të arritur fitoren e katërt rresht e kësaj here, përballë do të ketë skuadrën e Laçit, ekipi që në fazën e parë e mundi 3-0, humbje që i solli edhe fillesat e shumë humbjeve të tjera rresht. Shkodranët janë të karikuar pasi luajnë në shtëpinë e tyre, e për më tepër në stadiumin me tifozë që pritet të jenë të shumtë pas asaj fitoreje që arritën në Elbasan 4-1. Pavarësisht të gjitha argumenteve “pro” fitores së shkodranëve, Laçi ka treguar se di të jetë një skuadër që në çdo ndeshje synon rezultatin maksimal dhe në shumicën e ndeshjeve këtë gjë e ka arritur, si ndaj Vllaznisë, Tiranës apo edhe Flamurtarit. Edhe ky takim futet në atë grupin që është shumë e vështirë të përcaktohet fituesi duke qenë se janë skuadra që ruajnë të njëjtin nivel loje. Ndërkohë që ndeshjet përmbyllëse të ditës së nesërme janë në mes Apolonisë dhe Elbasanit, dy ekipe që po “notojnë” në ujërat e turbullta të fundit të kampionatit, me fierakët që kanë vetëm tre pikë më shumë se verdheblutë që ndodhen në vendin e fundit me 6 pikë, e pikërisht tre pikët e para i kanë marrë ndaj Apolonisë në fazën e parë. Edhe këtu takimi duket i ekuilibruar ku secila prej skuadrave ka mundësinë që të fitojë, por gjithsesi më në avantazh shihen fierakët që edhe luajnë në fushën e tyre dhe vijnë direkt pas një barazimi me Kukësin, ndërkohë që kundërshtarët u turpëruan nga Vllaznia në “Elbasan Arena”. Ndeshja e fundit e javës së 16-ë luhet mes Flamurtarit dhe Partizanit, në një provë shumë të vështirë të dyja, por që gjithsesi kryesuesit do të luajnë shumë më qetë sesa vlonjatët, pasi këta të fundit vuajnë presionin e mungesës së rezultateve pozitive pasi vijnë pas një barazimi në Laç. Ndeshja e sotme do të luhet në ora 13:00, po ashtu edhe si Vllaznia-Laçi dhe Tirana-Skënderbeu, ndërkohë që Apolonia-Elbasani dhe Flamurtari-Partizani luhen në ora 16:00.

  Skuadra ND F B H P
1 Partizani 15 10 3 2 33
2 Skënderbeu 15 9 3 3 30
3 Tirana 15 8 5 2 29
4 Kukësi 15 9 2 4 29
5 Laçi 15 5 6 4 21
6 Flamurtari 15 4 7 4 19
7 Vllaznia 15 6 2 7 17
8 Teuta 15 4 1 10 13
9 Apolonia 15 2 3 10 9
10 Elbasani 15 2 0 13 6

 Shpëtim Duro: Ta harrojmë derbin, para është Flamurtari

Trajnerit të Partizanit, Duro, nuk i intereson e shkuara, edhe nëse është një ngjarje që ka ndodhur vetëm disa ditë më parë, siç ishte takimi dhe fitorja ndaj Tiranës për kampionat. Ai në konferencën e radhës për shtyp, u shpreh se euforia nuk duhet të bëhet pjesë e skuadrës së tij, pasi duhet të harrojnë Tiranën, përderisa përpara i pret Flamurtari: “Euforia nuk duhet të ekzistojë në ekip, por sigurisht që është e pa shmangshme pasi vijmë pas një fitoreje të mrekullueshme ndaj një rivali historik. Për ne ishte thjesht një ndeshje e radhës ku synimi ynë ishte të merrnim maksimumin edhe pse “derbi” i ka të tre rezultatet. Transferta në Vlorë është e vështirë pasi Flamurtari është një skuadër e fortë me lojtarë shumë cilësor dhe kjo ndeshje do impenjim maksimal pasi një fitore na shkëput në krye. Është herët për të folur për formacionin kundër Flamurtarit por skuadra është e plotë, nuk kemi pezullime apo të lënduar. Unë i vlerësoj kundërshtarët dhe në të gjitha ndeshjet duhen përqendrim dhe impenjim pa nënvlerësuar asnjë ekip. Forca e grupit e bën lojën dhe sjell rezultatet. Po e them me plot gojë që në skuadër kemi lojtarë që mund të konfirmohen “yje” ku cilësitë e tyre shkrihen me grupin duke dhënë kontributin e gjithsecilit në skuadër. Vetëm me një futboll të organizuar mund të marrim maksimumin duke arritur fitoret”.

