Sigal

Kristian Panuçi, trajneri i kombëtares kuqezi, ka publikuar listën e lojtarëve, që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet e radhës, të muajit nëntor; ndaj Skocisë dhe Uellsit. E para është ndeshje zyrtare, në kuadrin e Ligës së Kombeve, dhe do të luhet më 17 nëntor, ora 20:45, në “Loro Boriçi”, ndërsa e dyta është miqësore dhe do të luhet në “Elbasan Arena”, në orën 20:00, tri ditë më vonë.

Rikthehet Loret Sadiku, i cili qe ftuar më parë nga Xhani De Biazi. Sadiku hoqi dorë nga kombëtarja e Suedisë dhe më pas e kërkoi Kosova, por nuk mundi të luajë me dardanët. Mbrojtësi qendror, që luan edhe si mesfushor me tipare mbrojtëse, rikthehet në kombëtaren kuqezi. Po ashtu, prurje e re e Panuçit për këto dy ndeshje është Ardian Ismajli, mbrojtës i Hajdukut të Splitit, deri dje kapiten i Kosova U-21. Rikthim në mbrojtje kemi edhe për Ivan Balliun. Konfirmohet me Shqipërinë edhe Kastriot Dermaku, edhe ky i ardhur nga kombëtarja e Kosovës, për shkak të problemeve me aktivizimin atje.

Pjesa tjetër e lojtarëve janë të njohur dhe kanë qenë të grumbulluar për ndeshjet e kaluara, përfshirë edhe të riun Giacomo Vrioni, që debutoi disa minuta me kombëtaren e madhe në sfidën e fundit kundër Skocisë