Kryesimi duket shumë pragmatist, skuadrat mundohen vetëm për pikët

520
Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, ish-futbollisti i Lushnjës, Partizanit dhe i Kombëtares, në fokus java e 21-të të Superiores Artan Bano
Ta nisim bisedën nga aktualiteti juaj apo nga e kaluara si ish-futbollist?
Ju keni mendimin tuaj, dhe unë nuk mund tu sugjeroj dot asgjë. Ajo që më takon mua t’u them si fillim, është një falënderim për këtë intervistë. E ndjek me interes shtypin ditor në Shqipëri, dhe me atë çka pasqyrohet në gazetën “Telegraf” për sportin, ndjehem dyfish i gatshëm të bisedojmë.
Aktualisht, jeni trajner te skuadra e Lushnjes, e cila kryeson grupin në Kategorinë e Parë, e mendoni të sigurt hyrjen në Kategorinë Superiore?
Absolutisht jo, sepse kështu nuk do ti shërbenim synimit tonë, që është Kategoria Superiore. Sepse janë edhe 12 ndeshje për tu luajtur, të cilat kanë në lojë 36 pikë për të gjitha skuadrat. Në Grupin B ku ne kryesojmë me 34 pikë, të gjitha skuadrat janë të forta e të vështira, sidomos në fushat e tyre, e për ne nuk ka skuadra të dobëta që të “lajthitnim” për ta quajtur të sigurt hyrjen në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm.
Kësisoj, sa skuadra rivale keni në këtë grup, në realizimin e synimit tuaj?
Nëse do të ndanim rivalitetin nga realiteti, unë mendoj se janë dy gjëra ndryshe. Rivaliteti natyrisht që mbetet më i ngushtë, por për momentin është Bylisi skuadra e cila kërkon më shumë se të tjerat që të hyjë në Kategorinë Superiore. Vlerësimi është edhe për Apoloninë, Tomorin apo edhe Shkumbinin, të tria skuadra me histori në Kategorinë Superiore.
Skuadra lushnjare financohet nga Bashki e qytetit, nëse kaloni në Superiore, do të jenë të sigurta financat, të cilat rriten në këtë kategori?
Ne kemi fatin që në bashki drejtojnë njerëz seriozë dhe fjalëmbajtur. Por, gjatë gjithë kësaj kohe jemi në pritje të një presidenti, donator apo sponsorizuesi sezonal e më gjerë. Aktualisht kemi një grup shumë të mirë, të cilin do ta kemi bazë për sezonin tjetër, por gjithsesi, të presim edhe pak kohë kur edhe pozicioni ynë të përforcohet më shumë në kreun e grupit B.
Po si një ish-futbollist e trajner në Kategorinë Superiore, sa e keni ndjekur ritmikën e ndeshjeve për këtë sezon?
Të ndjekësh ndeshjet në çdo kategori të futbollit, është një detyrim profesional për një trajner. Edhe unë këtë mendoj se e kam bërë, jo vetëm me Kategorinë Superiore, por edhe në kategori të tjera më të ulëta, aty ku kërkojmë edhe elementin e së ardhmes në skuadrën tonë.
Çfarë këndvështrimi keni për ndeshjet që janë luajtur gjatë këtij sezoni?
Ky është një kampionat shumë i vështirë dhe në të gjitha javët e luajtura thuajse i kemi parë të gjitha: lojën e mirë dhe lojën e dobët, lojtarë cilësorë dhe lojtarë të dobët, arbitra të mirë dhe arbitra të dobët, e gjithçka që bëhet si element në ecurinë e lojës së futbollit në këtë kategori.
Diçka më konkrete për dukuritë që ju keni veçuar në këto javë të luajtura?
Kreu është shumë pragmatist, pasi skuadrat mundohen vetëm për të marrë pikët, sesa të zhvillojë lojën e bukur. Por, në të gjitha këto javë do të veçoja një ekip shumë simpatik, Luftëtarin, i cili po e mban traditën historike për lojën e bukur e korrekte që bën me çdo skuadër.
Në dy javët e para të fazës së tretë janë luajtur 10 ndeshje ku janë shënuar 14 gola, është tregues pozitiv ky?
