Sigal

Juventusi e ka nisur në mënyrë spektakolare fillimin e sezonit në kampionatin italian, duke fituar të 8 ndeshjet e para të Serisë A. Kjo ecuri pozitive i ka dhënë mundësinë bardhezinjve të shkëputen në kryesim, me 6 pikë më shumë se rivali më i afërt, Napoli.

Juventusi i këtij sezoni duket se nuk do të ketë rivalë, për sa i përket fitimit të titullit të tetë radhazi dhe të 35 në total, me skuadrën e Alegrit, e cila është pranë arritjes së rekordit personal me 9 fitore në 9 javët e para të kampionatit të vitit 2005-2006.

Nëse 9 fitoret radhazi në start janë një rekord për vetë Juventusin, kjo nuk është shifra më e mirë e realizuar në Serinë A. Rekordin për numrin e fitoreve radhazi pas fillimit të kampionatit e mban Roma e cila ka regjistruar 10 të tilla në sezonin 2013-2014, kur drejtohej nga Rudi Garsia. Kalendari sheh Juventusin të ndeshet në takimet e radhës me Xhenoan, Empolin dhe Kaljarin, kundërshtarë jo të parezistueshëm, ndaj ky rekord mund të bjerë deri në fillimin e nëntorit. Pastaj do të jetë pak më e vështirë për të arritur rekordin tjetër të fitoreve radhazi, atë që i përket ndeshjeve në çdo periudhë të kampionatit që mbahet nga Interi. Zikaltërit kanë regjistruar 17 të tilla radhazi në edicionin 2006-2007, atë me Juventusin në Serinë B. Asokohe u cilësua një rekord i pamundur për t’u arritur përsëri, por te Juventusi ia kanë vënë vetes si objektiv që të thyejnë një tjetër mit në futbollin italian.