Këndvështrimi/ Shahin Berberi: Superiorja është më e bukura në Ballkan, Partizani ekip me standarde evropiane

1055
KËNDVËSHTRIMI/ Për situatën aktuale në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” Shahin Berberi, ish-mbrojtësi i Partizanit
Nga Agron KAJA
Një ndër ish-futbollistët e Partizanit, pjesë e këtij ekipi edhe në Titullin e fundit Kampion, ish-mbrojtësi i kuq Shahin Berberi, deklaroi dje për gazetën “Telegraf” se, Kategoria Superiore shqiptare, është një nga kampionatet më të bukur dhe më të mirë në Ballkan. “Duke iu referuar Kategorisë Superiore, kryesisht në dhjetë vitet e fundit, ajo është një nga Kampionatet më të bukur dhe më të mirë në Ballkan. Sepse këtu ka garë, ka emocion deri në javën e fundit, se kush do të dalë kampion apo se kush do të zbresë nga kategoria. Skuadrat e Superiores sonë, nuk janë si në Greqi, apo në të tjera vende, ku kryesueset shkëputen me shumë pikë nga ndjekësit, madje që në mesin e kampionatit”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij ish-energjiku i djathtë i mbrojtjes së Partizanit, i cili, në përgjigje të pyetjes, se si e shikon Partizanin e këtij sezoni të ri, ai nuk harroi të flasë edhe për të shkuarën. “Natyrisht se, duke qenë një ish-futbollist i kësaj skuadre të madhe, unë do të thosha se, Partizani është skuadra me histori të madhe në futbollin shqiptar, dhe sot në Kategorinë Superiore është e denjë për çdo trofe. Nëse doni të flas vetëm për këto përgatitje të Partizanit, unë mund tu them se është skuadra që, pas Skënderbeut, ka bërë shumë hapa profesionistë në ndërtimin e klubit dhe në menaxhimin e tij në të gjitha nivelet. Ka dy-tre vite që luan edhe në Evropë, dhe përpos çka ka arritur aty, vetëm titulli kampion i mungon. Këtë ai e meriton, dhe me lëvizjet shumë cilësore që ka bërë gjatë kësaj merkatoje, mendoj se do të jetë skuadra më e fortë dhe më e mirë për të fituar trofetë e sezonit të ri 2017-2018”. Ndërsa për situatën e skuadrave të tjera të Kategorisë Superiore, aktualitetin e tyre gjatë kësaj merkatoje dhe pritshmëritë, Shahin Berberi deklaron se, lëvizjet e tyre janë më shumë modeste, sepse disa kërkojnë që të kapin ndonjë vend në Evropë, dhe të tjera që kërkojnë të mbijetojnë në këtë kategori. “Gjatë çdo merkatoje, duket se sa synojnë skuadrat, në fillim apo në mesin e sezonit. Tashmë jemi në start, dhe duke ju referuar emrave që kemi parë në çdo skuadër, duke përjashtuar Kukësin, Partizanin e Skënderbeun që kanë bërë merkato të fuqishme e me emra cilësorë, duket qartë se, skuadrat e tjera kanë marrë elementë nga të cilët kërkojnë ndonjë vend në Evropë, apo edhe kërkojnë që të mbijetojnë në këtë kategori. Këta kanë bërë lëvizje modeste”, vazhdoi më tej specialisti i futbollit Shahin Berberi, i cili nuk harroi të flasë edhe për Skënderbeun dhe infrastrukturën aktuale në Kategorinë Superiore. “Nëse nuk do të flisja diçka për Skënderbeun, do të më dukej e mangët biseda. Skuadra korçare po tregohet me vlera në Evropë, dhe e meriton kalimin në grupe. Është e vetmja skuadër shqiptare që po vazhdon turet në Evropë, dhe unë mendoj se e meriton të kalojë në grupe, e më tej. Ndërsa për infrastrukturën, ka shumë përmirësim, jo në krahasim me kohën kur luajta unë, por periodikisht. Kjo ndikon në rritjen e nivelit të kësaj kategorie”, përfundoi Shahin Berberi.
Sigal