“Kuarteti” i Besës në vitet ‘70-të, sa futbollistë klasi!

2072
Nga Fatmir EFICA
SPECIALE/ Në vite, futbolli kavajas ka mahnitur me performancën e “yjeve” të tij, kështu edhe Agim Dizdari, Nimet Merhori, Zenel Kashami e Besnik Dyla
Nostalgjia menjanë. Duhet thënë me krenari absolutisht të vlerësueshme se, ndër emrat e mëdhenj të futbollit kavajas ndër breza, katër protagonistë që i bashkon fotoja ilustruese e kësaj specialeje eskluzive nga gazeta “Telegraf”, vërtet kanë lënë gjurmë. Agim Dizdari, Nimet Merhori e Zenel Kashami, kanë qenë sulmues, sepse vite më parë luhej deri më katër lojtarë të tillë në vijën e parme për të dhuruar e ofruar spektakël nëpër çdo ndeshje, dhe Besnik Dyla një qendërmbrojtës më “staturë të celiktë”. Ca më tepër me dhuntinë për “të shpikur” gjithçka efikaser në repartin e prapavijës, ku luante e dhuronte aq shumë emocione. Të katër këto “Yje” të viteve 1970-të, ishin futbollistë klasi. Karriera e tyre e gjatë kishte në “gen” atë gjë të shenjtë që një qytet si Kavaja e pati shndrruar në element madhor të krenarisë së vet. Dashurinë e pasionin e jashtëzakonshëm për futbollin. Tani mosha, thinjat, vendi ku jetojnë janë të ndryshëm për këtë “kuartet”. Por takimi i këtyre ditëve në “folenë” e dashur, qytetin e vendlindjes Kavajë, për dy nga sulmuesit që jetojnë, Agim Dizdari në Itali dhe Nimet Merhori në Belgjikë, sikurse dhe Kashami ka jetuar në mbi dy dekata në shtetin apenin, ka brenda mallin, vitet e rinisë, kujtesën sportive fantastike të ndërthurur me dhjetra e qindra ngjarje të paharruara, të cilat janë “salduar” në kujtesën e popullit sportdashës të Kavajës, dhe të të gjithë Shqipërisë…

AGIM DIZDARI (SULMUES): Ka qenë elegant sa nuk gjeje tjetër të tillë. Me një finesë të “lindur” për mënyrën se si shënonte golat, ndihmonte fort skuadrën . Ai krijoi te Besa e Partizani (ku përmblidhet karriera e tij mbi 13 vjeçare) një profil sulmuesi që inspironte pa fund. “Kujdes Dozdarin”, ishte porosia e çdo traineri kundërshtar kur luaninin përballë Besës. Në fushë mos ju duket se ai s’po lëviz, Dizdari din vetëm të shënojë. Dhe këtë e bën edhe me të parën mundësi që mund ti paraqitet. Edhe atëhere kur me një “çyçë” të thjeshtë i ndrronte drejtimin topit për ta shtyrë në rrjetë, edhe kur ngrihej shumë mbi “gjatoshët” që e markonin rreptë, dhe shënonte e sillte në ish-fushën e vjetër të Kavajës, atë tundje të zemrave dhe emocioneve të forta të publikut që afër atij “gardhi” modest rrethues shpërthente nga gëzimi për golat, lojën fitoret, që kënaqej e duartrokiste pa rreshtur. Pak kohë më parë e kemi takuar në Portogruaro te Venecias, dhe ka dituar që një furtbollisti të ri të Besës së sotme, mesfushorit organizator Andi Efica, ti bëjë një respekt masimal, me asistencë këshillash aq të çmuara. Por edhe me mikpritjen e bujarinë e një kavajasi që ndonëse në vend të huaj, nuk pyeti, por në San Dona Di Piave ku jeton në çerekshekullin e fundit, të shtrojë “sofrën” e bujarisë. Ndodhet me pushime në vendlindje, ndërsa po shkon drejt të ‘80-ve. Të gjithë thonë se është po ai, Agim i freskët, me një trup të derdhur, me kryemotiv të bisedave edhe në këto pushime furtbollin, karrierën, ngjarje e përjetimet nga më të paharruarat. “Kavaja e meriton”, pohoi Dizdari, “që të jetë e gdhendur në kujtesën e e të gjithë brezave”.

