Jahmir Hyka, gol ëndrrash në Zvicër

506
Sigal

Mesfushori shqiptar i jep fitoren ekipit të tij me një gjuajte perfekte në trekëndësh

Jahmir Hyka i dhuroi fitoren Lucernit me një gol të mrekullueshëm, kur pasi mori një pasim me kokë nga Shtahel gjuajtja e tij e fuqishme e projektoi topin në trekëndëshin e djathtë të portës së St. Galenit. “Traumtor! (Gol ëndrrash”) Kështu e cilësuan dje të gjitha mediat zvicerane. Ndeshja, e vlefshme për javën e 29-të të kampionatit zviceran përfundoi me rezultatin minimal 1-0, ndërkohë që shqiptari u shpall “lojtari i ndeshjes”, apo “Matchëinner”. Dueli midis dy fqinjë në renditje nisi me avantazhin e qartë territorial të Lucernit, që përveç rasteve të Hykës humbi dhe një rast tjetër shënimi me anë të Rangelovit në minutën e 30-të. Ekipi i Hykës ishte më i mirë në fushë, duke merituar edhe fitoren e vulosur me golin e ish-lojtarit të Tiranës. Kronika e ndeshjes ofron një sulm të vazhdueshëm të Lucernit, që ishte shumë i rrezikshëm në fazën ofensive, madje ishte Hyka ai që në minutën e 23-të pati momentin më të mirë për të shënuar. Trepikëshi i artë i dalë nga këmbët e mesfushorit të Kombëtares i jep të drejtën Lucernit të ëndërrojë për një vend në Ligën e Europës, pasi skuadra e shqiptarit tani renditet në vendin e katërt. Lucerni luftoi fort për fitoren, madje vetë Hyka pati dy raste të tjera – në minutat 15’ dhe 23’ – përpara se të realizonte në minutën e 75-të. Sipas mediave helvetike, “shqiptari Jahmir Hyka vendosi me gol të mrekullueshëm ndeshjen midis Lucernit dhe St. Galenit (1-0) në “Suisporaren”. Hyka e festoi golin duke u hedhur në krahët e trajnerit të tij, Karlos Beneger, ndërkohë që emri i tij u thirr në kor nga i gjithë stadiumi, ku të pranishëm ishin më shumë se 11 mijë shikues. Ky ishte goli i tij i dytë në kampionat për këtë sezon, dhe për koincidencë edhe golin e tij të parë ia kishte realizuar St. Galenit në humbjen 4-1, më 1 shtator të vitit të kaluar. Me St. Galenin luajti edhe kosovari Emir Lenjani, kontingjent i Kombëtares sonë, por dhe Kristian Nushi i Kombëtares së Kosovës. Sioni i Vullnet Bashës humbi 1-0 me Bazelin e Taulant Xhakës. Basha luajti si zëvendësues nga minuta e 25-të, ndërkohë që Taulant Xhaka, i projektuar nga Xhani De Biazi si pjesë e fushatës së eliminatoreve të “Euro 2016” luajti si titullar. Bazeli kryeson kampionatin zviceran. Duke mbetur në kampionatin zviceran, sulmuesi Armando Sadiku luajti si zëvendësues në barazimin 2-2 të Bazelit të tij ndaj Jang Bojsit. Në Bundesliga 2, FSV Frankfurti i Odise Roshit humbi 3-0 në shtëpi me Sandahauzenin. Roshi e luajti si titullar, por trajneri Breno Mëleman e zëvendësoi në minutën e 57-të, ndërkohë që nga minuta e 74-t u aktivizua Faton Toski. Sulmuesi Kapllani ënde nuk është gati për t’u aktivizuar pas dëmtimit që pati në fytyrë.

Tragjedi në Moto, vdes Kasani

Tragjedi në cirkuitin e Mizanos, të quajtur “Marko Simonçeli”. Emanuele, Kasani, motoçiklisti 25-vjeçar i impenjuar në garën e trofeut “Brixhestone” klasi 600 kubikësh, i futur në programin e Kupës së Italisë, humbi jetën pas një incidenti të frikshëm. Menjëherë pas nisjes, disa pilotë u përfshinë në kontakt, duke rënë dhe një nga pilotët ishte Kasani. I riu u përfshi në një incident me dy pilotë të tjerë, duke marrë plagë të rënda. Ndihma e shpejtë erdhi menjëherë, por pa mundur të bëjë dot asgjë.

 Mediat italiane: “Ishte lojtari më i dobët i Lacios”. Tare mbron kapitenin e Shqipërisë

