Kryeqyteti e “ktheu” vjeshtën në pranverë, Veliaj sfidoi Lorik Canën

575
Nga Agron KAJA
GjysmëMaratona e Tiranës/ Ka marrë udhë dje edicioni i dytë, garuan rreth 3000 vrapues nga 40 shtete të Botës, e veçantë garimi personave me aftësi ndryshe
Dje, në garën e Gjysmë Maratonës së Tiranës, Kryeqyteti dukej sikur po jetonte një kohë pranverore, të shoqëruar edhe me evente të tjera sportive. Në këtë Maratonë, morrën pjesë rreth 3000 garues, të cilët edhe pse në start ishin të përbashkët, në përshkrimin e distancave dhe në finish nuk ishin të tillë. Organizimi të tilla janë të vështira, të cilat kërkojnë menaxhim perfekt, jo vetëm gjatë garës, dhe kjo dje është arritur nga Bashkia. Para dhe pas garës, disa nga garuesit e huaj nuk ngurruan të shprehnin kënaqësinë për këtë Gjysmë Maratonë, madje fituesja e vendit të dytë në 21 km, me kohën 1h 14min 53sek, deklaroi se një javë më parë e kishte përshkruar këtë distancë në Kroaci, me kohën 1.13.23, afër me rekordin e djeshëm. Ndërsa kenianët i dhanë më shumë ritëm garës për meshkuj, jo vetëm se ata fituan në 21 km dhe 10 km, por vrapimi i tyre u bë nxitje për të tjerët. Kështu, David Nikolli u rendit në vendin e tretë në 21 km për meshkuj, dhe shqiptari i vetëm nga meshkujt që u ngjit në podium. Por, mes vrapuesve në Maratonën e Tiranës ishte dhe ish-kapiteni i Kombëtares sonë të futbollit, Lorik Cana, i cili garoi në të njëjtën kategori sikurse kryebashkiaku Erion Veliaj, në 10 kilometra. Në përfundim të garës, Cana mbeti pas Veliajt, pasi e përfundoi me kohën 1.00.52.066, ndërsa kryebashkiaku Veliaj 1 minutë e 47 sekonda më shpejt, 0.59.05.186. Por, në Maratonën e Tiranës morën pjesë edhe anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Kështu, ambasadori japonez, Makoto Ito garoi në kategorinë e 10 kilometrave duke u renditur 164 me 54 minuta e 57 sekonda. Ndërsa ambasadori austriak Johan Sattler u tregua më i guximshëm, pasi garoi në kategorinë profesioniste prej 21 km, ku u renditnë vendin e 150-të, me kohën 1 orë e 56 minuta. Garat ishin të ndara në tre kategori të ndryshme, një prej 21 kilometrash (meshkuj-femra), tjetra në distancën prej 10 kilometrash (po meshkuj-femra), dhe e fundit, ndoshta më interesantja ishte ajo e 5 kilometrave për personat me aftësi të ndryshe. Duke e ndjekur këtë Gjysmëmaratonë hapa pas hapi, gazeta “Telegraf” konstatoi edhe faktin tjetër, se shumica e fituesve, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, ishin të huaj. Vetëm në garën 21 km për femra fitoi një shqiptare, Luiza Gega, ndërsa për meshkuj fitoi keniani Abel Kibet Rop. Nnërsa në garën e 10 kilometrave, të dy fituesit ishin të huaj, ku për femra e para e preu shiritin ukrainasja Olena Popova, ndërsa për meshkuj triumfoi keniani Cheruiyot Melly. Ndërsa në garën e 5 kilometrave për personat me aftësi të kufizuara triumfoi Bledar Suxha. Edicioni i tretë i gjysmëmaratonës së Tiranës do të zhvillohet më 7 tetor 2018.
Sigal