INTERVISTA/ Sokol Kushta: Humbja me Kosovën, një palaço ndeshje që nuk duhet kujtuar, dhe jo të përsëritet

735
Sigal

Nga Agron KAJA

Për miqësoren me Kosovën, flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Kombëtares, ja këndvështrimi i tij kritik, jo vetëm për lojën

NOA

Si e keni përjetuar humbjen 0-3 të Kombëtares sonë me Kosovën?

Nuk kam fjalë të them për atë ndeshje, nuk ka fjalor që ta përshkruajë atë lojë aq të dobët, më e dobëta ndoshta në historinë e miqësoreve të Kombëtares. Një ndeshje që nuk duhet harruar, por ajo kërkon reflektim urgjent e logjik, jo emocional me “rreshterë” si Panuçi.

Ku gaboi Kombëtarja jonë në këtë humbje të martën?

Mendoj se në të gjitha drejtimet, sepse nuk kishte asnjë sektor në fushë që nuk gaboi. Nisur që nga porta, e duke përfunduar me vijën e sulmit, nuk gjej një komponent që të them se më pëlqeu në atë ndeshje. Ka 24 orë nga ajo humbje, dhe unë mbetem i shokuar për sa pashë.

Në krahasim me Kombëtaren e De Biazit, si i shikoni diferencat apo ndryshimet në Kombëtare me Panuçin?

Kjo kombëtare sot me trajner Panuçin, ka shumë mangësi e diferenca me Kombëtaren që drejtoi De Biazi. Ai (Panuçi) e mori të gatshme skuadrën, dhe pas atij momenti, e shkatërroi ekipin, me pretendimin se do të ndërtonte një skuadër të madhe.

Synimi i tij, sot ju duket i paarritshëm, nisur nga humbja me Kosovën?

Jo vetëm nga kjo humbje, por edhe nga ajo me Norvegjinë në muajin mars, Panuçi duket sikur po luan shumë me çka po bën në Kombëtare. Shqipëria nuk bëhet dot ekip i madh, sepse del nga struktura e tradita e saj. Nuk bëhet dot futboll sulmues, me pasoja si humbja me Kosovën.

Veçoni ju një lojtar të Kombëtarja jonë në këtë humbje?

Absolutisht asnjërën. Madje as edhe nga ata të rinj që luajtën për herë të parë, sepse kur është një fund i keq, nuk u jep shansin të promovohen të rinjtë. As një lojtar apo repart në fushën e lojës, nuk bën të veçantën pozitive, por të kundërtën.

Në tërësinë e saj, si e përshkruani ndeshjen miqësore me Kosovën?

Miqësorja e humbur me Kosovën, ishte një palaço ndeshje që nuk duhet kujtuar, dhe jo më të përsëritet. Kosova ishte më lart në nivelin e lojës së saj, ndërsa Kombëtarja jonë u tregua e pafytyrë, pa shije dhe pa emocion.

E gjithë kjo situatë, ju mendoni se i faturohet vetëm “rreshterit” Panuçi?

Panuçin nuk e kam pëlqyer që në fillim kur erdhi, me sloganin “Tani do më shikoni”. Dhe ja e pamë, në 7 ndeshje, Kombëtarja jonë ka regjistruar 2 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje, me golavarazhin 6:11, më keq nuk mund të shkonte. Ky trajner nuk e mbledh dot Kombëtaren tonë.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë Kombëtarja, ndoshta që në miqësoren e radhës me Ukrainën, nëse do të luhet?

Nëse ajo miqësore do të luhet, unë nuk kam besim tek ky trajner se do të ndryshojë ndonjë gjë të madhe. Edhe koha është e shkurtër, por edhe paraqitja e tij në drejtimin e Kombëtares nuk është sikundër i De Biazit, i cili hyri shpejt në mentalitetin tonë si shqiptarë.

DY MIQËSORET

E martë, 29 maj 2018

Shqipëri-Kosovë         0-3

Shënues: Zeneli 20’, 51’, Zhegrova 67’

Stadiumi “Letzigrund”, Zyrih

E diel, 3 qershor 2018

Shqipëri-Ukrainë         16:00

Stadiumi në Evian, Francë?