Kombëtarja zbret në Francë

592
Kombëtarja Shqiptare zbarkon në tokën Franceze në pritje të debutimit në një eveniment madhështor, në kampionatin europian. Delegacioni kuqezi i cili u nis rreth mesditës nga Bergamo, zbriti në aeroportin e qytetit të Lannion në orën 13 e 24 minuta për t’u akomoduar në atë që do të jetë shtëpia e Kombëtares Shqiptare gjatë kompeticionit. Në pritjen protokollare të delegacionit kuqezi kishin dalë përfaqësuesit e UEFA-s, prefektja e komunës së Lannion-it si dhe pushtetarë të tjerë.
I pari që zbriti nga avioni ishte presidenti i FSHF, Armand Duka, i ndjekur nga trajneri Gianni de Biasi dhe kapiteni Lorik Cana. Pas tyre vinin me radhë futbollistët të cilët u drejtuan për nga autobuzi i personalizuar i skuadrës shqiptare, i cili do të transportojë ekipin në cdo seancë stërvitore apo edhe në ndeshjet e këtij evenimenti të rëndësishëm. Rrugët e qytetit kanë qenë të gjitha të veshura me ngjyrat kuqezi për t’i uruar mirëseardhjen ekipit, që do të akomodohet në një fshat turistik në komunën e Perros-Guirec, 10 km larg aeroportit të Lannion-it. Pritja e delegacionit kuqezi është kryer në masa të shumta policore të cilët do të shoqërojnë ekipin në cdo moment.
Sigal