Liga e Kampioneve dhe çiftet e mundshme në shortin e të hënës

 Ndryshe sa ishim mësuar vitet e mëparshme, këtë vit shorti i Ligës së Kampioneve do të hidhet të hënën pasardhëse të ndeshjeve të fundit të grupeve. Në fakt, ashtu si gjithmonë ishte menduar se shorti do hidhej ditën e sotme, edhe pas mbarimit të ndeshjeve kualifikuese të Europa Ligës natën e shkuar. Kështu që deri të hënën, mbetet të bëhen vetëm supozime mbi tetë çiftet e mundshme që do përbëjnë fazën e 1/8-ave. Ashtu si dihet, nuk mund të shortohen bashkë skuadrat e të njëjtit shtet dhe as skuadrat që kanë qenë në të njëjtin grup, ndërkohë që skuadrat ndahen në dy vazo, vazoja A që janë skuadrat e kualifikuara si të parat e grupit dhe vazoja B, skuadrat që u kualifikuan të dytat. Në bazë të rregullave, secila nga skuadrat e vazos A përjashton disa nga skuadrat e vazos B, e në këtë rast janë dy skuadrat gjermane të Dortmund dhe Bajern që automatikisht ju përjashtohen nga tre skuadra, dy gjermanet (Shalke. Leverkusen) dhe skuadra me të cilën ishin në grup, ndërkohë që skuadrat e tjera përjashtojnë nga 1 (kur nuk kanë asnjë skuadër vendase në vazon 2) ose nga dy maksimumi. Kjo ndodh pas skuadrat gjermane janë të vetmet që janë kualifikuar të katërta, ndërkohë spanjolle janë kualifikuar vetëm tri, angleze tre, italiane një, franceze dy, një ukrainase, një zvicerane, një portugeze.

Vazo A

Real Madrid

Monako

Bajern Mynih

Atletiko Madrid

Barcelona

Porto

Çelsi

Dortmund

Vazo B

Shalke

Bajer Leverkusen

Arsenal

Mançester Siti

Shaktar

Juventus

PSG

Bazel

Shkëlzen Gashi në 11-shen më të mirë të javës në Ligen e Kampioneve

 Kualifikimi i arritur nga skuadra e Bazelit në fazën e 1/8-ave ka sigurisht në brendësi edhe ndihmesën e futbollistëve shqiptar që aktivizohen për këtë skuadër, Gashi, Ajeti dhe Xhaka. Por është vetëm Gashi njëri nga këta të tre që i ka bërë vetes vendin në 11-ë më të mirët e javës në këtë turne klubesh. Performanca që dha Gashi në barazimin ndaj Liverpulit, barazim që ju dha edhe kualifikimin, bëri që ky futbollist të vlerësohej si një nga më të mirët e javës që lamë pas. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka treguar një formë shumë të mirë me skuadrën e tij, po ashtu si edhe Xhaka që kanë qenë shumë më shumë të aktivizuar sesa Ajeti. Të hënën, Bazeli, ashtu si edhe skuadrat e tjera, pret kundërshtarët e radhës, që sigurisht do të jetë skuadër shumë e fortë.