NIMET MERHORI (SULMUES): Djali i një familje të madhe sportive. Babai, Alush Merhori, s’ka patur aspak nevojë t’ja kultivonte atë mjeshtri të jashtëzakonshme atij që e quajtën “çapkën”. Nimet Merhori kishte karakteristikë specifike “fluturimin” në fushë për shpejtësinë e aksioneve e sulmeve që kryente, duke mos i lënë asnjëherë në mes, por mbyllur me gola, shtylla, penallti të fituara e të ekzektuara po aq mjeshtërisht. Një “peng” për 11-mertërshat. Finalja e kupës së Shqipërisë në vitin 1972 në Shkodër. Përballë Ramazan Rragamit, Nimeti nuk shënoi 5, por vetëm 3 gola në serialin e penalltive. Besa humbi Kupën, por kishte marë me vete admirimin e të gjithëve në Kavajë, e jo vetëm. Saktësisht, Nimeti kishte një teknikë brilante, manovrime të stilit “Messi” (siç i njohim sot), punonte shumë për ekipin. Nuk ia përtonte të shënonte edhe vetë. Te Besa dhe në Lushnje (këtu kreu ushtrinë), Nimet Merhori mbetet një “usta”, që ndonëse shtashkurtër, punonte si një “motor”, vepronte me intiligjencë imponuese duke triumfuar ndaj mbrojtjeve kundërshtare, falë klasit të lartë të “llastimit” të topit. Ai u bë falë këmbënguljes në stërvitje, një muskuloz me “këmbë betoni” që ka shkëlqyer me Besën edhe në Kupën Ballkanike (më 1971), dhe Kupën e Kupave të Europës (më 1972). Gjatë 25 viteve të fundit, ai ka jetuar në Itali, e së fundmi në Belgjikë. Gëzon respektin e jashtëzakonshëm të të gjithë qytetarëve futballdëshës të Kavajës, jo vetëm si futbollist, por edhe si mësues i Edukimit fizik në shkollat e qytetit, dhe për gati 10 vite edhe si shef i KF “Besa”. Nimet Merhori ka dhënë gjithçka për futbollin kavajas.

ZENEL KASHAMI (SULMUES): Sulmuesi i djathtë i Besës mund të pohohet se është shpikësi i “kodit” të Nr.7, të cilin nuk e ndërroi asnjëherë në karirën e tij. Fillimisht te Erzeni i Shijakut, talenti i Kashamit do të spikaste deri sa erdhi në Kavajë për tu bërë pjesë e Besës, ku konsoldoi e përsosi fuqishëm talentin e tij. Futbollist punëtor, fjalë pak, me një korrektesë të përsosur në fushë e jashtë saj. Në Kupën Ballkanike, finalen e saj më 1971 ndaj Panioniosit në Athinë, Kashami shpreh emocionet duke nënvizuar faktin se, për paraqitjen e mirë të Besës, shtypi grek kishte shkruar: “…Kjo skuadër paska 11 Ambasadorë…”. Kashami ishte “i lindur” për harkimet e topave, depërtimet e shpejta ngjitur me vijën anësore, bashkëpunimin që kishte më lojtarët e tjerë të mëdhënj të Besës së viteve ‘70-të. “E gjithë loja e Besës kishte një “kod” të pashkruar”, tregon Kashami. Traineri Muhamed Vila ia njihte të gjithëve cilësitë, prandaj dhe kjo foto e Besës në finalen e Kupës në vitin 1972, me lojtarë si: Azem Mullaliu, Shyqyri Qerolli, Vullnet Dedej, Besnik Dyla, Haki Arkaxhiu, Zenel Kashami, Naium Hushi (rreshti lart), dhe poshtë Dhimitër Mili, Bujar Pagria, Muharrem Karriqi, Xhemil Bishtaja (Bajaziti) e Nimet Merhori, personifikon vërtetë një brez që ka lartësuar traditat e mrekullueshme të Besës së Kavajës. 

BESNIK DYLA (QENDËRMBROJTËS): Në faqen 20 të “Telegraf” e datës 13 prill 2017, titulli “Besnik Dyla, komandant i papërsëritshëm i mbrojtjes së Besës”, duket sikur i thotë të gjitha mbi nivelin e mjeshtrinë e këtij futbollisti. Takimet me shokët e dikurshëm të ekipit, tani përjetohen ndryshe, me shumë mall. Besnik Dyla njihet te Besa dhe jo vetëm si shpikësi i lojës së pozicionit jashtë loje, por edhe se ka dalë përtej karrierës së të luajtur, edhe prej pozicioneve të tjera që ushtroi pas “varjes në gozhdë” të këpucëve. Ka qenë për më tepër se një dekadë arbitër, dhe po kaq edhe si trainer me grupmoshat e reja në Kavajë. Nuk përtoi e as u lodh kurrë ndonjëherë të përgatisë talente e rinj kavajas, më shumë pa para, ose me një pagë tejet simbolike. Punoi në çdo aspekt me përkushtim të pashoq, ndershmëri të lartë e një profesionalizëm për t’u admiruar. Në çdo kohë e rrethanë, Besniku, siç ka dhe emrin, ka qenë e mbeti kurdoherë “besnik” për të dëshmuar kulturë e qytetari, për të vlejtur edhe tani në një realitet krejt tjetër, si një …model mjaft pozitiv. Për meritat që ka, duke e futur në rreshtin “yjeve”, Besniku tregohet modest. Pak rëndësi kanë cmimet e titujt. Vitet e dikurshme vërtetë nuk kthehen më. Por ato kanë mbajtur të gjalla e të freskëta mardheniet miqësore e shoqërore mes të gjithë futbollistëve e sportdashësve, lartësuar madje në kufijtë e të paimagjinueshmes, përsa i takonin respektit të ndërsjelltë. Për këto dhe shumë arsye të tjera, Besa e Kavajës ka qenë e do të mbetet një skuadër “simbol”.
Kashami dallonte për përgatitjen e lartë fizike, Dizdari qenë elegant sa nuk gjeje tjetër të tillë, ndërsa Merhori kishte karakteristikë specifike “fluturimin” në fushë për shpejtësinë e aksioneve e sulmeve që kryente, duke mos i lënë asnjëherë në mes. Besnik Dyla, ka qenë komandant i papërsëritshëm i mbrojtjes së Besës
Sigal