Kombëtarja kryen seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, nesër niset drejt Austrisë

51
Sigal

Kombëtarja shqiptare ka kryer pasditen e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Kuqezinjtë fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës, aty ku zhvilluan seancën stërvitore nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik.

Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë janë stërvitur 25 lojtarë, të cilët morën ngarkesë të plotë fizike. Portieri Elhan Kastrati nuk është stërvitur me grupin për shkak të një gjendje gripale. Në seancën e sotme stërvitore me ekipin A u bashkuan edhe dy lojtarë nga Kombëtarja U-21, Rejan Alivoda dhe Erald Maksuti. Ndërsa Berat Gjimshiti, Amir Abrashi dhe Taulant Seferi do të bashkohen me grupin në Austri.

Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të premten dhe më pas ekipi do të niset drejt Austrisë, ku do të përgatitet dhe do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari.