INTERVISTA/ Rrapo Taho: Kampionati i Superiores lë shumë për të dëshiruar, skuadrat thuajse kanë të njëjtin nivel

1472
Sigal

Nga Agron KAJA

Për situatën në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” ish-qendërmbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, ja skaneri i tij

Cili është këndvështrimi juaj për Kategorinë Superiore në pesë javët e para të sezonit 2018-2019?

Për mendimin tim, nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, kjo nisje ka lënë shumë për të dëshiruar. Të gjitha janë thuajse në të njëjtin nivel, dhe është e vështirë ta përcaktosh në këto pesë javë të luajtura, se cila skuadër mund të dalë kampione dhe cilat mund të zbresin nga Superiorja.

Po Flamurtari, sa është shprehur në vlerat e tij në këto javë të para të Kampionatit?

Edhe Flamurtari ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë start të këtij sezoni në Kampionat. Ekipi ka probleme, nuk ka gjendjen e plotë dhe optimale, edhe pse trajneri Ilir Daja ka bërë një punë të mirë, si në kompletimin e skuadrës, ashtu edhe në përgatitjen e tyre në nivele të mira.

Ku mendoni ju se Flamurtari ka gabuar, kryesisht në këtë nisje të këtij kampionati?

Unë mendoj se blerjet e Flamurtarit në merkaton e verës janë të fuqishme, por vlerat e tyre në fushë nuk kanë qenë të tilla. Kjo ndodh sepse, disa nga titullarët erdhën me vonesë në skuadër, pasi ishte mbyllur faza përgatitore, e cila u bë e plotë me kontingjentin kë ishte.

Nga vendi i 1-rë, në vendin e 5-të në renditje i ndajnë 4 pikë, është kjo një diferencë e madhe?

Duhet të kuptojmë se jemi në fillimin e Kampionatit dhe është shpejt që të thellohen diferencat në pikë në të dy ekstremet e renditjes. Sepse me një fitore tri pikëshe mund të kalosh në krye të renditjes, dhe me një humbje mund të zbresësh disa vende në tabelë.

Skuadrat që kryesojnë renditjen, sa vlera kanë treguar për ti quajtur ato si pretendente për Titullin Kampion?

Unë do të rreshtoj 4 skuadra: Skënderbeun, Partizanin, Kukësin e Flamurtarin, si pretendentë për Titullin Kampion, ndërsa Laçin nuk e mendoj në këtë grup. Të katërta këto skuadra nuk po japin rendimentin e duhur në fushë, por koha e pakët nuk mundëson e shfaqjen e plotë të vlerave.

Po pesë skuadrat e tjera, sa rrezikojnë në renditje që të mbeten në zonën e ftohtë?

Edhe për këtë grup është shpejt të gjykosh se cila skuadër do të zbresë nga kategoria. Sepse një ndeshje e fituar të ngre, dhe një ndeshje e humbur të largon më shumë nga grupi tjetër. Në këtë grup, Kastrioti dhe Luftëtari kanë treguar pak nivel për të thënë se janë në Superiore.

Flamurtari në ndeshjen e javës së 6-të në kampionat pret Kastriotin, si e mendoni këtë përballje?

Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë për tu fituar nga Flamurtari, sepse ekipet e vogla mobilizohen shumë kur ndeshen me skuadra të mëdha. Flamurtari synim ka pjesëmarrjen në Kupa e Evropës, dhe si dritare për këtë shikon më shumë nga fitimi i Kupës së Shqipërisë.