Një ndeshje nuk mund të quhet e mirë, apo edhe një javë nuk mund të quhet e tillë, nëse ka shumë gola. Sidomos në këtë periudhë, ku skuadrat kanë ardhur pas përgatitjeve që kanë bërë gjatë fazës përgatitore dimërore e mirë dhe nuk janë kolauduar. Kështu që në këtë periudhë, më shumë vlerë kanë pikët se sa loja dhe golat.
Nga kreun në fundin e renditjes, si do ti përshkruani të dhjetë skuadrat në këto 20 javë?
Shumë të forta të gjitha. Unë e përmenda më sipër, se ky është një kampionat shumë i vështirë, dhe në të gjitha javët e luajtura skuadrat kanë treguar rritje, por edhe luhatje. Gjithsesi, edhe Korabi i vendit të fundit që thuajse ka rënë një kategori më poshtë, mbetet një skuadër e vështirë. Në gjykimin tim si trajner, ekipi nuk matet me pikët dhe me renditjen në tabelë, e kësisoj, deri në fund do të jetë një garë e fortë në 16 javët e mbetura.
Kanë pasur ndikim elementët që skuadrat kanë afruar gjatë merkatos dimërore të muajit janar?
Mendoj se është shpejt, pasi lojtarëve të ardhur rishtazi u duhet të paktën një periudhë dy-mujore që të përshtaten me skuadrat respektive. Prandaj kjo merkato në këtë periudhë kërkon shumë kujdes në përzgjedhjen e elementëve, pasi ndikon negativisht në ecurinë e skuadrës.
Po arbitrat me gjykimet e tyre, kanë pasur rol përcaktues në ndeshje të Kategorisë Superiore në këtë sezon?
Është problem gjithmonë me gjykimet, pasi edhe në këtë sezon të Superiores, disa arbitra kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultate me gjykimet e tyre. Por, në gjykimin tim, këto kanë qenë gabime njerëzore, pasi siç gabon futbollisti apo edhe trajneri, ashtu gabon edhe arbitri. Rëndësi ka për tu thënë se nga sezoni në sezon po shohim një brez arbitrash të rinj me shumë perspektivë, e këta FSHF-ja duhet që ti aktivizojë më shumë në ndeshjet e Superiores, për ti inkurajuar.
Gjatë muajit janar 2017, ka pasur një debat virtual mes tifozerive në kryeqytet, si ish-futbollist i Partizanit, çfarë këndvështrimi keni?
Mua më duket si një çudi fakti që nuk pranohet Partizani të luajë ndeshjet e tij në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të dyja këto skuadra (Tirana dhe Partizani) janë ekipe të një qyteti, dhe për më shumë, pranimi i Partizanit për ndeshje në këtë stadium, do të rritë edhe më shumë të ardhurat financiare te Tirana. Ne nuk jemi 25 vite më parë!
Nëse do t’u kërkoja një skedinë përfundimtare, cilën skuadër mendoni se do të dalë Kampione në Kategorinë Superiore 2016-2017, dhe cilën mendoni se do të zbresë në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm?
Nuk jam shumë i saktë për skedina, por si trajner mendoj se do të ketë konkurrencë treshe, si në krye, ashtu edhe në fundin e renditjes. Për titullin Kampion veçoj treshen Kukësi-Partizani-Skënderbeu, ndërkohë që pas Korabit, mendoj se vendi i 9-të do të diskutohet nga një treshe tjetër skuadrash: Laçi-Vllaznia-Teuta.
