Juventus pret Realin për të shkruar historinë në Champions League

455
Champions League futet në fazën më interesante të edicionit. Sonte në 20:45 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë mes Juventusit dhe Realit të Madridit në Torino. Përballja është një klasike europiane që pritet të dhurojë spektakël dhe emocione gjatë 90’.
Juventusi e ka siguruar titullin kampion dhe tani është gati që të japë gjithçka për Champions League. Ndërsa Reali ndodhet në fazë kritike, pasi në kampionat duhet të shpresojë te një gabim i Barcelonës dhe të fitojë, ndërsa Championsi është shpëtimi i vetëm për edicionin. 
Trajneri Anceloti para ndeshjes u shpreh se formacionin e ka gati, por nuk do ta zbardhë për mediat. “Formacionin e kam vendosur por nuk do ta bëj publik. Kjo është një ndeshje e ndryshme në krahasim nga ajo me Atleticon e Madridit.
Do të jetë një sfidë e komplikuar por stimuluese. Juventusi ka fituar shumë eksperiencë gjatë viteve të fundit. Mund të kalojmë edhe me dy barazime. Do të sulmojmë në këto dy sfida por na duhet edhe të mbrojmë mirë.
Do ta nisim këtë ndeshje me 4 mbrojtës dhe Sergio Ramos mund të luajë mesfushor. Shpresoj të kalojmë në finale” tha ai. Në krahun tjetër, Alegri nuk kënaqet me arritjen deri këtu duke kërkuar finalen.
“Ata janë kampionët aktual, por nuk është e vërtetë se ne nuk kemi çfarë të humbasim. Do të bëjmë një hap drejt finales. Do luajmë me katër mbrojtës. Pogba do rikthehet për ndeshjen në Madrid. Nuk mendoj se dy ndeshjet do përfundojnë 0-0, prandaj do duhet të shfrytëzojmë shanset tona” tha italiani i Juventusit. 
Sigal