Kampionati i Notit për Fëmijë/ Përfundoi me sukses dhe rekorde kombëtare Kampionati Kombëtar i Notit për Fëmijë

204
Sigal

 Presidenti Agim Çiraku: “Për ne ishte shumë e rëndësishme rinisja pas një pandemie të gjatë. Stërvituni sa më shumë, kthejini fëmijët në pishina!” Ja rezultatet për meshkuj dhe femra  në kategoritë A,B,C. Ekipet dhe sportistët më të mirë.

/Gazeta TELEGRAF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku: “Për ne ishte shumë e rëndësishme kjo rinisje pas një pandemie të gjatë, që jo pak na ka dëmtuar”

Rinisja me kampionatin kombëtar të fëmijëve ishte starti më i mirë për notin shqiptar. Këtë ka dashur të nënvizojë Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për gazetën “Telegraf”. Jo vetëm rinisja, por dhe kthimi i fëmijëve në pishinë për t’u marrë me sportin e notit ishte mesazhi më i qartë i të parit të sporteve të ujit në këtë intervistë. Ndryshe nga vitet e tjera, numri i fëmijëve pjesëmarrës ishte pak, por dhe aq sa morën pjesë, përsëri është në nivele të kënaqshme. Një tjetër pikë ishte dhe kujtesa për të ndjerin Klavio Meça, i ndarë nga jeta në moshën 24-vjeçare në dhjetorin e vitit të kaluar, ndërsa Federata Shqiptare e Notit përgatiti dhe një Mirënjohje për të. Por ndërkohë, Kampionati Evropian i notit për të rritur, që zhvillohet më 17-23 maj në Budapest, është shumë i rëndësishëm për notin shqiptar. Noti do të përfaqësohet nga Paolo Priska, Even Qarri, Katie Rock dhe Franc Aleksi.

 

Ja, intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë për gazetën “Telegraf”:

– Një start veprimtarish kombëtare me Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve. Sa i rëndësishëm është ky aktivitet për Federatën Shqiptare të Notit?

– Sigurisht që për ne është shumë i rëndësishëm, sepse kemi një rinisje të notit pas një pandemie të gjatë Covid-19, që dëmtoi në tërësi botën, por në veçanti dhe ne, si sport i notit. Një stërvitje e gjatë e këtyre fëmijëve, atje ku tanimë kanë mundësinë të tregojnë vlerat e përgatitjes së tyre. Të paktën i jemi kthyer normalitetit dhe kjo mendoj se do të na shoqërojë dhe në vazhdim.

– A mund të kishte një numër më të madh pjesëmarrësish?

– Në kampionatet e tjera të fëmijëve kemi pasur një numër edhe më të madh sportistësh pjesëmarrës. Por unë mendoj që, edhe 100 notarë të vegjël nuk janë pak. Do të thotë që ka vazhdimësi. Por siç ju thashë, pandemia përsëri e mban të ndrydhur. Veçse të jeni të bindur se më tej, do të jemi dhe më shumë në numër e në veprimtari të zhvilluara.

– Ndërkohë në prag është Kampionati Evropian i notit, i cili zhvillohet në Budapest të Hungarisë. Cilat janë pritshmëritë e Federatës Shqiptare të Notit?

– Pritshmëritë tona janë që notarët, të cilët do të na përfaqësojnë në këtë Evropian, të përmirësojnë rekordet e tyre dhe të Shqipërisë. Jemi të bindur se ata do të bëjnë një përfaqësim dinjitoz.

– Kishit përgatitur dhe një Mirënjohje për Klavio Meçan. A ishte ky kampionat edhe për të?

– Në fakt nuk ishte një kampionat me emrin e të ndjerit Klavio Meça, sepse për të do të ketë një aktivitet më vete. Por u përgatit një Mirënjohje, jo vetëm për Klavion, por dhe për familjen e tij për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë në notin shqiptar. Sigurisht që ne nuk e harrojmë Klavio Meçan dhe së shpejti, sikurse ju thashë, do të jetë edhe një kampionat me emrin e tij.

– Së fundi, një mesazh për të gjithë komunitetin e notit…

– T’i kthehen stërvitjes! Pandemia kaloi. Të marrin gjithçka pa stres dhe duke u marrë me sport do t’i bëjnë vetes mirë dhe shëndetit mbi të gjitha. Por dhe të gjithë shoqërisë.