Somario 1
Në të gjitha këto javë, do të veçoja një ekip shumë simpatik, Luftëtarin, i cili po e mban traditën historike për lojën e bukur e korrekte që bën me çdo skuadër. Por, nga sa e kam ndjekur ritmikën e këtij Kampionati, kreu është shumë pragmatist, pasi skuadrat po mundohen vetëm për të marrë pikët, sesa të zhvillojnë lojën e bukur
KOMBËTARJA ME DRITËHIJE NË RËNIE
Për skuadrën Kombëtare, me të cilën Artan Bano ka luajtur 7 ndeshje në periudhën 1993-1997, nuk ka vijueshmëri pozitive. Madje ai thekson se ka disa arsye që është kjo ecuri jo e mirë në ndeshjet eliminatore për Botërorin 2018. “Kombëtarja jonë e futbollit shënoi kulmin e historisë së futbollit tonë Me pjesëmarrjen në ndeshjet finale të Kampionatit Evropian “Euro 2016”, por kjo nuk mjafton për tu ndalur e për të qenë në këtë situatë sikundër jemi sot në Grupin G eliminator. Kryesisht humbja me Izraelin, na zbritën nga Evropiani me këmbë në tokë. Duhet të jemi realistë në Grupin G eliminator, sepse kemi dy nga skuadrat më të mëdha në Botë, Spanjën dhe Italinë”, theksoi fillimisht Artan Bano në deklarimin e tij për Kombëtaren dje dhe sot, i cili vlerëson në këtë rënie edhe mos aktivizimet e lojtarëve në skuadrat e tyre, apo edhe largimin nga Kombëtarja e Lorik Canës. “Në këto katër ndeshje eliminatore të Botërorit, me çka kemi parë, nuk është ai ekip që luajti në Evropian. Mendoj se ka ndikuar shumë largimi i Canës, i cili ka lënë një boshllëk në mbrojtje, por edhe në motivimin e skuadrës si kapiten. Thuajse në të gjitha situatat vendimtare në lojë, futbollistët duken sikur luajnë në hesap të vet, dhe kjo ndodh më shumë për faktin se disa prej tyre ose nuk aktivizohen fare, ose luajnë shumë pak në skuadrat e tyre. Prandaj edhe cilësia e lojës ka rënë, e për më shumë, rezultatet kanë qenë negative, duke veçuar më shumë ndeshjen me Izraelin që e luajtëm në Shkodër”. Ndërsa vazhdimësinë, Bano e shikon tek elementët e së ardhmes, ndërkohë që mendon një surprizë në ndeshjen me Italinë më 23 mars. “Për t’u përmirësuar situate në Kombëtare, mendoj se do të duhet më shumë kohë se sa ndeshjet eliminatore për Botërorin 2018. Dhe këtu del detyre imediate e menaxherëve të Kombëtares, të cilët duhet të punojnë shumë, me qëllimin që lojtarët e Kombëtares të luajnë sa më shumë në skuadrat e tyre. Pas më shumë se një muaji do të luajmë me Italinë, e duke I parë realisht skuadrat, ndoshta shkojmë për dinjitet. Por, nëse skuadra do të mobilizohet e të luajë me më shumë ndjenjë e pa inferioritet, mund të presim ndonjë surprizë që të na “ngjallë” synimet për Botëror”.
Ndeshjet/ Java e 21-të
Sot, 10 shkurt 2017
Teuta-Partizani 18:00
Nesër, 11 shkurt 2017
Skënderbeu-Laçi 14:00
Vllaznia-Flamurtari 14:00
Tirana-Kukësi 17:00
Të dielën, 12 shkurt 2017
Luftëtari-Korabi 14:00 
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1. Kukësi 20 42
2. Partizani 20 38
3. Skënderbeu 20 38
4. Tirana 20 27
5. Luftëtari 20 25
6. Vllaznia 20 21
7. Flamurtari 20 20
8. Laçi 20 20
9. Teuta 20 19
10. Korabi 20 11
3 ditë
Ndryshe nga javët e kaluara në Kategorinë Superiore, java e 21-të ka një shtrirje tre ditore për zhvillimin e ndeshjeve
2 barazime
Në ndeshjet e luajtura në dy fazat e para ndërmjet Tiranës dhe Kukësit, janë shënuar vetëm barazime, 2-2 dhe 0-0
PËRBALLJET NË DY FAZA
Faza e Parë/ Java e 3-të
Datë 17 shtator 2016
Luftëtari-Korabi 1-0
Skënderbeu-Laçi 1-0
Tirana-Kukësi 2-2
Datë 18 shtator 2016
Vllaznia-Flamurtari 2-0
Teuta-Partizani 0-2
Faza e Dytë/ Java e 12-të
Datë 25 nëntor 2016
Flamurtari-Vllaznia 0-1
Datë 26 nëntor 2016
Laçi-Skënderbeu 0-1
Korabi-Luftëtari 1-1
Kukësi-Tirana 0-0
Partizani-Teuta 1-0
Sigal