 Cana shkakton penallti dhe merr të kuq

  Lacio pësoi një humbje të hidhur 4-2 me Napolin, ndërkohë që protagonisti negativ ishte Lorik Cana, me shqiptarin që shkaktoi penallti dhe mori karton të kuq, duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë nga minuta e 48-të. Protagonisti pozitiv ishte argjentinasi i Napolit, Gonzalo Higuain, autor i tre golave. Trajneri i Lacios, Edi Reja, i hodhi në fushë të dy shqiptarët, portierin Etrit Berisha dhe Lorik Canën në mbrojtje, ndërkohë që trajneri Benitez i Napolit rreshtoi nga minuta e parë Valon Behramin. Cana u ndëshkua me karton të verdhë qysh në minutën e 13-të, që rrezikoi kartonin e kuq pas faullit në limitet e zonës së rreptësisë. Lacio shënoi e para me anë të Luliçit (21’), përpara se të niste orteku i Napolit, me golin e Higuain (42’). Në të 23’, Berisha pari shpëtuar mrekullisht portën e Lacios pas goditjes së bukur të Higuainit. Pjesa e parë përfundoi 1-1, ndërkohë që e dyta nisi me golin e avantazhit të Napolit. Martens u fut në zonë, ndërkohë që Cana e frenoi në mënyrë të parregullt në minutën e 48-të, duke marrë kështu kartonin e kuq. Higuain u paraqit te pika e bardhë, Berisha i kuptoi krahun, por pa mundur të prekë rrjetën. Ish-lojtari i Realit mund të shënonte sërish, por Berisha e ndali gjuajtjen e tij. Ndeshja shkoi më pas në 3-2, ndërkohë që takimi në “San Paolo” u mbyll përfundimisht 4-2 me golin e fundit të realizuar nga Gonzalo Higuain. Sipas vlerësimeve, të portalit Lalaziosiamonoi.it, Berisha, i vlerësuar me notën 6.5 (mirë), nuk ishte fajtor në asnjë nga golat e pësuar. Cana ka marrë edhe vlerësimin më të dobët të ndeshjes, 4 (shumë dobët), duke u konsideruar edhe si fajtori kryesor i prishjes së ndeshjes së Lacios, për shkak të lojës së tij të dobët, shkaktimit të penalltisë në mënyrë amatore dhe kartonit të kuq të mirë. “Më keq se kështu nuk mund të shkonte”, – komentonte portali i afërt me klubin e Lacios. Trajneri i Lacios, Reja, tha se, i vinte keq për Canën, pasi Martens (i Napolit) u rrëzua më shumë vetë. Për penalltinë e shkaktuar nga Cana, foli edhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. “Penalltia e pjesës së dytë ishte dhe situata kyçe e ndeshjes. Sipas meje, ishte një pozicion jashtë loje i Higuain në nisje dhe nuk u sinjalizua dhe nga ai moment lindi edhe penalltia. Në pjesën e parë patëm raste të mëdha për të shkuar në avantazh të dyfishtë, por më pas erdhi goli i bukur i Mertens. Në pjesën e dytë ishte mjaft i vështirë, përballë një lojtari të madh si Higuain”. Torino e Migjen Bashës arriti një fitore dramatike me përmbysje 2-1 ndaj Xhenoas, me dy golat e shënuar në minutat 92’ (Imobile) e 93’ (Çerçi), që bën të pavlefshëm rrjetën e shënuar nga Xhilardino në të 85’ për gjenovezët. Mesfushori i Kombëtares sonë e nisi takimin si titullar, por ai u zëvendësua në minutën e 57-të.

Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Bullgarisë me dy boksierë, Uldedaj dhe Zenelin

 Botërori i boksit, Uldedaj përballë Savdens të Letonisë

 Është hedhur shorti i ndeshjeve, që do të zhvillohen në kampionatin botëror të boksit që nis ditën e martë në Sofie të Bullgarisë. Në këtë kampionat merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me 5 boksierë të cilët pretendojnë për një rezultat pozitiv. Boksieri 16-vjeçar nga Lezha i ekipit të Tiranës, i cili garon për peshën 80 kg, do të ndeshet me Denis Savdens të Letonisë. Boksieri i tjetër i Kombëtares tonë, Rexhildo Zeneli, i peshës 56 kg, do të presë dyshen fituese Kolumbi-Sllovaki, për tu ndeshur me ta. Dy boksierit Shqiptarë të cilët kanë sjellë edhe medalje në Shqipëri gjatë vitit 2013, ishin përzgjedhur nga federata e boksit si nga 48 sportistët më të mirë në botë.Ata janë grumbulluar në Sofie 3 javë më parë, ku kanë zhvilluar stërvitje të përbashkët me elitën e boksit botëror. Ky është dhe një motiv i fortë që, ata të marrin medalje në këtë kampionat, pasi kanë zhvilluar një stërvitje me profesionistet e boksit kështu është shprehur trajneri i ekipit të boksit të vendit tonë Jozef Sermi. Sipas tij, kjo nuk ka qenë një përzgjedhje rastësishme po ju referohet arritjeve, që këta dy sportistë kanë arritur në arenat ndërkombëtare, duke sjellë për herë të parë medalje në vendin tonë. Jurgen Uldedaj i ekipit të Tiranës dhe Rexhildo Zeneli i Vllaznisë së Shkodrës, janë shprehur se do të bëjnë të pamundurën që të sigurojnë medalje në këtë kampionat, me qëllim që flamuri kuq e zi të valëvitet edhe në Sofie të Bullgarisë. Në këtë kampionat do të marrin pjesë 512 sportistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët pretendojnë për medalje. Botërori i boksit për të rinj merr edhe një vëmendje tjetër, pasi në këtë aktivitet do të përzgjidhen edhe pjesëmarrësit për Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” që do të zhvillohen në muajin korrik të këtij viti, ku Shqipëria synon që të marrë pjesë. Jurgen Uldedaj është vlerësuar nga prefesionistët e boksit si boksieri më i talentuar për peshen 80 kg, ku dhe gjatë kampionatit Evropian të boksit të zhvilluar gjatë vitit 2013 në Rusi, ka tërhequr vëmendjen e shumë trajnerëve të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për 16-vjeçarin nga Lezha. Jurgen Uldedaj solli medaljen e bronztë për herë të parë në historinë e boksit shqiptar për moshën 16-vjeçare, duke i dhënë më tepër vlera këtij sporti në vendin tonë. Me triumfet e arritura nga Jurgen Uldedaj, boksi shqiptar ka arritur një talent të ri, dukë e bërë këtë sport të njohur edhe në arenat kombëtare.