Sadik Mema: Të etur për aktivitete

“Stela” është kampione e padiskutueshme e kampionatit të fëmijëve, kjo jo vetëm sepse gara kombëtare u zhvillua në pishinën e saj, por sepse tashmë është krijuar një traditë shumë e mirë në këtë Akademi. Kryetrajneri i “Stelës”, Sadik Mema, ka nënvizuar për gazetën “Telegraf” se, të gjithë ishin të etur për rifillimin e aktiviteteve. “Një vit ndërprerje e aktiviteteve – thotë Mema për gazetën “Telegraf” – ishte shumë për notin shqiptar. Pandemia Covid 19 ka bërë të veten, sepse ka pasur dhe rrudhje, ndërsa na janë larguar sportistë. Megjithatë, ky kampionat kishte masivitet dhe cilësi dhe kjo gjë është shumë e mirë. Mund të përmend emrat e Kaltra Meçës për rezultatet e saj, apo dhe sportistëve të tjerë. E rëndësishme është që “Stela” ka vazhdimësi në rezultate si rrjedhojë e një stërvitje gjithëvjetore”. Ndërkohë për shkak të mungesës së sportistëve ka pasur një numër të reduktuar notarësh. Vetëm 100. Por dhe kjo, të paktën për Memën, e ka një arsye: “Kanë munguar skuadra si Saranda e Vlora, që gjithsesi sillnin një numër të madh sportistësh. Por megjithatë mos harroni që Pandemia bëri të veten. Veçse u rikthyem dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kemi një sërë aktivitetesh në vazhdim duke nisur me kupën “Teuta” në qershor, ndërsa aktivitetet në pishina të mbyllura do të rikthehen në tetor. Por më mirë që nisi, sepse kishim nevojë për veprimtari”.

Vjen “Vllaznia”, Kolë Shiroka: Na duhet një pishinë e madhe

Risia e këtij kampionati fëmijësh ishte rikthimi i “Vllaznisë”. Jo pak, por 12 sportistë, ndërsa kryetrajneri i kuqebluve, Kolë Shiroka, për gazetën “Telegraf” ka theksuar: “Kemi mbi tre vjet që punojmë dhe besojmë se kemi pasur rezultate të mira. Ne jemi të kënaqur për ata 12 sportistë që kishim në këtë garë, ndërsa skuadra të tjera si “Stela”, apo “Tirana”, ishin me ekipe më të plota. Por unë shpresoj që organet e pushtetit vendor të rikthejnë sytë, sepse bëjmë stërvitje në një pishinë të mbyllur, që në fakt është pishinë hoteli, e cila nuk ka asnjë ndarje tipike të pishinave normale. Mendoj se ka ardhur koha e ndërtimit të një pishine të hapur, sikurse është duke u bërë në Vlorë, apo sikurse është në Durrës, sepse Shkodra ka traditë. Perspektiva është e mbarë, por duhet më tepër përkrahje për të shkuar përpara”.

Mirënjohja për Klavio Meçan: “Për ne një emocion shumë i madh”

Federata Shqiptare e Notit ka dhënë një Mirënjohje për Klavio Meçan, i ndarë nga jeta në dhjetorin e vitit të kaluar. Për familjen, por veçanërisht të atin, ishte një emocion shumë i madh: “Për ne është një emocion shumë i madh, sepse na ringjallën dhe një herë kujtimin e Klavios. Ne jetojmë çdo ditë me kujtimet e bukura të Klavios, por Mirënjohja tregon që ai ka lënë shumë për komunitetin e notit shqiptar. Emocionet, lotimet, duartrokitjet, tregojnë se kujtimi i Klavios është i gjallë dhe për këtë, ne i falënderojmë të gjithë”. Ndërkohë për të plotësuar familjen, Kaltra Meça është shpallur sportistja më e mirë. “Ka shumë punë për t’u bërë sportiste elitare – thotë i ati – Rezultatet i ka të mira. Në aktivitetin e Shkupit mori normën e kualifikimit për në Kupën “Commen”, kjo në 800 metra stil i lirë, por që është pezulluar për momentin. Megjithatë kemi bindjen se në Evropianin e të rinjve në Romë, do të jetë me rezultate cilësore”.

