INTERVISTA/ Kryetrajneri i Dyrrah City Futboll Academy, Klevis Dalipi, tregon mundësitë e kualifikimit
Agron KAJA

Sot, Egnatia luan ndeshjen e kthimit në Europë ndaj Breidablik, si e mendoni në rezultat?
Unë e shoh vetëm te loja e kësaj skuadre. Sepse Egnatia ishte skuadra që në muajin janar bëri blerje të mira, dhe ishin sinjal për Kupat e Europës. Me lojën që zhvilluan, kishin ritëm dhe koncept, ndaj besoj se do shënojë dhe do kualifikohet.
Bastet në Europë e vlerësojnë Egnatian me koefiçientë favorizues, pse sipas jush?
Patjetër që po. Sepse vlera e skuadrës në transfermarket i ka rritur kupotat e lojtarëve të Egnatias. Janë me kualitet dhe duhet të na pëlqejë që kemi skuadra si Egnatia shumë kualitative, me lojtarë që japin garanci të mira edhe për ture të tjerë.
Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë Egnatia për kualifikimin në takimin e kthimit?
Egnatia duhet të ketë parasysh se në Islandë do jetë në tjetër tablo loja. Ata janë fizikisht të fortë, dhe këtu do e mbështesin kryesisht lojën e tyre. Ndërsa Egnatia do jetë më teknike, dhe duke e gjetur kontrrollin e lojës do të shënojë patjetër.
Në ndeshjen e parë, Partizani barazoi 1-1 me Kalju Estonisë si e përshkruani këtë rezultat?
Partizani ka një problem ndryshe nga sezonet e tjera, sepse ka lojtarë të rinj dhe mbetet sfidë për trajnerin Skënder Gega. Po vuan eksperiencën, por 1-1 në transfertë do ti shërbejë në Tiranë. Besimi në skuadër do ta sjellë kualifikimin.
Po Vllaznia që e humbi ndeshjen e parë me Daugavpils të Letonisë, si e parashikon transfertën e kthimit?
Shumë të vështirë. E them me keqardhje se Vllaznia ka një pozicion të vështirë, nuk ka lojtarë që mbajnë peshë në skuadër. Janë dy-tre me Balajn kryesor, por nuk është shumë solide për të konkurruar në Europë. Ndonjë mrrekulli e kualifikon.
Dinamo duket si e harruar që merr pjesë në Europë, si i shikoni përgatitjet e saj për turin e dytë?
Dinamo në një farë mënyre pati pak fat në këtë situatë. Ka një skuadër në rritje dhe pa luhatje. Duke ju referuar kësaj kohe përgatitore, do ti japë pak avantazh, por ka edhe anën negative, se nuk luan ndeshje zyrtare dhe kundërshtarët mund të jenë në kampionat.
Gjatë muajit korrik vazhdojnë përgatitjet edhe te skuadrat e tjera, çfarë veçoni mes tyre: përgatitjet apo merkaton?
Përgatitjet në këtë periudhë janë të lidhur ngushtë me merkaton. Skuadrat duhet të jenë të kujdesshme në blerjet e tyre, e shikoj këtu Elbasanin që e ka ruajtur ekipin e sezonit të kaluar. Ndërsa Tirana duhet të ketë emra që të mbajnë peshën në skuadër.
Bylisi dhe Tirana ende nuk e kanë vendosur trajnerin e sezonit të ri, do ketë ndikim te skuadrat për sezonin?
Merkato është e hapur, por Bylisi ka në përbërje shumë lojtarë, sepse nga Presidenti i tij bëhen shumë afrime, dhe më pas i ka burime fitimi. Është një skuadër trampolinë, ndërsa Tirana do ketë vështirësi në fillimin zyrtar të sezonit.
Në fundjavën e shkuar, FSHF-ja mblodhi klubet dhe skema “Final 4” sikur doli me “defekt”, ju si e mendoni?
Kjo do jetë një temë që do diskutohet, por mendoj që edhe këtë sezon të qëndrojë “Final 4”, dhe më pas të shikohet. Është pak e vështirë, por në dy sezone kjo skemë rezultoi me sukses dhe nuk i penalizoi skuadrat, sikundër Egnatian kampione.
Flamurtari bën merkato në Spanjë, vjen mesfushori Hoze Rodrigues
Një transferim i bujshëm është bërë dje në merkaton e Flamurtarit, ku ka firmosur me ish-lojtarin e Realit dhe disa skuadrave të tjera në Europë. Mesfushori Hoze Rodrigez u prezantua dje te skuadra vlonjate dhe ky është një rikthim i tij në fushë, pasi për herë të fundit luajti në Turqi me Adana Demirspor. Më 16 dhjetor Rodríguez mbush 31 vjeç, dhe karriera e tij e deri tanishme si mesfushor, ka kaluar mes disa skuadrave në Spanjë, Turqi, Izrael, Holandë dhe Belgjikë.

Liga e Kampioneve
Ndeshja e kthimit
Datë 15 korrik 2025
Breidablik (Isl)-Egnatia 19:00
Ndeshja e parë
Datë 8 korrik 2025
Egnatia-Breidablik 1-0
Liga e Konferencës
Ndeshjet e kthimit
Datë 17 korrik 2025
Daugavpils(Let)-Vllaznia 17:00
Partizani-Kalju (Est) 20:00
Ndeshjet e para
Datë 10 korrik 2025
Kalju (Est)-Partizani 1-1
Vllaznia-Daugavpils 0-1
Tirana me bankinë “beratase”, Vangjel Mile trajneri ri
Dje në mesditë, Presidenti Refik Halili i ka dhënë fund dlemave për bankinën e Tiranës. Ajo i është besuar beratasit Vangjel Mile, i cili aktualisht mbante detyrën e Drejtorit Teknik të Akademisë së futbollit “Tirana”. Dje për gazetën “Telegraf”, Mile u shpreh se është një detyrë e vështirë, por e pritshme për karrierën e tij, që aktualisht disponon Licensën UEFA PRO, më e larta për trajner futbolli. “Natyrisht që është një pozicion i vështirë, por ky është profesioni im. Unë e ndjej veten pjesë të shtëpisë bardheblu, dhe këtë përgjegjësi e pranova me përulësi dhe besim. Unë i njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi, dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivin e Tiranës, rikthimin i skuadrës në krye të futbollit shqiptar”. Tashmë Tirana nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, dhe pas dy javëve në Tiranë, do të shkojë dy javë të tjera në Greqi. Urime Vangjel Mile! Ndërkohë që po dje, te Tirana janë prezantuar edhe sulmuesi Etiene Tare dhe mbrojtësi grek Jorgios Valerianos.

Dinamo përforcohet në Burrel, firmos me Florenc Farrukun
Dinamo është në përgatitjet e saj, në pritje të shortit të Konferencë Ligë, turi i dytë. Por paralelisht, në klubin dinamovit ka vazhduar edhe merkato, dhe afrimi më i ri është sulmuesi matjan Florenc Farruku. Ai shkëlqeu në sezonin e kaluar me ekipin e vendlindjes së tij, KF Burrelin në Kategorinë e Parë. Florenci është një nga “Dinastia Farruku” në futbollin matjan që kanë luajtur me Burrelin, ndërsa një fushë sportive në Burrel mban emrin e xhaxhait të tij, Dali Farruku, një nga më të mëdhenjtë. Edhe Vllaznia kishte treguar interes për sulmuesin matjan, menjëherë pasi ai nuk rinovoi kontratën me Burrelin për sezonin e ri.






















