Sigal

Tetë ndeshjet e luajtura ditën e djeshme kanë dhuruar gola dhe spektakël në “UEFA Champions League”. Juventusi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme jashtë fushe përballë Mançester Junaitid, duke hipotekuar kalimin për në fazën tjetër. Bardhezinjtë treguan dhe një herë se janë skuadra për tu mundur në këtë edicion. “Djajtë e Kuq” nuk arritën t’i bënin ballë lojës së Juves duke mos arritur pothuajse në asnjë rast të rrezikonin portën e mbrojtur nga polaku juventin, Shezni. Kampionët e Italisë morën që në fillim frenat e lojës duke dominuar në qarkullimin e topit dhe në rastet e krijuara. Dibala i dha avantazhin bardhezinjve në minutën e 17′ pas një aksioni të nisur nga portugezi Ronaldo. Pas këtij goli anglezët u shfaqën të pafuqishëm për të reaguar, dhe ishin sërish juventintët ata që rrezikuan për të shënuar dhe golin e dytë, por portieri i anglezëve De Gea ishte në një ditë mjaft të mirë duke ndalur disa aksione të kundërshtarit. Fillimi i pjesës së dytë ishte njësoj si e para, me Juventusin që zotëronte topin dhe Junatid që tentonte me kundërsulme. U desh kalimi i minutës së 70′ që anglezët të shfaqeshin të rrezikshëm, duke përfituar dhe nga tërheqja në mbrojtje e skuadrës së Alegrit, të cilët kërkonin të ruanin rezultatin. Duhet theksuar se trajneri Murinjo, nuk bëri asnjë zëvendësim gjatë gjithë takimit, kjo dhe për shkak të mungesave që kishte, ndërsa Juventusi i bëri ndërrimet vetëm pas minutës së 75. Në fund, Mançesteri iu gëzua vetëm një shtylle të goditur nga ish-lojtari i Juventusit, Pol Pogba. Me këtë fitore, Juventusi ruan vendin e parë në grupin H me pikë të plota pas 3 javësh, ndërsa pavarësisht humbjes, “djajtë e ku” mbajnë vendin e dytë me 4 pikë të grumbulluara në tre ndeshje.

Formacionet: Mançester-Juventus 0-1

Mançester Junaitid (4-2-3-1): De Gea; Jang, Lindelof, Smolling, Shou; Pogba, Matiç; Rashford, Mata, Martial; Lukaku

Juventus (4-3-3): Shezni; Kanselo, Bonuçi, Kielini, Aleks Sandro; Bentankur, Pjaniç, Matuidi; Kuadrado, Ronaldo, Dibala

Real Madrid-Viktoria Plzn

Real Madrid është kthyer më në fund te fitorja pas katër humbjesh dhe një barazimi të marrë në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Skuadra e Lopetegui-t, në fakt, ka mposhtur 2-1 çekët e Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Grupit G të Champions League. Njëmbëdhjetë minuta lojë i kanë mjaftuar “Los Blancos” për të zhbllokuar takimin e luajtur në “Santiago Bernabeu”. Autori i golit ka qenë Karim Benzema, i cili është bërë lojtari i tretë në historinë e Champions League, pas Messit dhe Raul, që shënon në 14 sezone të njëpasnjëshme në këtë kompeticion. Francezi ka shënuar me kokë, duke u bërë edhe lojtari i La Liga-s me më shumë gola të shënuar me kokë në të gjitha kompeticionet: 3. Marselo ka shënuar golin e dytë për vendasit në minutën e 56-të. Pavarësisht dominimit të kampionëve në fuqi të Evropës, Plzen ka arritur të befasojë mbrojtjen madrilene në minutën e 79-të, duke ngushtuar diferencat në 2-1 me Patrik Hrosovsky. Gjithsesi, spanjollët kanë arritur ta mbrojnë avantazhin deri në fund dhe të marrin tri pikët. Falë kësaj fitoreje, Real Madrid mban vendin e parë në grup. Një vend të parë që e ndan me Roma-n, me verdhekuqtë që kanë të njëjtin numër pikësh me madrilenët, por që janë mposhtur në ndeshjen direkte të luajtur kundër tyre.

Shaktar-Mançester Siti

Dy gola brenda pesë minutave të pjesës së parë dhe një në të dytën i kanë dhënë një fitore të rëndësishme 3-0 Manchester City-t në transfertën e vështirë ndaj Shakhtar Donetsk. Qytetarët e Pep Guardiola-s janë rikuperuar nga ajo humbje befasuese në ndeshjen e parë ndal Lyon, dhe tani janë ngjitur në krye të grupit F me gjashtë pikë. Pas dy mundësive të mira me Mahrez dhe shtyllën e pafat të David Silva, ishte pikërisht mesfushori spanjoll Silva ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 30’. Vetëm pesë minuta më pas erdhi goli i dytë i ndeshjes me Aymeric Laporte, i cili shfrytëzoi më së miri krosin e Kevin De Bruyne. Pas pushimit ‘Qytetarët’ nuk e ulën ritmin. Ata vazhduan të insistonin dhe po të ishin treguar më të saktë ndeshja mund të kishte përfunduar 5 apo 6 me zero. Vendasit nuk reagojnë as në pjesën e dytë dhe pësojnë golin e tretë në minutën e 71’. Autori i golit ishte një tjetër Silva, këtë herë Bernardo.

Aek-Bajern, Jang Bois-Valencia

Bajern Mynih ka fituar me rezultatin 2-0 ndeshjen e luajtur në fushën e AEK-ut të Athinës, e vlefshme për javën e tretë të Grupit E të Çempions Lig. Bavarezët e kanë siguruar fitoren në pjesën e dytë, në harkun e dy minutave. Ka qenë Javi Martinez që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 61-të, ndërsa Robert Levandovski e ka mbyllur atë në të 63-tën. Në takimin tjetër të orës 18:55, atë të luajtur në Zvicër mes Jang Bois dhe Valencia-s, i vlefshëm për javën e tretë të Grupit H, vendasit kanë arritur të marrin pikën e parë në këtë Champions falë një barazimi 1-1. Spanjollët kanë kaluar në avantazh me Batshuayi-n në minutën e 26-të, ndërsa miqtë janë kundërpërgjigjur në minutën e 55-të me Hoarau, i cili ka shënuar me penallti. Ky rezultat nuk ka ndikuar në renditjen e grupit, me zviceranët që mbeten në vendin e fundit, ndërsa spanjollët janë në të tretin me dy pikë.