“Stela”, kampionia e padiskutueshme

Pesë rekorde kombëtare në kampionatin kombëtar të fëmijëve. Kaltra Meçe, Niklas Hoxha, Liana Muka, Ajdin Loshi, Briselda Llazari dhe Arbër Hysaj më të mirët e kampionatit

Noti shqiptar është rikthyer në pishinë. Kjo pas një Pandemie të gjatë Covid-19, e cila më së shumti penalizoi aktivitetet në pishinat e mbyllura.Pikërisht Kampionati Kombëtar i fëmijëve në pishinë e kompleksit “Te Stela” ka sjellë mbi 100 fëmijë, të cilët kanë qenë të ndarë në tre kategori moshe. Kategoria A ishte për datëlindjet 2007-2008. Ajo B për datëlindjet 2009-2010 dhe C-ja për 2011-2012. Shtatë ekipe pjesëmarrëse, ndërsa në pishinë ishin “Stela”, “Tirana”, “Teuta”, “Vllaznia”, “Partizani”,  “Tradita” dhe “Vala”. Nuk ka munguar në këtë aktivitet dhe presidenti i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, ndërsa gjithçka është mbyllur me festë, gjë që premtohet të jetë e tillë dhe në aktivitetet në vazhdim

Stafetat dhe 5 rekordet kombëtare

Stafetat kanë sjellë dhe rekordet kombëtare në kampionatin e fëmijëve. Kështu në Kategorinë B për femra, në 4×50 metra stil i lirë “Tirana” ka vendosur kohën e re 2’11”13, teksa koha e vjetër ishte 2’17”18. Sërisht “Tirana” do të ishte rekordmene në 4×100 metra mikse për femra në Kategorinë B me kohën e re 5’37”90. Gjithnjë “Tirana” tanimë, në 4×100 metra stil i lirë femra, Kategoria B, me kohën 5’02”16. Në Kategorinë A del në pah “Stela”, e cila 4×100 metra stil i lirë vendos kohën e re 4’32”46. E në 4×50 miks Kategoria B femra, “Tirana” do të vendoste rekordin e fundit të kampionatit me kohën 2’31”72.

REZULTATET TEKNIKE TË KAMPIONATIT KOMBËTAR PËR FËMIJË

KATEGORIA A

MESHKUJ

50 m stil i lirë                 Dastin Topi (Tirana)                         28”81

100 m stil i lirë               Dastin Topi (Tirana)                         1’03”94

400 m stil i lirë               Dart Selimi (Tirana)                          5’12”00

50 m bretkosë                Patrik Kusi (Tirana)                          38”28

100 m bretkosë              Patrik Kusi (Tirana)                          1’23”66

200 m bretkosë              Klerenc Vora (Teuta)                        3’01”03

50 m shpinë                   Alex Beqiri (Teuta)                           35”62

100 m shpinë                 Alex Beqiri (Teuta)                           1’16”19

200 m shpinë                 Alex Beqiri (Teuta)                           2’45”97

50 m delfin                     Niklas Hoxha (Stela)                         29”56

100 m delfin                  Niklas Hoxha (Stela)                         1’10”10

200 m delfin                  Niklas Hoxha (Stela)                         3’51”87

100 m katërnotim          Niklas Hoxha (Stela)                         1’12”56

200 m katërnotim          Patrik Kusi (Tirana)                          2’39”20

SPORTISTI MË I MIRË: NIKLAS HOXHA (STELA)

FEMRA

50 m stil i lirë                 Erla Kaçurri (Tirana)                        31”88

100 m stil i lirë               Kaltra Meça (Stela)                           1’04”04

200 m stil i lirë               Erla Kaçurri (Tirana)                        2’32”06

400 m stil i lirë               Kaltra Meça (Stela)                           4’38”50

50 m bretkosë                Julka Gjilo (Tirana)                           41”31

100 m bretkosë              Julka Gjilo (Tirana)                           1’34”19

200 m bretkosë              Julka Gjilo (Tirana)                           3’22”66

50 m shpinë                   Elia Lika (Vllaznia)                          41”12

100 m shpinë                 Isis Ruçi (Tirana)                              1’28”18

200 m shpinë                 Isis Ruçi (Tirana)                              3’08”25

50 m delfin                     Eni Metalla (Stela)                            33”41

100 m delfin                   Eni Metalla (Stela)                         1’17”50

200 m delfin                   Ani Fetishaj (Tirana)                         3’08”44

100 m katërnotim          Kaltra Meça (Stela)                           1’13”34

200 m katërnotim          Kaltra Meça (Stela)                           2’34”65

SPORTISTJA MË E MIRË: KALTRA MEÇA (STELA)

KATEGORIA B

MESHKUJ

50 m stil i lirë                 Ajdin Loshi (Vllaznia)                       30”75

100 m stil i lirë               Ajdin Loshi (Vllaznia)                       1’07”69

200 m stil i lirë               Lajdi Allaraj (Partizani)                    2’35”84

400 m stil i lirë               Almar Nako (Stela)                           5’50”06

50 m bretkosë                Leonel Mesi (Tirana)                         44”69

100 m bretkosë              Arens Çullhaj (Stela)                         1’43”34

200 m bretkosë              Horges Rama (Tirana)                      3’47”66

50 m shpinë                   Lajdi Allaraj (Partizani)                      35”40

