Intervista/ Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja: Në Zagreb, favorite është Dinamo, por ne do luajmë për shanset tona

304
INTERVISTA/ Një ditë para ndeshjes së sotme play-off me kroatët, flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së Skënderbeut

Nga Agron KAJA
Një ditë para ndeshjes së sotme me Dinamon e Zagrebit, nga kryeqyteti kroat, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, për gazetën “Telegraf”, e vlerësoi shumë kundërshtarin, të cilin një javë më parë e ndoqi live në 11 gusht, në përballjen me Rijekën, që e fitoi në transfertë 2-0. Por sot, takniku Daja kërkon nga Skënderbeu që të shohë punën e vet dhe të mos përqendrohet te forca e Dinamos. “Unë besoj se, ndeshja me Dinamon e Zagrebit, është në vazhdën e atyre që ne kemi luajtur në turet e kaluara. Ne jemi të ndërgjegjshëm për forcën e kësaj skuadre, e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por që gjithsesi, jemi përgatitur për të gjitha, dhe tani presim vetëm orën e nesërme (sot)”, deklaroi dje trajneri i Skënderbeut.
Sot (dje) i keni mbyllur përgatitjet për sfidën Dinamon e Zagrebit, sa është gati Skënderbeu?
Deri më sot (dje), jemi përgatitur ashtu si duhet. E rëndësishme është se nuk kemi asnjë futbollist të dëmtuar, e vetmja mungesë është ajo e Gripshit, për shkak të problemeve me pasaportën. E mbyllëm edhe stërvitjen e fundit në Kroaci, e cila më mundëson të jap një përgjigje më të saktë rreth përgatitjeve tona.

Atëhere, është në gjendje Skënderbeu ta përballojë Dinamon e Zagrebit në fushën e saj? 
Unë besoj se po, dhe këtë e them se ndeshja e nesër (sot) është në vazhdën e atyre që ne kemi luajtur në turet e kaluara. Ne jemi të ndërgjegjshëm për forcën e Dinamos së Zagrebit, e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Gjithsesi, jemi përgatitur për të gjitha, dhe tani presim vetëm ditën e nesërme (sot).

Ju e keni studiuar deri në detaje kundërshtarin. Keni ndonjë opinion përfundimtar?
Po, e kemi studiuar deri në detaje kundërshtarin dhe dimë shumë mirë si luan dhe si vendoset në fushë. Dimë më shumë edhe për lojtarët e Dinamos individualisht. Dinamo për momentin ka një formë shumë të mirë, pasi ka luajtur edhe disa javë nga kampionati kroat. Sigurisht, nuk kemi studiuar vetëm kundërshtarin, pasi jemi të bindur se kemi një grup të mirë dhe kemi edhe ne shanset tona.

Mund të na thoni ndonjë detaj, çfarë e bën të fortë skuadrën kroate?
Kemi parë gjatë këtyre ditëve, bashkë me ekipin, se ku janë anët e forta të Dinamos së Zagrebit, por edhe anët jo të forta. Ua kam treguar lojtarëve dhe nuk është e nevojshme të bëhet publike. Ajo që duhet të them është se duhet të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat, që do të na lejojë ekipi kroat. Nëse e bëjmë mirë, patjetër që do t’ia dalim të marrim rezultat pozitiv.

Skënderbeu do të rreshtohet, si gjithmonë, 4-1-4-1?
Sido që të rreshtohemi ne, 4-1-4-1 apo 4-3-3, këto dy skema janë të njëjta dhe nuk janë përcaktuese. Sa të fortë do të jemi në mbrojtje, aq më shumë hapësira do t’i japim sulmit dhe anasjelltas. Kjo është më e rëndësishme për mua. Për cilësitë që ka kundërshtari kemi folur shumë, por jemi marrë në stërvitje edhe me veten, pasi ne e kemi në dorë interpretimin e lojës.

I trembeni emrit që ka kundërshtari, mund ndonjë emër të veçantë të skuadrës kroate?
E thashë se Dinamo e Zagrebit ka një skuadër me elementë të mirë, por nuk i trembemi. Ka një skuadër që luan në grup, por ka edhe individë shumë të mirë dhe zhvillon një lojë të shpejtë. Nuk kemi harruar se kundërshtari ka edhe një stol të fortë.

Mendoni se takimi në Zagreb do të vendosë gjithçka, apo është në Elbasan zgjidhet kualifikimi?
Janë 180 minuta dhe nuk vendos vetëm një takim. Sigurisht që në Zagreb është një ndeshje e rëndësishme dhe jemi fokusuar vetëm tek ai takim. Për ndeshjen tjetër ka kohë të mendojmë dhe të flasim. Një rezultat i mirë atje do të na ndihmonte shumë për takimin e kthimit.

Formacionin thuajse e keni zbuluar dhe e vetmja dilemë është ajo e sulmit, Soue apo Xhejms?
Njëri nga të dy do të jetë patjetër, por ende nuk e kam vendosur. Do ta vendos në Zagreb ditën e fundit. Kam këtë dielmë, pasi në 3-4 ditët e para të stërvitjes në Korçë Xhejms u stërvit i diferencuar. Në fushë të enjten do të jetë më i miri.

Së fundi, sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar më tej?
E theksova më sipër se kemi shanset tona dhe do të bëjmë më të mirën në Zagreb për të marrë një rezultat sa më pozitiv. Kundërshtari ka objektivin e vet, por edhe ne tonin. Do të kalojë skuadra, që do ta meritojë, ajo që do të gabojë më pak.