Kthehet Superiorja në ndjekje të Partizanit

433
Sigal

Kategoria Superiore kthehet sot pas pauzës për kombëtaret, duke kaluar përsëri në plan të parë futbollin vendas.

Të gjithë në ndjekje të Partizanit kampion dhe kryesues që sot, pasi në fushë zbresin disa prej ekipeve që synojnë t’i rrëmbejnë kreun të kuqve.

Dueli më interesant i ditës është padyshim në Elbasan, ku Kukësi pretendent pret surprizën e sezonit, Bylisin, i cili deri tani ka bërë gjithçka në mënyrë thuajse perfekte dhe e sheh veten në grupin e skuadrave që luftojnë për titull.

Dueli i parë mes dy skuadrave foli për ballshiotët e kjo për ekipin e Duros mund të jetë mundësia e hakmarrjes, sidomos pasi ka rikuperuar emrat e rëndësishëm nga dëmtimet.
Edhe Tirana kërkon revansh, për të ngjitur përsëri shkallët e klasifikimit pas paraqitjeve jo edhe aq bindëse në dy ndeshjet e fundit. Por transferta e Korçës ka qenë gjithmonë e vështirë për kryeqytetasit, ndonëse këtë radhë nuk kanë përballë Skënderbeun e zakonshëm, por me shumë mungesa të rëndësishme.

Ndërkaq, një sfidë shumë e rëndësishme sot është ajo që zhvillohet në Vlorë, ku Flamurtari pret Luftëtarin, dy skuadrat mbyllin tabelën e klasifikimit dhe kush gabon sot, humbet thuajse çdo mundësi për të kapur përsëri grupin e ekipeve që ka përpara në renditje.

NDESHJET

Flamurtari-Luftëtari 13:30
Kukësi-Bylis 13:30
Skënderbeu-Tirana 16:30.