100 m shpinë                 Samuel Bazhdari (Vllaznia)              1’18”91

200 m shpinë                 Samuel Bazhdari (Vllaznia)              2’50”53

50 m delfin                     Juri Kapoli (Tirana)                          35”15

100 m delfin                   Juri Kapoli (Tirana)                          1’23”41

200 m delfin                   Juri Kapoli (Tirana)                          3’08”16

100 m katërnotim          Lajdi Allaraj (Partizani)                    1’19”28

200 m katërnotim          Regis Ostrosi (Stela)                         3’03”13

SPORTISTI MË I MIRË: AJDIN LOSHI (VLLAZNIA)

FEMRA

50 m stil i lirë                 Julia Xhako (Tirana)                         29”94

100 m stil i lirë               Julia Xhako (Tirana)                         1’05”19

200 m stil i lirë               Liana Muka (Stela)                           2’20”86

400 m stil i lirë               Liana Muka (Stela)                           4’55”50

50 m bretkosë                Lea Haçi (Tirana)                              44”12

100 m bretkosë              Lea Haçi (Tirana)                              1’37”57

200 m bretkosë              Lea Haçi (Tirana)                              3’26”50

50 m shpinë                   Mei Sokoli (Tirana)                          39”03

100 m shpinë                 Shirli Ziso (Tirana)                           1’22”47

200 m shpinë                 Erla Skënderi (Stela)                         3’17”69

50 m delfin                    Julia Xhako (Tirana)                         32”90

100 m delfin                  Julia Xhako (Tirana)                         1’13”95

100 m katërnotim          Liana Muka (Stela)                           1’17”44

200 m katërnotim          Lea Haçi (Tirana)                              3’00”97

SPORTISTJA MË E MIRË: LIANA MUKA (STELA)

KATEGORIA C

MESHKUJ

50 m stil i lirë                 Arbër Hysaj (Vllaznia)                        34”97

100 m stil i lirë               Drini Hysaj (Stela)                           1’38”84

200 m stil i lirë               Devi Shtaro (Teuta)                          2’53”85

50 m bretkosë                Albi Deda (Stela)                              46”78

100 m bretkosë              Albi Deda (Stela)                              1’43”90

200 m bretkosë              Albi Deda (Stela)                              3’40”18

50 m shpinë                   Arbër Hysaj (Vllaznia)                     40”09

100 m shpinë                 Riad Lala (Stela)                               1’41”18

200 m shpinë                 Riad Lala (Stela)                               3’39”12

50 m delfin                     Arbër Hysaj (Vllaznia)                      38”50

100 m delfin                   Elio Skënderi (Tirana)                       1’47”59

100 m katërnotim          Arbër Hysaj (Vllaznia)                      1’28”40

200 m katërnotim          Albi Deda (Stela)                              3’29”50

400 m stil i lirë               Dion Papa (Stela)                              6’33”00

 

SPORTISTI MË I MIRË: ARBËR HYSAJ (VLLAZNIA)

FEMRA

50 m stil i lirë                 Briselda Llazari (Vllaznia)                   35”62

100 m stil i lirë               Briselda Llazari (Vllaznia)                 1’17”91

200 m stil i lirë               Evie Asllanaj (Stela)                         3’20”69

50 m bretkosë                Lajla Sokoli (Tirana)                         54”78

100 m bretkosë              Ambla Bardhoshi (Stela)                   2’25”32

50 m shpinë                   Luna Djarmati (Stela)                       42”13

100 m shpinë                 Luna Djarmati (Stela)                       1’31”41

200 m shpinë                 Luna Djarmati (Stela)                       3’14”03

50 m delfin                     Briselda Llazari (Vllaznia)                39”53

100 m katërnotim          Briselda Llazari (Vllaznia)                1’32”87

400 m stil i lirë               Majda Shpovi (Stela)                        7’13”68

SPORTISTJA MË E MIRË: BRISELDA LLAZARI (VLLAZNIA)

RENDITJA EKIPORE PËR MESHKUJ

  • STELA            425   PIKË
  • TIRANA             5   PIKË
  • VLLAZNIA          5   PIKË
  • TEUTA              93  PIKË
  • PARTIZANI       82  PIKË
  • VALA                4   PIKË

RENDITJA EKIPORE PËR FEMRA

  • STELA          449 PIKË
  • TIRANA        367 PIKË
  • VLLAZNIA    144 PIKË
  • TEUTA           35 PIKË
  • TRADITA       18  PIKË
  • PARTIZANI      8 PIKË
  • VALA              4 PIKË